At Zef Pllumi, frat e shkrimtar At Zef Pllumi, frat e shkrimtar 

Nata e parë e Këshndellave në Tiranë, mbas diktaturës

Nata ishte shumë e ftoftë, frynte nji veri i rreptë, si kurr ndonjiherë. Unë kam ndejë shumë vjet në Tiranë, por nji veri kaq të furishëm, që çonte e merrte përpara gjithçka gjente e i fshinte të gjitha rrugat, pa lanë kurrgja në to, nuk e kisha pa kurrë. Edhe njerëzit e kishin të vështirë me ecë prej eret e prej nji acarit, të papamë në Tiranë. Mendojshem me vedi e ua thoshem edhe të tjerëve se ishte djalli vetë që e shfrynte atë erë, sepse nuk donte me e lëshue Tiranen- kështu e përshkruan atë Zef Pllumi natën kur, pas Shkodrës, u kremtua Mesha e Mesnatës së Krishtlindjes edhe në Tiranë. Për mos me harrue!

R. SH. - Vatikan

.....U takova me dom Ndoc Sahatçinë e mora vesht se edhe ai dishronte me çue meshë në Tiranë, Natën e Kshndellave. Po ku, se? Kishat ishin shndrrue në ambiente të tjera, e perdoreshin për qellime tjera.

Në atë kohë kishte ardhë në Tiranë nji gazetar italian, ishte takue me dom Ndocin pak ditë para Kshnellash e e kishte pvetë a mund të çohej mesha Naten e Kshndellave në Tiranë, apo jo.  Dom Ndoci nuk donte me ba gja pa leje të qeverisë. I ishte gjegjë se pritëte lejen e qeverisë e kështu ai gazetari italian ishte nisë për në Shkodër, ku dihej me siguri se Mesha e Natës së Kshndellave do të kremtohej, për herë të parë, e besoj edhe të fundit, në Rrëmaj. Për të gjallë e të dekun. Meshë që delte prej katakombash me gjithë besimtarë. Tepër interesante për gazetarin, që vinte prej nji vendi, ku kishat nuk mbusheshin as Natën e Madhe. Që sigurisht nuk çohej ndër vorre të vithisuna, por ndër katedralet ma në za të botës së kshtenë. Ndërkaq unë mblodha rreth vedit disa studenta të universitetit. Ndër të tjerë, Sokol Pepushi, sot frat françeskan. E mblodha edhe  disa  shokë burgut, si Lanet Isufi  e ndonji tjeter e shkuem gjithë së bashkut e i bamë nji telegram shokut Ramiz Alia, aso kohet president i Republikës. Ne e nesre te dom Ndoci erdh lajmëtari edhe po i thotë që të shkonte e të merrte përgjegjen në komitetin ekzekutiv, si thirrej në atë kohë, domethanë në Bashkinë e Tiranës, si thirret sot, kur ka ndërrue gjithçka, e s’ka ndërrue kurrgja. Sepse veç emnave të institucioneve, gjithçka ka mbetë si ka kenë. Sundimtarët, sidomos.

