Kërko

 Krishtlindje në Betlehem Krishtlindje në Betlehem 

Mesazhet e Krishtlindjes, nga Kishat e Jeruzalemit

“Kur ke Krishtin, i ke të gjitha”. Kjo, zemra e mesazhit të patriarkëve dhe krerëve të Kishave të Jeruzalemit, me rastin e Krishlindjes. Të jesh i krishterë, do të thotë të dhurosh jetë: këtë nënvizon imzot Pizzaballa, administrator apostolik i Patriarkatit latin të Jeruzalemit.

R. SH. - Vatikan

Përballë formave të shumënumërta të mëkatit, që e skllavërojnë natyrën tonë njerëzore - ndërmjet të cilave, lufta, padrejtësia, mënjanimi, shtypja, shkatërrimi e konsumi marramendës - Patriarkët dhe krerët e Kishave të Jeruzalemit, në mesazhin e tyre të Krishtlindjes kujtojnë se “kremtimi i lindjes së Krishtit është thirrje e përhershme shëlbimi, që na e dhuroi Zoti, duke e shndërruar çdo formë të së keqes e të mëkatit, në jetë të plotë e të përsosur!”.

Lindja e Jezusit, shpresë dhe jetë

“Jezu Krishti mori natyrë njerëzore për t’i sjellë mbarë botës shëlbimin dhe ringjalljen - lexohet në tekst. Me Veprën e tij shëlbuese, Jezusi e shndërroi botën mbarë”. Patriarkët dhe krerët e Kishave të Jeruzalemit nënvizojnë, më pas, se “si njeri, Jezusi e provoi natyrën tonë njerëzore, në mënyrë që ne të mund të shndërroheshim e të bëheshim të ngjashëm me Të”, duke shtuar se “i provoi edhe të gjitha mjerimet e kësaj bote: provoi sa e hidhur është të mos kesh strehë mbi kokë, lindi si refugjatët, iu desh, më pas, t’u bënte ballë kërcënimeve e, në fund të fundit, vdekjes më të tmerrshme, që mund të provojë njeriu”. Këtë fat ruajti për vete Krishti,  lindja e të cilit i solli njeriut shpresë e jetë.

Lutje për drejtësi

Në Mesazh lexojmë lutjen: “Krishtlindja e Shenjtë i sjelltë drejtësi të gjithë njerëzve”. Duke ofruar ndihmën dhe lutjet e tyre “për praninë e krishterë në Lindjen Mesme”, trembëdhjetë patriakët e krerët e Kishave të Jeruzalemit, nënshkrues të mesazhit, urojnë, së fundi, që kjo Krishtlindje   “t’u sjellë të gjitha kombeve lajme gazmore, që flasin për paqe, drejtësi, pajtim” e që princi i Paqes “ta shndërrojë  të keqen dhe mëkatin e botës sonë, në dritë  e plotni jete”.

Duke i bërë llogaritë me brishtësinë e jetës politike

Nga Patriarkati latin i Jeruzalemit i drejton botës mesazhin e tij edhe administratori apostolik i Tokës Shenjte, imzot Pierbattista Pizzaballa që, duke pasur mirë parasysh realitetin e kohës sonë, vëren se “as koha e Jezusit nuk ishte më e mirë se jona. Vendi ishte i pushtuar nga romakët. Sundohej nga Herodi. Kishte shumë qendra pushteti. E, në fund të fundit, duhet thënë edhe se njeriu ka ndryshuar pak e aspak, që nga ajo kohë e largët”. Sot - vijon të kujtojë imzot Pizzaballa - duhet t’i bëjmë llogaritë me  brishtësinë e jetës politike, gjithnjë më e largët nga jeta e përditshme e popullsisë e që, me sa duket, nuk është aspak në gjendje t’i përballojë sistematikisht problemet e pafundme shoqërore dhe ekonomike të rajonit tonë: “E vështirë është, në këto rrethana, të flasësh për perspektivat e çështjes izraelito-palestineze, që peshon rëndë mbi jetën e pjesës më të madhe të bashkësisë sonë”.

Duhet ndryshuar zemra e njeriut

Administratori Apostolik i Patriarkatit latin vëren se janë tepër të shumta propozimet dhe rrugëzgjidhjet e parealizuara. E ndonëse numri gjithnjë në rritje i shtegtarëve në Tokën Shenjte e ushqen ekonominë, në pjesën më të madhe të territorit të dioqezës, puna mbetet shqetësimi kryesor. “Shikojmë edhe ashpërsimin e kushteve të jetës së shumë punëtorëve të huaj dhe emigrantë - vë në dukje imzot Pizzaballa - Kështu ideja për të migruar bëhet tundim i përhershëm. E në këto kushte nuk është e lehtë të flasësh për shpresë. “Tingëllon si retorikë, larg realitetit  të vërtetë të tokës sonë”.  Po ne nuk duhet të dorëzohemi përballë gjithë këtyre trazirave - pohon akoma imzot Pizzaballa. - “Lindja e Krishtit nuk e pati shlyer asnjë dramë politike, shoqërore, ekonomike të kohës së Tij. Jezusi nuk erdhi për t’i revolucionarizuar strukturat shoqërore të kohës, nuk deshi të fitojë pushtetin, por zemrën e njeriut. E kështu, ia ndryshoi faqen botës”.

Të dhurosh jetë

Imzot Pizzaballa e përfundon mesazhin e tij duke iu drejtuar atyre që, megjithatë, “me dashuri, në heshtje e pa zhurmë, vijojnë edhe sot e kësaj dite ta dhurojnë jetën e tyre e zemrën e tyre, pa kërkuar asnjë shpërblim”: prindërve që, pa marrë parasysh asnjë vështirësi, kanë guximin ta shikojnë në sy të ardhmen e t’i mbushin plot me shpresa fëmijët; atyre, që shkrijnë jetën në spitale, në shtëpitë e pleqve, të njerëzve të gjymtuar; të rinjve, që vijojnë të ëndërrojnë një ardhmëri më të mirë; atyre, që punojnë për drejtësinë dhe dinjitetin e të gjithëve, priftërinjve, rregulltarëve e rregulltareve. Të gjithë atyre, që e kanë kuptuar se të jesh i krishterë, do të thotë të japësh jetën, të duash, papritur të të duan, pa kërkuar asgjë për vete, “sepse ke Krishtin, domethënë i ke të gjitha” - kujton administratori apostolik i Patriarkatit të Jeruzalemit. “Janë këta, shpresa e Kishës sonë. Në ta, këtu vijon të kremtohet Krishtlindja e vërtetë!”.

24 dhjetor 2019, 14:46