Kërko

 Papa me imzot Pompilin dhe shoqërues të tjerë, në Greçio Papa me imzot Pompilin dhe shoqërues të tjerë, në Greçio 

Letra kushtuar Betlehemit. Imzot Pompili: Papa na fton ta përfytyrojmë e ta prekim Krishtlindjen

Ipeshkvi i Rietit, imzot Domenico Pompili, që e shoqëroi Papën Françesku gjatë vizitës në Shenjtëroren françeskane të Shpellës së Betlehemit edhe gjatë dorëzimit të Letrës apostolike “Admirabile signum”, pohon: “Papa na ndihmon të rigjejmë kuptimin e vërtetë të Krishtlindjes e të mos festojmë, pa të Festuarin”.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku me 1 dhjetorin e kaluar u rikthye në Greccio, për të vizituar Shpellën e Betlehemit e për t’u lutur aty ku, për herë të parë, Shenjti i Asizit, Françesku deshi ta rikrijonte ngjarjen e Lindjes së Krishtit. Aty Papa e nënshkroi edhe Letrën Apostolike “Admirabile signum” drejtuar gjithë besimtarëve.

Pasi e përshëndeti Papën Françesku, që largohej  drejt Romës nga eliporti rrëzë shkëmbit të Shenjtërores françeskane të Shpellës së Betlehemit në Greccio, ipeshkvi i Rietit, imzot Domenico Pompili komentoi, për Vatikan News, Letrën apostolike “Admirabile signum”, kushtuar vlerës së Betlehemit, të cilën Papa ia kishte dorëzuar pak më përpara popullit të Zotit.  Imzot Domenico Pompili thotë:

“Besoj se është thirrje  për ta vlerësuar imagjinatën. E kundërta e fesë nuk është arsyeja, por mungesa e imagjinatës, domethënë, paaftësia për ta bërë  të pranishme gjithçka ndodhi në jetën e Jezusit. Pa këtë, feja bëhet krejt abstrakte, nuk jetohet konkretisht. E Shpella e Betlehemit, që paraqet ngjarjen më të madhe të historisë, na ndihmon, ndërsa e sodisim, ta ndjejmë në shpirt e ta prekim me dorë këtë ngjarje, domethënë, ta kuptojmë thellësiht misterin e Krishtlindjes, Mishërimin e Birit të Zotit. që është zemra e krishterimit”.

Papa përdor fjalë prekëse për vlerën e Shpellës së Betlehemit. E quan Ungjill i gjallë, që flet për dashurinë e Zotit e që na edukon ta kundrojmë Jezusin. Pra, na kërkon të mos e shikojmë thjesht si zakon devocional, kushtuar vetëm fëmijëve?

“Absolutisht. Nëse feja nuk arrin  në nivelin e imagjinatës, nuk të hyn në shpirt. E, besoj se Shën Françesku ishte njeri me imagjinatë tejet moderne. Me Shpellën e tij të Betlehemit, i parapriu edhe Shën Injacit të Lojolës, që na la trashëgim përfytyrimin e viseve ku jetoi Jezusi. E kjo është çështje që e shoqëron sot ungjillëzimin, sepse po të mos arrijë t’i prekë zemrat e njerëzve, e jo vetëm mendjen, feja nuk prek pikën nevralgjike të njeriut”.

Është e vërtetë se në shumë shtëpi të krishtera po humbet tradita e Shpellës së Betlehemit për Krishtlindje, prandaj ka shumë rëndësi që Papa fton për ta rizbuluar, duke na shpjeguar edhe pse nuk duhet ta lëmë kurrë në harresë këtë traditë kaq mahnitëse…

“Prej disa dhjetra vitesh vërehet përpjekja për ta rishpikur domethënien e Krishtlindjes, për ta shndërruar në diçka të vagëlluar, duke e zbehur, për të mos thënë duke e harruar atë, që është  zemra e festës, domethënë  lindjen e Krishtit Fëmijë. Madje janë bërë përpjekje për ta shndërruar Foshnjën Hyjnore në Plakun e Viti të Ri. Nga jeta që lind, kalohet te jeta që perëndon, nga Foshnja - tek plaku, që  i merren këmbët. E ky deformim i Krishtlindjes, na kujton se duhet të rikthehemi tek Misteri i Këshndellave. Letra e Papës ka pikërisht këtë detyrë: na ndihmon të rigjejmë kuptimin e mirëfilltë  të Krishlindjes e të mos bëjmë festë, pa të Festuarin”.

Shpella e Betlehemit është shpikje e Shën Françeskut. E duke e soditur,  Papa nënvizon gëzimin e patregueshëm, që i pati mbushur të gjithë ata, të cilët e panë  Shpellën e parë të Betlehemit, e edhe bukurinë  e fesë sonë, të ripropozuar me thjeshtësi. Ju duket e rëndësishme kjo?

“Po, sepse gëzimi shpërthen gjithnjë nga kundrimi i lindjes së një fëmije, aq më tepër kur fëmija është i Biri i Zotit, e do të thosha se në këtë rast  gëzimi është reagimi më i nevojshëm për brezinë tonë të kapërthyer nga frika e ankthi, gjë që shpesh e bën të harrojë kundrimin e bukurisë së jetës, të cilën e shikojmë gjithë shkëlqim në Krishtlindje”.

05 dhjetor 2019, 13:28