U nisme e shkueme me dom Ndocin në komitetin ekzekutiv. Na priti nji nenpunës i cilli na e lexoi përgjegjen që presidenca i jepte telegramit tonë: “T’i plotësohet dëshira fesë katolike simbas ligjit në fuqi”. U gëzuem pa masë, tue harrue krejt çka thonte ligji në fuqi. Po na e kujtoi sakaq nënpunësi, që shqiptoi madhnisht, si ia lypte kamba: “Ligji në fuqi i ndalon ceremonitë dhe shërbimet fetare, prandej nuk mundeni, nuk u jepet leja për me çue meshë natën e Kshnellave”. Ndigjuem, heshtëm e dolëm. Dom Ndoci më tha se nuk e kishte në mend me dalë kundër qeverisë. Pra, nuk donte me e çue meshën. Ndërsa unë me shokët e mi vendosëm të çohej Mesha atë Natë të madhe. Përpiluem së bashku nji shpallje a lajmërim në shumë kopje. Lajmi ishte i shkurtë, 5-6 rreshtash. Lajmërohej se Kisha Katolike do të kremtonte meshën e Mesnatës së Kshndellave. Poshtë shenohej vendi e ora.  Ato lajmërime erdh e i muer nji prej atyne vullnetarëve besimtarë, që ishin mbledhë aty, edhe i shpërndau në të gjithë qytetin, tue i ngjitë ndër shtylla elektrikut e telefonit. Iu suell rrotull gjithë qytetit me biçikletë. Kur kthei, i thame që t’i binte edhe nji herë për rreth qytetit, në të gjithë ato vende ku i kishte vu shpalljet e të shifte a ishte kush tue i lexue. Nuk vonoi e e pamë tue kthye me fëtyrë shumë të trishtueme. Na pru lajmin se nji pjesë e madhe e atyre lajmërimeve ishin shky e ishin hedhë për tokë. Atëherë na u desht me shkrue me shpejtësi të madhe lajmërime të tjera. E burri me biçikletë u nis përsëri e i vuni në vendet kyçe, që ta merrte vesht tanë populli. Bame një mori kopjesh. E  burri me biçikletë nisej krye nji gjysmë oret. Një dorë e panjoftun - e njoftun mirëfilli - i hiqte, e ai i vente përsëri. Tue hy kështu, në historinë e zanafillës së Kishës së mbasdiktaturës, në Tiranë, me gjithë biçikletën e tij, së cilës i tringllonte gjithçka, veç ziles. Ata hiq e na ven. Kështu shumëkush e mori vesht vendin e orën kur do të çohej mesha. Ndërkaq, mbasi hangme bukë, shkueme persri me pa rrugën, ku do të çojshim meshë, pra Meshen e parë. Dishrojshim me e çue te dera e Kishës së Shëna Ndout, në Tiranë, te kisha e fretenve, sepse nata ishte shumë e ftoftë, por ajo derë kishte strehë d.m.th. ishte e mbrojtun si prej eret e si prej shiut. Prandej e zgjodhëm atë vend. Ishte rrugë e dytë e jo kryesore, ku mund të ndërhynte policia. Mirë streha, por aty nuk kishem dritë. Atëherë, me Mehmet Isufin, shkueme te kryetari i këshillit të frontit e i kërkuem me lidhë elektrikun.  Kryetari ishte çam e e kishte shpinë të ngjitun me kishë. I kërkuem të na jepte dritën elektrike, tue i tregue se do të çohej mesha e mesnatës, Mesha e Kshnellave.

Ai ishte jo vetëm kryetari i frontit të lagjes, por bante pjesë edhe në parti e ishte edhe nënpunës i lartë në Ministrinë e ndërtimit. - Nuk jam kundra meshës - na tha - por nuk kam elektrik, s’kam as tel e as s’kam ku e marr. Po dritën nuk jau pengoj. Mehmet Isufi ia ktheu: - Me çka di vetë, ti je çam. Edhe unë jam çam e jam i biri i Azem Beut. - I kujt? -  tha tjetri - ti je i biri i Azem Beut? – Po - vijoi Mehmeti - jam i biri i Azem Beut e me këtë fratin jam njoftë në burg, ku kemi hjekë të zitë e ullinit bashkë. Kemi da çdo kashatë bashkë e jemi ba vëlla e shkue vëllaut. Prandaj mos të shkojë mendja me ia ndalue dritën e elektrikut. E sa për telin, telin po ta biem njitash.

Ndërkaq dërguem e morëm nja 50-metër tel, thirrëm edhe nji elektricist. Veç hallet nuk mbarojnë kurrë. Teli erdh, por duhej pregatitë, duhej nji tavolinë, duhej... Në të vërtetë aty afër ishin vetëm 2-3 familje katolike, por kishin frikë me ndihmue atë ditë për meshen. U kishte hy frika për palc. Kishin frikë prej e për gjithçka. Tanë jeta e tyre ishte shndërrue në frikë e në makthe prangash e birucash burgu. Atëherë i kërkuem ndihmë familjeve të tjera të lagjes, që na u gjetën me shumë dishirë. Mbasi kryem punë me telin e elektrikut, e vume e montuem llampat e u ba dritë e lagjes nisi me i pëlqye kjo natë e ndritshme.

Ndërkaq motër Gjorgjina shkoi te Balja, nana e Dulit, te e cilla, kur ishin mbyllë kishat, kishte mshehë disa tesha meshet e disa rraqe kishet. Shkoi, hapi biren sekrete edhe xuer dy copa bronxit. Ishin nji Krisht e nji Zojë, që na i vume në vend të kryqit e kshtu vendi u rahatue. Atëherë në skenën e kësaj nate plot lëvizje e gjallni,  hyni prap burri me biçikletë, të cillin e nisëm përsëri me pa lajmërimet. Ishin aty, apo i kishin zhdukë rishtas? Ndërkaq pregatitëm nji grup për me lajmërue ke të mundshin, po nuk patëm nevojë me e nisë, sepse njatë punë e kishte ba lagjja vetë. Lagjja e zgjueme befas në një mesnatë të paharrueshme.

