Kërko

Vatican News
 Kardinali Sako Kardinali Sako  (AFP or licensors)

Patriarku kalde: Krishtlindja i dhuroftë shpresë Irakut, që vuan. Jo, rrugëzgjidhjeve ushtarake të krizës

Këtë vit Krishtlindja e gjen Irakun në rrethana tejet të dhimbshme, duke pasur parasysh se në vend, “plagët e hapura nga Shteti islamik, vijojnë të kullojnë gjak”.

R. SH. - Vatikan

Këtë vit Krishtlindja e gjen Irakun në rrethana tejet të dhimbshme, duke pasur parasysh se në vend, “plagët e hapura nga Shteti islamik, vijojnë të kullojnë gjak” e dhuna, varfëria, papunësia “i shtyjnë mijëra njerëz, posaçërisht të rinjtë, të manifestojnë paqësisht, duke kërkuar të drejtën për të jetuar me dinjitet e liri, në një atdhe të qetë, të sigurt, të fortë e të pavarur”.

Në këtë situatë, “Jezu Krishti, që lind mes nesh, na gjen plot me dashuri e mëshirë. E na kujton se vetëm po të zgjedhim  vëllazërimin e mëshirën e të refuzojmë të keqen,  do të kemi gëzimin e paqes”.

Kështu shkruan Patriarku kaledas, Louis Raphael Sako, në mesazhin e tij të Krishtlindjes, përhapur nga kanalet zyrtare të Patriarkatit.

Në mesazh, Kardinali primat i Kishës kaldease, i nxit të gjithë ta jetojnë kumtimin e Krishtlindjes në jetën e përditshme, për të gjetur ngushëllim, sepse lindja e Jezusit paralajmëron jetë të gëzuar për të gjithë.  Duke kujtuar fazën e mundimshme, që po kalon vendi, Patriarku Sako ripohon se në Irak shpresat e njerëzve, që po manifestojnë masivisht, u tradhtuan që në vitin 2003, vit në të cilin fundi i regjimit të Saddam Husseinit u paraqit si shans për një fillim të ri të historisë kombëtare. Po jeta e re mbeti vetëm fjalë e zbrazët. Në vend nisën sakaq atentatet, konfliktet, masakrat! E të krijohet përshtypja se irakianët nuk po janë të zotët ta gjejnë një mënyrë, për ta vënë vendin në udhë të drejtë, “duke zhdukur sektarizmin, korrupsionin, pasurimin e paligjshëm e sekuestrimin e padrejtë të pronave publike dhe private”.

Në kushte kaq të trishtuara e duke pasur parasysh se “askush nuk e di ku po shkon Iraku”, Patriarku i fton politikanët dhe funksionarët e sigurimit ta “dëgjojnë zërin e popullit në këtë tokë të bekuar të Abrahamit. Zërin e atyre, që u vranë; atyre, që pësuan padrejtësi të pafundme, mjerime e poshtërime”. Posaçërisht Patriarku kërkon të shmangen rrugëzgjidhjet ushtarake të krizës, duke e përjashtuar këtë udhë, që do të shkaktonte  të vrarë e të plagosur të tjerë, si të mos mjaftonin ata, që lanë jetën në një luftë të pakuptimtë.

Mesazhi i Patriarkut u kërkon edhe të pagëzuarve t’u shprehin afërsinë e tyre të gjithë irakianëve “të krishterë, myslimanë e të tjerë”, si në këndvështrimin shpirtëror, ashtu edhe në formën e ndihmës bamirëse e humanitare, duke iu përgjigjur nevojave të tyre me kujdes të veçantë, sipas shembullit të Jezu Krishtit.

 Në përfundim - kujton Patriku kaldeas - “Zoti do të na gjykojë sipas dashurisë dhe shërbimit, që u ofrojmë të tjerëve”.

 

19 dhjetor 2019, 13:02