Kërko

George Frendo arcivescovo di Tirana e presidente conferenza episcopale d'AlbaniaAEM.jpg

Mesazhi i Krishtlindjes i imzot George Frendos: “të punojmë për një Shqipëri më të mirë”

"Në shpellën e Betlehemit shohim një çift shumë të varfër, që dëgjojnë dënesën e foshnjës së sapo lindur, atë dënesë që sot bashkohet me dënesën e atyre që, para katër javësh, nën rrënojat e ndërtesave të shembura nga termeti, kanë nxjerr trupin e pajetë të të afërmve të tyre".

R.SH. - Vatikan

U drejtohet kryesisht të dëmtuarve nga tërmeti i 26 nëntorit, Mesazhi i sivjetmë i Krishtlindjes, që kryetari i Konferencës Ipeshkëvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, bëri të njohur sot, në një takim me gazetarët, në Tiranë. Në ditën e mbledhjes maratonë të qeverisë në Golem, pikërisht për problemin e përballimit të pasojave të tërmetit, kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit shpreh solidaritetin e tij dhe të Kishës Katolike me njerëzit, që akoma ndodhen nëpër çadra, në shi e në të ftohtë dhe i lutet Foshnjës Hyjnore t’i kthejë sytë kah Shqipëria. Gjithashtu, u kërkon të gjithëve të punojnë për një Shqipëri më të mirë. Po ta dëgjojmë mesazhin e Presidentit të Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë e kryeipeshkvit të Tiranë-Durrësit, imzot Frendo..

ta dëgjojmë mesazhin e Presidentit të Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë e kryeipeshkvit të Tiranë-Durrësit, imzot Frendo

MESAZH PËR KRISHTLINDJEN 2019
Mons. George Frendo O.P.

Në një varfëri ekstreme ka lindur ai që bota e kishte pritur si princ, si shpëtimtar: Jezu Krishti. Asnjë bujtinë, asnjë shtëpi nuk ka gjetur vend për Marinë, në orët e fundit të shtatzanisë së saj. Sivjet, foshnja Jezus u bashkohet atyre që, në këto katër javë, po kalojnë ditën e natën nën një tend, jashtë shtëpisë së tyre. U bashkohet atyre që, atë natë të 26 nëntorit, në pak sekonda kanë humbur gjithçka, disa kanë humbur edhe jetën.
Në shpellën e Betlehemit shohim një çift shumë të varfër, që dëgjojnë dënesën e foshnjës së sapo lindur, atë dënesë që sot bashkohet me dënesën e atyre që, para katër javësh, nën rrënojat e ndërtesave të shembura nga termeti, kanë nxjerr trupin e pajetë të të afërmve të tyre.
Por heshtja e natës së lindjes së Jezusit u thye nga ëngjëjt që zbritën nga qielli duke kënduar si edhe nga barinjtë që shkuan me nxitim drejt shpellës dhe u bashkuan me Marinë e Jozefin.
Nata e 26 nëntorit ka qenë një tragjedi e madhe. Por ka qenë edhe rast që shumë njerëz, shqiptarë si edhe të huaj, të tregonin solidaritetin e tyre me ata që kanë humbur një ose më shumë persona të vdekur nën rrënoja, dhe me ata që kanë humbur shtëpinë. Ne, si Kishë Katolike, por jo vetëm ne, jemi duke ndihmuar shumë persona që po vuajnë pasojat e tërmetit. Sot, nga grazhdi, Jezusi fëmijë, i etur dhe lakuriq, na kujton fjalët që ai, si i rritur, na tha: “Pata uri, e më dhatë për të ngrënë, isha i zhveshur e më veshët”.
Ndoshta shumë prej jush ëndërroni të largoheni nga Shqipëria. Por ëndërroni më shumë të krijoni një Shqipëri më të mirë. Vlerësoni më shumë gjërat e bukura në këtë vend dhe tiparet e bukura që keni trashëguar si popull, ndër të cilat sot përmend veçanërisht solidaritetin që tregoni në rast fatkeqësie.
Nga grazhdi yt, o Jezus fëmijë, hidhe shikimin tënd mbi Shqipërinë. Dhe ne, të dashur vëllezër e motra, le të vendosim shpresën tonë në atë që, si i rritur, ka dhënë shëndet atje ku nuk kishte shpresë për shëndet. Ruaje, o Zot, Shqipërinë tonë.

 

23 dhjetor 2019, 16:55