Ishte ora 11.00. Na ishim te Kisha në pritje të popullit. A do të vinte kush? Vinte s’vinte, do të pregatiteshim. Nata ishte shumë e ftoftë, frynte nji veri i rreptë, si kurr ndonjiherë. Unë kam ndejë shumë vjet në Tiranë, por nji veri kaq të furishëm, që çonte e merrte përpara gjithçka gjente e i fshinte të gjitha rrugat, pa lanë kurrgja në to, nuk e kisha pa kurrë.  Edhe njerëzit e kishin të vështirë me ecë prej eret e prej nji acarit, të papamë në Tiranë. Mendojshem me vedi e ua thoshem edhe të tjerëve se ishte djalli vetë që e shfrynte atë erë, sepse nuk donte me e lëshue Tiranen. Ndonëse e dinte mirëfilli se i kishte ardhë dita me u përkulë para fuqive të Zotit e me dalë jashtë krejt. Thue doli a mbet mbrendë? Këtë do ta tregojshin ditët që do të vijshin.

         Atë natë plot lëvizje të ethshme, motër Gjorgjina organizoi gjithçka, me pamjen e gjeneralit të bindun për fitore. Me që i njihte të gjithë njerëzit e Tiranës, asaj s’i xunë kambët dhé tue përhapë Lajmin e Mirë e tue mbledhë njerëz në moshë, që e dijshin mirë çka donte me thanë Mesha e Mesnatës së Kshndellave. Ne oren 12.00, kur gjithçka ishte gati, njeriu i caktuem prej nesh u suell gjithkund neper rrugën Ali Pashë Gucia me nji cingare të vogel, e cilla përdorohej në meshë, kur çohej i Shejtnueshmi Sakramend. Në fillim të fillimit nuk u duk se do të merrte pjesë edhe aq popull. Ishin jo ma shum se 50 vetë, ndër të cillët,  20 të grupit tonë, që e kishin pregatitë këtë kremtim. Por vetëm 5 minuta mbas përhapjes së tingujve të ziles, që lajmroi rrugicen për ngjarjen e jashtzakonshme, popullsia erdh tue u shtue e vendi tue u mbushë aq, sa pa dyshim mund te thom se mbas 10 minutash u mblodhën rreth atij elteri të vorfën-historik, nja 1000 vetë. Në kambë. Në rrugë të madhe. Në mes të nji të ftofti e të nji ere që u dukte se donte me i marrë me vedi e me i çue kush e di se ku. Të gjithë të strukun, të mbledhun grusht. Por me fëtyra, në të cilat ishte ndezë nji dritë e papame prej një gjysë shekulli. U duken, mandej, edhe njerëz me aparate fotografike, madje edhe me kamera, qi fotografojshin e rregjistrojshin gjithçka ndodhte atë natë në rrugë të madhe, me njerëz që mbroheshin prej acarit, nën një strehë, që kishte kenë e kishës. Nen hije të Kishës...

Nuk mungoi as kori atë natë. I improvizuem e i drejtuem prej Gjorgjinës, që kishte mbledhë aty një grup grash. Kështu Meshës i prinë kangët e pakëndueme prej sa e sa vjetësh, që bane nji efekt shumë ma të madh sesa koncertet e Teatrit të Operas, të shoqnuem me orkestra simfonike. Ndërsa kangët e grave i shoqnonte vetëm fishkëllima e erës, që lëvizte pa mê gishtat e hollë mbi tjegullat e pullazeve. Filloi mesha me solemnitet. Nuk kishim altoparlant, as qender zanit. Kishim vetëm zanet tona, të pshtueme prej burgjeve. Unë zanin e kam shumë të fuqishem e atë natë i mshova edhe ma fort. Tue ia besue erës, që e barte dhe e çonte ma larg se qendrat e zanit. E kështu dhashë disa herë edhe lajmin se aty, te dera e kishës në Tiranë, mesha do të çohej jo vetëm atë natë por edhe ne nesre në oren 11.00 edhe për gjithë ditë të diele e ditë feste, gjithnji në oren 11.00 paradite. Populli, që merrte pjesë ishte me shumicë myslimane, por i lutej Zotit me mend e me zemër, sepse iu dukte se po kremton ditën e çlirimit të vet e pritjen e ditve ma të mira. Predkun, a fjalimin e zyrtarit kishtar e mbajta un. Theksova në tê se Kshndellat janë festë, në të cillen Zoti bjen paqen mbi tokë. Përsërita me lot në sy, me engjujt e me njerëzit, fjalët qiellore të hymnit të kësaj Nate të madhe: “Glória in excélsis Deo, et in terra pax homínibus bonæ voluntátis”. “Lumni i kjoftë Zotit në qiell, e paqë njerëzve vullnetmirë mbi tokë!”

