Kërko

James Alfred Miller James Alfred Miller 

Lumnohet Fratel James Miller, martir i edukimit

U lumnua sot, në Huehuetenango të Guatemalës, Fratel James Miller, i Vëllezërve të Shkollave të Krishtera. Është veriamerikani i parë i Kongregatës, që lartohet në nderimet e altarit, duke iu shtuar 160 martirëve, që hiri hyjnor u dhuroi lasalianëve. Në kremtimin e lumnimit, Papën e përfaqësoi kardinali panamez, José Luis Lacunza.

R. SH. - Vatikan

Të shumta kauzat, për të cilat mund të vdesësh e, në këtë drejtim,  martirët janë të privilegjuar: gati për çdo flijim, japin edhe jetën  për çka kanë më të çmuar: besimin në Zotin! Fratel James Miller, vrarë nga skuadrat e vdekjes në Guatemala, në vitin 1982, kishte edhe diçka tjetër shumë të çmuar: të  rinjtë e tij, ata më të varfërit, të cilëve u jepte mësim çdo ditë e edhe çdo natë, duke i mësuar si duhet nxënë! U bë kështu dëshmitar e shembull për çdo edukator - siç nënvizoi kardinali Lacunza i cili, në homelinë e lumnimit, theksoi:

“Edukatori katolik është si fara, që heret a vonë e jep frytin e vet. Një edukator i mirë katolik vë bazat për një personalitet të fuqishëm e një fe të jetuar me guxim e vendosmëri. Ai u mëson të rinjve të arsyetojnë me kokën e tyre e të marrin vendime koherente me fenë e tyre, siç bëri Lasaliani martir, duke qëndruar pranë nxënësve të vet deri në fund të fundit”.

Kush ishte “Leo William”

Me origjinë nga një shtet i vogël në rajonin e Liqeneve të Mëdha, James u takua me Vëllezërit e Shkollave të Krishtera në vitin 1955, kur u shkrua në shkollën e Steven Point, kushtuar Piut XII i cili, pak vjet më përpara, e pati shpallur shenjt themeluesin, Giovanni Battista de la Salle. Këtu ndjeu zërin e Zotit, që e  thirri. E ai iu përgjigj duke nisur, në vitin 1962, noviciatin e, për t’u zhveshur plotësisht nga jeta e mëparshme, sipas zakonit të kohës, shfuqizuar për arsye praktike në vitin 1965 – ndërroi edhe emrin e u ripagëzua me emrin rregulltar Leo William. Kushteve rregulltare, u shtoi edhe dy të tjera, karakteristike për Vëllezërit lasalianë: mësim falas për të varfërit dhe besnikëri ndaj institutit. U bë kështu gati për detyrën e tij të parë: zëvendësimin e një sivëllai të sëmurë. Burrë i fuqishëm, i pashëm, shtatlartë, gjithnjë buzagaz, më shumë se me fjalë të ëmbla, e fiton menjëherë simpatinë e nxënësve me shembullin e tij. Si zbret nga katedra, në përfundim të orëve të mësimit, nuk i përbuz as punët më të përvuajtura, si për shembull, larjen e dyshemeve e pastrimin e shërbimeve higjienike. Profesori shndërrohet sakaq në shërbyes, për t’u rikthyer pranë librave e, sidomos, pranë altarit.

Mësimi i tij i fundit: martirizimi

Qendra e parë e Kongregatës në Amerikën Qëndrore nis veprimtarinë në fillim të shekullit XIX, në Nikaragua, ku shumë shpejt ndizen trazirat. Pikërisht këtu dërgohet Vëllai James, në vitin 1969. Ishin vitet kur Kongregata bënte hapa vigane në formimin shkollor të nevojtarëve, duke arritur t’u  krijonte kushte për kryerjen e shkollave të larta e t’i pajiste me diploma dygjuhëshe. Kështu, në hapat e para. Po shumë shpejt situata në Nikaragua u bë tejet e vështirë. Revolucionarët nisën t’i shikojnë misionarët katolikë me sy të shtrembër, si armiq të popullit. Vëllai James atëhere u detyrua  të largohet e të kalojë një vit në fermën e prindërve, në SHBA. Me trup është aty, po me mendje, gjithnjë në vendin e misionit: në Amerikën Qëndrore, ndërmjet indianëve. E sapo situata përmirësohet, ngarend përsëri mes nxënësve të vet, në Kolegjin indigjen të Huehuetenango. Por edhe këtu fillon shumë shpejt persekutimi i heshtur  kundër rregulltarëve katolikë, që  nisën të shikoheshin si fajtorë, vetëm pse mbronin të varfërit e u hapnin rrugën e dijes shumë të rinjve maya. Shpejt nisën edhe kërcënimet. E më pas, edhe goditjet e skuadroneve të vdekjes. Pavarësisht nga rreziku konkret, këtë herë vëllai James nuk u largua nga vendi i tij i misionit. E këtu jep edhe Mësimin e tij të fundit.

Mësimi i fundit i Vëllait James: martirizimi

Ishte data 13 shkurt 1982, pasdite. Si gjithnjë, Vëllai James, pasi kreu mësimin në klasë, nisi punët e tij të zakonshme në ndihmë të kolegjit. Atë ditë nisi të ndreqë një dritë në fasadë, sepse të nesërmen të rinjtë  do të organizonin një festë me maska. Hipi, prandaj, në një shkallë e nisi punën. Pikërisht aty e qëlluan vrasësit, duke besuar se shpëtuan prej tij. Po koha tregoi se i kishin bërë keq hesapet me karizmën lasaliane e, aq më shumë, me madhështinë e martirëve. Nuk e dinin se martirët vijojnë të flasin edhe pas vdekjes, madje, më shumë pas vdekjes, sesa më të gjallë.  E vërteton Vëllai James, që vijon t’u flasë edhe sot të rinjve, duke i ftuar ta dëgjojnë zërin e shpirtit të tyre, zërin e Zotit, shpesh të mbytur nga mijëra zëra të tjera, që nuk pushojnë kurrë rreth nesh, është shembull për ne të gjithë:

“Na mëson të shkëputemi nga moria aparateve, që na shoqërojnë në të përditshmen tonë, për ‘t’u rilidhur” me zërin e Zotit e për ta dëgjuar, kështu, më qartë, thirrjen, që i drejton secilit prej nesh”.

07 dhjetor 2019, 15:31