Në burg Në burg 

Krishtlindja, në vepra proze shqipe. Dom Simon Jubani: “Krishtlindje në birucë të burgut”

Një faqe tjetër nga letërsia shqipe kushtuar Krishtlindjes. Autori është prifti i mirënjohur Dom Simon Jubani.

R. SH. - Vatikan

Një faqe tjetër nga letërsia shqipe kushtuar Krishtlindjes. Autori është prifti i mirënjohur Dom Simon Jubani (08.03. 1927-12.07.2011), që kremtoi Meshën e parë, kur nuk kishte marrë ende fund persekutimi i të krishterëve në Shqipëri. I lindur në Shkodër më 8 mars 1927; në seminar për prift më 1943; në elter më 1958; në birucë më 1963 deri më 1989, 26 vjet, Don Simoni, vdekur në Shkodër, më 12 korrik 2011, e përshkruan jetën e tij në veprën “Burgjet e mia” (Romë 2001). Pikërisht nga kjo vepër e zgjodhëm këtë fragment. Titullohet “Krishtlindje në birucë të burgut”:   

 

“Ateistat  bajnë sikur nuk besojnë. Madje thonë se primare asht materia, kurse ideja asht sekondare. Nuk çuditem aspak! As që mund të thonë ndryshe, përderisa ata xjerrin fjalën ma parë, mandej mendojnë; bajnë krimin përpara e mandej kuptojnë se kanë gabue. Prandaj shumkujt i ka ardhë falja mbasi ishte varë, ishte pushkatue ose kishte dekë prej torturave shtazarake. Mandej, me të mendueme, për t'u tallë me familjen, të dekunit, zhdukë me kulm e temel, për shpërblim, i naltohej një monument. Monument me litar në grykë!

Unë jam arrestue nja dhetë herë e gjithnjë ndër çaste ose data kritike. Ishte metodë e përdorun për me ba përshtypje si te viktima, ashtu edhe te familja e te rrethi shoqnor, sepse diktatorat, kudo e kurdoherë, janë autokratë e s'bajnë tjetër, veçse me shtue numrin e anmiqve. Kështu ka ndodhë dje, kështu e hiç ma pak po ndodh edhe sot, kur të gjitha shtetet e botës janë kapërthye prej një marimange, që qëndron në mjedis të rretës, gadi me i këcye sypri atij shtet që nuk i bindet.

Kujtoj arrestimin e  tretë. Ma banë vetëm tri ditë para se të mbushëshe dhetë vjetët e para të dënimit. Isha plot me gëzim në ato çase, besojshe se kishin marrë fund vuejtjet e birucave, se më kishte ardhë ora me u kthye në shtëpi ku, në mos tjetër, mund të shkojshe si njeri në nevojtore. Shi atëherë, kur u përkundshe në këto andrra të bukura, më thirrën… Pështova! - këndoi një za mbrenda meje. U nisa fluturim! Drejt lirisë? Jo, more zotni. Prej dhomës së përbashkët - në kokërr të birucës me myk e lagështinë, pa tesha fjetje, pa dyshekun me kashtë, që së paku m'i mbronte brijtë nga çimentoja, në shoqni me mijtë e birucave, që gjithsesi ishin ma fisnikë se spijujtë, hetuesët, policët. Shamje, fyemje e shamatë, në vend të përqafimeve të njerëzve të familjes. Më pritëte përsëri batanija e qelbun e birucës, që më shkaktonte një neveri të padurueshme. Po kur lagështina m'i brente eshtënt, harrojshe erën e saj të keqe, kandrrat që shëtitshin lirisht ndërmjet palave e u pështillshe krejt me lëkurë morri.  Po njeriu që beson asht i fortë. E din se aty ku forcat tona mbarojnë, aty duket dora e Zotit,  që të mbron prej të keqit, kur shpreson në Të. Ndërsa pritshe me ra në disprimin ma të pashpresë, në buzë më vinte lutja, e disprimi zhdukej.

Një herë më arrestuen natën e Krishtlindjes. Menduen se ma në fund do të më mposhtëte disprimi. Po Zoti më erdh ma pranë se kurrë: ma shndërroi birucën në Shpellë Betlemi e më dha hirin me e kremtue aty Meshën Shenjte. E ashtu si Shpella dymijë vjet ma parë, biruca u mbush me dritë, sepse unë isha aty pikërisht për Atë që vinte përsëri mes nesh atë natë të acartë. Mbi kashtë, si unë! Si unë tue u dridhë. Si unë në shoqni të shtazëve!  

Po kur Zoti ishte i pranishëm, biruca sikur shkëputej nga kjo botë, që për mue ishte ba ferr. Atëherë më vijshin mendime, që po t'i kisha shkrue aty për aty, do të kisha realizue një libër të çuditshëm, të pashkruem ndonjë herë. Po aty ku isha, shkruhej me shkrojla gjaku.

Njerëzit si unë, pra, e kishin ma të lehtë ta përballojshin arrestimin psikologjik. Po kishte edhe të tjerë. Madje miq të partisë e deri anëtarë e udhëheqës të saj, që flakeshin në birucë në çastet ma të çuditshme. Dy tri ditë para se të niseshin për jashtë shteti, për shembull. Sa ma mik i partisë të ishte njeriu, aq ma shumë peshonte mbi të arrestimi, sepse duhej shkatërrue shpirtënisht, duhej demoralizue, duhej dërmue fizikisht e shpirtnisht, që kur t'i nënshtrohej hetuesisë, të dorëzohej pa kushte, ta hupte gjithçka njerëzore: personalitet, dinjitet e seriozitet, t'i shkatërrohej gjithçka, veç fantazisë. E kjo e fundit duhej të punonte vetëm në një drejtim: me shpikë prej mendje gjithfarë grupazhesh e komplotesh, të pakenuna, që i këcënoheshin partisë, tue i dhanë asaj të drejtën e ligjshme me u ba ballë anmiqve, don me thanë, me mbushë burgjet e vorrezat.

Në fillim meshtarët i torturojshin për dekë, me qëllim që të nxirshin edhe rrëfimin. Kujtojshin, qyqarët, se meshtari asht i pari që i merr vesht krimet, të cilat ndodhin nëpër botë e nuk e dijshin se njeriu i elterit asht i fundit që intresohet për këto punë e, edhe kur i duhet me i ndigjue në rrëfyestore e me i zgjidhë, i harron menjëherë mbrapa e nuk i bje ma në mend për to, edhe kur takohet ballëpërballë  me njeriun që ia ka shprazë zemrën ashtu si i shprazet veç Zotit, të cilit nuk mund t'i mshehet kurrgja.

Gjithsesi njeriu mësohet me gjithçka, si me rahati e komoditet, ashtu edhe me mungesat ma fillestare, si asht për shembull, mungesa e nevojtores dhe detyrimi me u ulë në banjo me komandë, të gjithë së bashkut,  si pulat në shkop kur shkojnë me fjetë. Ose detyrimi me u shtri në rresht, pranë e pranë njerëzve me gjithfarë sëmundjesh, fryma e qelbun e të cilëve të përplaset pa mëshirë në hundë e në gojë e, ndërsa ma në fund të kotullon gjumi, e ndjen se si përlasesh për tjetrin, që shtrëngohet mbas tejet në makthin e natës së burgut”.

27 dhjetor 2019, 13:27