 Ky kje thalbi i predkut. Unë nuk e kam zakon me predikue giatë. Më kande ma shumë me i ra për shkurt, për mos me mërzitë askend. Nuk e di çka thashë, por e di se kje nji predk, i cili bani përshtypje të madhe në të gjithë ata, që e ndigiuen. Kur mbaroi Mesha e u gatitem me u nisë, patme shum falënderime. Megjithëse i ftofti i madh vazhdonte, vuna re se ata, të cillët ishin mbledhë atë natë, nuk ishin ma pak se 1000 vetë.

         Kthyeme atë natë me fjetë në shpi, me shpirt të lum. Në shtëpi të Gjorgjinës e të dom Ndocit, natyrisht. E ishte nji copë e mirë rruge. Shumë njerëz na shoqnuen deri sa mbërritem, mbasi drojshin mos të na ndodhë ndonji aksident, mos na kishin ngrehë ndoj kurthë e mos të bishim mbrendë me të dyja kambët e ngrime atë natë akull-e-zjarm. Dojshin me na mbrojtë me gjoksat e vet. Nji pjesë e shoqnuesve prite para, na ishim midis, pjesa tjetër na vite mbrapa. Mbrritme në shpia tona, mbas kësaj ngjarje, që mund të na lente edhe pa frymë. Lumnisht pa frymë. Se ma pa gjumë po se po. Megjithse kishte shkue vonë, nuk e besoj se fjet kush atë natë, kur prej qiellit dikohej lajmi se Fuqia e Zotit po zbritëte edhe nji herë mbi këtë tokë. E ku? Në Tiranë. Në Tiranën e tiranëve. Në komitetin qendror të shejtanit.

         Atë natë e pregatita me shkrim predkun qi do të mbajshe ne nesre, diten e Kshnellave. E shkrova, si nuk e kam zakon e nuk e kam pasë kurr. Dyshojshe se mund të na lypin llogari, tue kenë se qeveria ishte në dorë të komunistave. E se dyert e burgut mund të hapeshin prap e prap.

         Mesha ishte lanë në oren 11.00. I vumë edhe lajmërimet persri, po ketë herë nuk na i shkjeu kurrkush. Atë ditë shkuem qysh në oren 10 te vendi i kishës e u munduem me e zbukurue. U gjetne edhe do kryqa e do fugure, madje edhe nji qender zanit, me gjithë mikrofon, që e zmadhote zanin e u ndite mjaft mirë deri larg. Ishte nji gja e re për kishën. Deri më atë kohë këtë punë e bajshin  zani i fortë e tingëllues i meshtarëve e akustika e Kishës. Pjesmarrja e popullit kje e jashtzakonshme.  Ajo copë e rrugës Ali Pashë Gucia, tue fillue qysh prej aty, ku i thoshin furra elektrike, e deri në cepin tjeter, te shkolla Partizani, ishte plot e përmaje me njerëz. Kje nji ditë e papersritshme,  e ftoftë, po, por e bukur. Shum e kthjelltë, si lotja. E jetueme me solemnitet të papërshkrueshëm. Lum ata, që e ndoqën atë ditë engjujsh. Ndoshta dukej kështu, edhe pse prune shum fmijë me i bekue. Madje prune me bekue edhe ujin.  E lamë me çue nji meshë edhe per Vit të Ri e lajmërueme se me daten 6 Janar do të kremtohej po në atë vend mesha e madhe pikërisht per Festën e Ujit të bekuem.  I porositme me e pru me vedi ujin, kush donte me e bekue.

