Kërko

Vatican News
 Natività Gesù Bambino, Adorazione dei pastori Natività Gesù Bambino, Adorazione dei pastori 

Krishtlindja nuk është tregti dhuratash, por dhuratë e Zotit për njeriun

Krishtlindja është festa universale e gëzimit, kriza e sotme ekonomike mund të ndihmojë për ta pastruar nga koret konsumistike e materialistike, të cilat shpesh e maskojnë, e për ta rizbuluar në gjithë vërtetësinë e saj, si dhuratë shprese që i bën Zoti botës.

R.SH.- Vatikan

Krishtlindja është festa universale e gëzimit, kriza e sotme ekonomike mund të ndihmojë për ta pastruar nga koret konsumistike e materialistike, të cilat shpesh e maskojnë, e për ta rizbuluar në gjithë vërtetësinë e saj, si dhuratë shprese që i bën Zoti botës. Nuk mund të mos kujtojmë në mënyrë të veçantë fëmijët e varfër të mbarë botës, që kalojnë periudha të vështira dhe ftesën drejtuar çdo familje ta ruajë e ta pasurojë traditën e Shpellave të Betlehemit.

Krishtlindja i flet zemrës. Edhe zemrës së njerëzve që nuk besojnë, por që nuk mund të mos ndjejnë, në këtë periudhë ‘diçka të jashtëzakonshme e të mbinatyrshme, sepse ardhja e një fëmije, që na pushton ndër krahë, nuk mund të mos jetë ngjarje tejet gazmore. Fjalët me të cilat Kisha na shoqëron gjatë Krishtlindjes, janë një himn për dashurinë që u ngjall të gjithëve Jezu Krishti Fëmijë në Shpellën e Betlehemit. E, me që Krishtlindja është festë e lindjes së një Fëmije, bëhet edhe festë që këndon dhuratën e jetës. Por vizioni që krijon Krishti për vetveten në mjerimin e grazhdit e nxit Kishën të japë edhe mendime tjera, urgjente e aktuale.

Duke e kundruar në Shpellën e Betlehemit, si mund të mos mendojmë për shumë fëmijë, që edhe sot e kësaj dite dalin në dritë në mes një varfërie të madhe, në të katër anët e botës? Si mund të mos mendojmë për të posalindurit, që nuk duhen, që flaken, për ata që vdesin pa lindur mirë për shkak të mungesës së ilaçeve e të kujdesit? Si të mos mendojmë edhe për familjet, që dëshirojnë me gjithë zemër gëzimin e një fëmije e nuk arrijnë ta realizojnë kurrë këtë ëndërr?.

Në atmosferën e konsumizmit, që e shtyn njeriun të kërkojë vetëm kënaqësitë, për fat të keq, Krishtlindja rrezikon ta humbasë domethënien e vet shpirtërore, për t’u kufizuar në treg për shitblerje dhe shkëmbim dhuratash. Megjithatë, vështirësitë e paqartësitë e vetë krizës ekonomike, që po jetojnë këto ditë shumë familje e që prek mbarë njerëzimin, mund të jenë nxitje për të rizbuluar ngrohtësinë e thjeshtësisë, të miqësisë, të solidaritetit, vlera tipike të Krishtlindjes. E pastruar nga koret konsumistike e materialistike, Krishtlindja mund të bëhet, kështu, rast për ta pranuar, si dhuratë personale, lajmin e shpresës, që buron nga misteri i lindjes së Krishtit.

Nuk lind ndonjë ‘personalitet i shquar’.
 Për Kërshëndella –  le të theksojmë me forcë – nuk përkujtohet në mënyrë abstrakte misteri i lindjes së njeriut, e aq më pak festohet ‘fillimi i stinës së re’. Përkundrazi, pasuria biblike e liturgjisë së Krishtlindjes, na tregon kuptimin e Mishërimit të Jezusit. Kështu, në Krishtlindje kujtojmë diçka tepër konkrete e të rëndësishme për njerëzit, diçka që është themelore për fenë e krishterë, një të vërtetë që Shën Gjoni e përmbledh në shprehjen: “ E Fjala u bë njeri!.

Krishti Fëmijë bëhet histori,
 siç e dëshmon Shën Luka. Është ‘Vetje’, që interesohet për çdo njeri, është… Një Hyj i mirë, që nuk duhet ngatërruar me ndonjë qenie tjetër të lartë e të largët, tek e cila nuk mund të arrihet kurrë, por një Zot që u bë i afërmi ynë, që e kemi fare pranë, që ka kohë për secilin nga ne e që erdhi të rrijë me ne.

Përballë gjithë kësaj mrekullie, e cila ndokujt, për të mos thënë të gjithëve, mund t’i duket tepër e bukur për të qenë e vërtetë, aq sa të mendojë në se është gjë e denjë për Hyjin ‘të bëhet foshnjë’, Kisha i fton të gjithë të ‘ulin’ kokën përballë madhështisë së misterit, të cilin mendja e kufizuar njerëzore nuk arrin ta kuptojë.

Në Shpellën e Betlehemit,  Hyji duket para nesh si foshnjë e përvujtë, për të mundur krenarinë tonë. Ndoshta do të dorëzoheshim më lehtë përballë pushtetit, përballë dijes; po Ai nuk dëshiron që ne të dorëzohemi; ai i bën thirrje zemrës sonë e pret të marrim lirisht vendimin për ta pranuar dashurinë e tij. U bë i vogël, për të na çliruar nga pretendimi i madhështisë, që buron nga mendjemadhësia; u mishërua lirisht, për të na bërë ne të lirë, të lirë për ta dashur.

Këtë na kujtojmë edhe disa nga meloditë tradicionale të Krishtlindjes. Tingujt e instrumenteve të këngëve të Krishtlindjes, që dëgjojmë e këndojmë gjatë kësaj feste e në këtë periudhë, të jenë edhe një porosi për gjithë të krishterët, kudo në botë, për të kundruar në Shpellën e Betlehemit, në familje, ngjarjen e Mishërimit të Zotit në Jezusin Foshnje – Emanuelin Zotin me ne.

16 dhjetor 2019, 15:07