Kërko

Beata Vergine Maria Beata Vergine Maria 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të festës së Zojës së Papërlyer

Ajo ‘po’ e Marisë, ajo ‘po’ evashës së Nazaretit, dhënë kumtit, që i solli engjëlli nga qielli, më mbush me besim. Në një histori, që për sytë njerëzorë duket krejt pa rrugëdalje, shohim rikthimin e amshuar në horizontin e historisë. Një ‘po’ hap portat e qiellit. Rilind, atëherë, shpresa e fortë, falë një Vashe të përvuajtur e të thjeshtë.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, së kësaj radhe, me këtë të Diele hyjmë në javën II të Kohës liturgjike të Ardhjes, ciklit të parë, e këtë vit, e Diela e Dytë e Ardhjes ia le vendin festës së bukur të Zojës së Papërlyer, kremtim që na hap portat e madhështisë së Zotit. Në fillim të Kohës shpirtërore të Ardhjes, gjatë përgatitjes sonë për Krishtlindje, Kisha na fton të kundrojmë misterin e Marisë së zënë pa mëkat të rrjedhshëm. Maria na mëson të besojmë, të shpresojmë e të duam së bashku me Zotin, na e trego rrugën që çon drejt paqes, rrugën drejt mbretërisë së Jezusit.

Festa e Zojës së Papërlyer  na kujton se Hiri është më i madh se mëkati dhe mëshira e Zotit, më e fuqishme se e keqja: këtë, pra,  na  kujton Fjala e Zotit e kësaj feste të  të Zënit pa mëkat të Zojës së Bekuar. “Gëzoju, Hirplote, Zoti është me ty” i thotë Engjëlli Gabriel Virgjërës, duke na zbuluar kështu identitetin më thellë të Marisë, na kujton Ungjilli nga Luka i kësaj së kremte. Shprehja “Hirplote”, që ka kuptimin ‘përplot me dashurinë e Zotit’, na shpjegon edhe misterin e Zënies pa mëkat të Marisë, shenjë që tregon se Zoti, mbi të gjitha gratë, zgjodhi Marinë për të përmbushur planin e tij hyjnor. E zgjodhi për një mision të pashembullt: për të qenë Nënë e Birit të Tij, të bërë njeri e, si pasojë, e ruajti nga çdo mëkat i rrjedhshëm. Burim drite shpirtërore, shprese e ngushëllimi, ky mister.

Në mes të provave të jetës e sidomos, të kontradiktave, që provon njeriu në shpirtin e vet e rreth vetes, Maria, Nëna e Krishtit, na kujton se hiri është më i madh se mëkati; mëshira e Zotit, më e fuqishme se e keqja dhe se ajo di ta shndërrojë në të mirë. E keqja nuk është aspak e huaj për ne: dashur pa dashur, e takojmë çdo çast, na shfaqet me njëmijë mënyra e me njëmijë fytyra, në marrëdhëniet me të tjerët e në ngjarjet e përditshme, duke na kujtuar se rrënja e saj është në zemrën e njeriut, zemër e plagosur, e sëmurë, e paaftë për t’u shëruar vetë.

Në se në zanafillë të çdo së keqeje, është rebelimi kundër vullnetit të Zotit e vdekja merr në dorë sundimin, sepse liria njerëzore dorëzohet përballë tundimeve të Djallit, kjo nuk do të thotë se Zoti e ka harruar planin e tij të dashurisë e të jetës. Përmes rrugës së pajtimit Ai lidh një besë të re e të amshuar, të cilën e vulos me gjakun e Birit të vet të vetëm, që për t’u flijuar në shpërblim të mëkateve tona, “lindi nga gruaja”. Kjo grua, Virgjëra Mari, përfitoi e para nga vdekja shëlbuese e të Birit e, që nga zënia, u ruajt nga çdo njollë mëkati. Prandaj, me zemrën e saj të papërlyer, Ajo na thotë: besojini Jezusit, Ai do të na shpëtojë.