         Mbasdite po na vjen në derë polici e na lajmëron si mue, ashtu edhe dom Ndocin  me shkue e me u paraqitë në polici. Natyrisht që, me folë të drejten, do frikë e kishim, por jo aq, mbasi  e dishim që në Shqipni të veriut ishin çue meshë për gjith vend. Vetëm per Tiranen ishte nji gja e jashtzakonshme, sepse hera e parë. U paraqitme të dy në polici. Kishin ardhë edhe nja 4-5 vetë me na shoqnue. Ata i lanë jashtë. Me ne lanë vetem njenin prej tyne. Na e dishim vetë se kishim veprue kundra ligjit, sepse në bazë ligjit, miratue pak kohë përpara për mbledhjet publike nëpër rruga, u dote lajmërue policia tri dit përpara. Mbasi ta kërkojshe lejen, ata të caktojshin vendin ku me e ba mbledhjen. Ndërsa na s’kishim pvetë kurrkend e as në mend s’na kishte shkue në atë hov, se duhej kërkue leje me çue meshë, në një truell, që ishte kenë gjithmonë i joni! Atëherë na u desht me pohue se nuk e kishim dijtë ketë ligj e se aty po e merrshim vesht për herë të parë. E me qenë se e morme vesht – u thamë - po ju lajmërojmë qysh tesh se diten e diele përsëri do të çojmë meshë, prandej presim të na siguroni vendin, publikun e qetsinë. Kishim lajmërue edhe për daten 6 janar, por nuk na e pranuen, sepse, thanë, duhet me lajmërue 3 dit para. Atëherë, mbasi dom Ndoci banonte gjithnji në Tiranë, vendosem që ai të dërgonte njanin me ‘i copë shkresë, me e lajmërue policinë gjithmonë 3 dit para. Mbas gjithë këtyne ngjarjeve, që natyrisht më kishin prekë thellë, per Vit të Ri ktheva në Shkodër pranë familjes.

         Ngjarja e Tiranës ishte marrë vesht në tana anët e ishte jetue si kulm i madh gëzimi për gjith Shqipninë. Fill mbasi festova Vitin e Ri në Shkodër, ktheva përsëri në Tiranë, shkova te dom Ndoci mbasi ai ishte si me thanë famullitar i emnuem qysh përpara aty edhe i thaçë se do të bajshim mirë me i kërkue pushtetit të na e lirote kishen, që ishte pronë e jona e kështu me i ba ceremonitë fetare mrenda kishës. Deri atëherë kisha e Shna Ndout ishte kenë qendër e frontit demokratik të lagjes. Kërkesa për nji herë nuk u pranue, por tue kenë se na vazhduem me çue meshë, atëherë, andej kah 20 janari, na erdh përgjegja e letrës. Nuk erdh me shkrim, por vetëm me gojë. Kështu lajmëruen se policia u mërzit tue ruejtë rrugen cep e në cep për çdo të diele. Sidomos diten e 6 janarit. Dita e Ujit të Bekuem kje nji rast i jashtzakonshem për Tiranen. Kishin ardhë nga gjitha anët mund të thomi, bile kishte ardhë prej Bumellave të Lushnjës edhe nji farë Mark Hilukut, i cilli na ndihmoi në mënyrë të jashtzakonshme, sepse i vijshin për doret shum mjeshtri: jo elektriku, jo kjo, jo ajo, e na ndihmoi shum në të gjitha telashet që dalin në këso rasash. Prandej, kur kreu punë, vendosëm me e mbajtë aty. Atë ditë nji familje myslimane me mbiemër Dashi, na pruni nji mikrofon, dy bile, pruni edhe nji qender zanit shum të fuqishme, sepse i zoti i shpisë punonte dikund me nji orkester të shtetit, po me atë zanat dhe e kishte marrë qendren e zanit në shpi të vet qysh nji ditë përpara. E pruni dhe e instaloi, në mënyrë që mesha, predku e kangët t’i ndigiote gjith rruga Ali Pashë Gucia, që mbushej cep e në cep. E jo vetem atë ditë. Njerëzit, sidomos fëmijët,  hypshin mbi mure e mbi pullaze të shpijave. Ishte mbushë me popull përgjith vend, se të gjith doshin me pa. Aty në lagje gjetme disa fuçija, dikur benzinet, por që mandej ishin përdorë për ujë. I morme e, mbasi i pastruem, i mbushme 6 fuçijat me ujë. Si e bekuem, mbas meshet e shpërndamë. E të gjithë u nisën kah shtëpitë shend e verë, si të ishin tue kthye prej Darsmes së Kanës, me ujin e shndërruem në venë ndër shishe. Lumnisht të dejun, si ishin në shpirt.  Prej 6 fuçijave nuk mbet asnjë pikë. Të gjith doshin me e marrë, por doshin edhe me shkue e me ua bekue shpijat. Me qenë se  nuk ishim të zot me e ba at punë, u mjaftuem me shishet e vogla, që e përhapën bekimin ndër shpija, në atë ditë të bekueme.

         Aso kohet liria nuk erdh vetem për të marrë pjesë në ceremonitë fetare e shpirtnore. Erdh edhe si liri e fjalës, liri e mendimit e, kryesisht, trokiti edhe në dyert e politikës shqiptare.

Shkëputur nga libri i Atë Zef Pllumit “10 vjet liri”, Botime Françeskane, Shkodër, 2018

20 dhjetor 2019, 16:40