                                                       Liturgjia e Fjalës së Zotit

Nga leximi i librit të Zanafillës (Zan 3,9-15.20)
9 Pasi që Adami kishte ngrënë prej pemës, Zoti Hyj e thirri njeriun e i tha: “Ku je”? 10 Ky iu përgjigj: “Dëgjova zërin tënd në kopsht e u tremba, sepse jam lakuriq e u fsheha”. 11 Ai i tha: “Kush të tregoi se je lakuriq? A mos hëngre frutat nga pema prej së cilës të kam urdhëruar të mos hash”? 12
Njeriu u përgjigj: “Gruaja që ma dhe për shoqe, ajo më dha frut prej pemës dhe hëngra”. 13 Atëherë Zoti Hyj i tha gruas: “Pse e bëre këtë”? Gruaja u përgjigj: “Më gënjeu gjarpri dhe hëngra”.
14 Atëherë Zoti Hyj i tha gjarprit:
“Pasi e bëre këtë gjë
qofsh mallkuar ndër të gjitha bagëtitë
dhe kafshët e egra!
Do të ecësh përmbi barkun tënd
dhe do të hash pluhur në të gjitha ditët e jetës sate!
15 Armiqësi do të vë ndërmjet teje e gruas,
ndërmjet farës sate e farës së saj:
fara e saj do të ta ndrydhë kokën,
kurse ti do t’ia sulmosh themrën”.
20 Njeriu e quajti gruan e vet Evë, sepse ajo është nëna e të gjithë të gjallëve. Fjala e Zotit!

PSALMI 98 /97/ Zoti gjykatës i tokës
1 Psalm.
Këndoni Zotit një këngë të re,
sepse bëri vepra të mrekullueshme!
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,
me fuqi të krahut të vet të shenjtë.
2 Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,
përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.
3 I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet
kundrejt shtëpisë së Izraelit.
Të gjitha skajet e botës e panë
shëlbimin e Hyjit tonë.
4 Mbarë toka le t’i brohorisë Zotit,
le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.
5 Këndoni Zotit me harpë,
me tinguj veglash muzikore,
6 me trumbetë e me zë të pipëzës së bririt,
brohoritni para fytyrës së Zotit, Mbret!
7 Le të buçasë deti me ç’ka në të,
rruzulli me banuesit e tij;
8 lumenjtë le të duartrokasin
e malet le të gërthasin me hare,
9 para Zotit që po vjen për të gjykuar dheun.
Ai do ta gjykojë botën me drejtësi
e popujt me maturi.

Lexim nga Letra e shën Palit apostull drejtuar Efesianëve (Ef 1,3-6.11-12).
3 Qoftë bekuar Hyji.
Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,
i cili na bekoi
me çdo bekim shpirtëror
në qiell
në Krishtin.
4 Në Të na zgjodhi
para krijimit të botës
që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij
në dashuri.
5 Ai na parashënoi për vete
të jemi bij në shpirt
në saje të Jezu Krishtit
me pëlqimin e vullnetit të vet
6 për nder të lavdisë së hirit të tij
me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:
11 Në të edhe ne u bëmë trashëgimtarë
- të paracaktuar
me vendim të Atij
që vepron gjithçka sipas pëlqimit të vullnetit të vet -
12 të jemi në nder të lavdisë së tij
-ne që që më parë e vumë shpresën në Krishtin. Fjala e Zotit!

Nga Ungjilli shenjt sipas Lukës (Lk 1,26-38)
Lajmërimi i lindjes së Jezusit
26 Në të gjashtin muaj, Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, 27 te një virgjër, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari.
28 Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha:
“Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!”
29 Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje.
30 Por engjëlli i tha:
“Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!
31 Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të nxjerrësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. 32 Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij. 33 Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.”
34 Atëherë Maria i tha engjëllit:
“Si do të mund të ndodhë kjo, ndërsa unë jam virgjër?”
35 Engjëlli iu përgjigj:
“Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë - Biri i Hyjit. 36 Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. 37 Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!”
38 Atëherë Maria tha:
“Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!”
Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj. Fjala e Zotit.

06 dhjetor 2019, 17:41