Kërko

Christmas lights in Berlin Christmas lights in Berlin 

Koha e Ardhjes na kujton udhën drejt Hyjit Atë

Koha e Ardhjes vjen secilin vit për të na kujtuar këtë gjë, që jeta jonë ta gjej drejtimin e duhur, drejt fytyrës së Hyjit. Jo drejt fytyrës së një «zotëruesi», por drejt fytyrës së Atit dhe Mikut.

R.SH. - Vatikan

Të dashur miq të Radio Vatikanit – Vatican News, kaluan gati katër javë që kur, së bashku me mbarë Kishën, filluam Vitin e Ri liturgjik, filluam Kohën e Ardhjes e me të një udhëtim të ri në fe. Koha e Ardhjes është një kohë e mrekullueshme në të cilën në zemra rizgjohet pritja e kthimit të Jezu Krishtit dhe kujtimi i ardhjes së Tij të parë, kur u zhvesh nga lavdia hyjnore për ta marr mishin e natyrën tonë të vdekshme. 

«Rrini zgjuar!» Kjo është kërkesa e Jezusit në Ungjillin e Mateut, që ju drejton jo vetëm apostujve, por të gjithëve: «Rrini zgjuar!» (Mt 13, 37). Kjo është  thirrja jetëdhënëse e cila na kujton se jeta nuk është vetëm përmasë tokësore, por është projektuar drejt një «përtej», si një bimë që lulëzon në tokë dhe hapet drejt qiellit. Një bimë që mendon, njeriu, i pajisur me liri dhe përgjegjësi, prandaj secili prej nesh një ditë do të ftohet për të dhënë llogari para Zotit si ka jetuar, si i ka përdorur aftësitë e veta: a i mbajti për vete ose i bëri të frytshme edhe për të mirën e vëllezërve. 

Edhe Isaia, profeti i Ardhjes, na bënë të meditojmë me një lutje të madhe që ia drejton Hyjit në emër të popullit. Ai i njeh mëkatet e njerëzve, dhe në njëfarë pike thotë: «S'është asnjë që e thërret emrin tënd, që të zgjohet e të mbështetet në ty, sepse e fshehe prej nesh fytyrën tënde dhe na lëshove në dorë të keqbërësisë sonë.» (Is 64, 6). 

Si mos të na godas ky përshkrim? Duket se i paraqet disa dukuri të botës post-moderne: qytetet në të cilat zhvillohet jeta anonime dhe horizontale, prej të cilave dukët së Hyji është tërhequr dhe se në to mbeti njeriu si i vetmi zotërues, si të ishte ai krijuesi dhe regjisori i çdo gjëje: i ndërtimeve, punës, ekonomisë, transportit, shkencës, teknikës, të gjitha duket se varën nga njeriu. Prandaj shumë herë, në këtë botë që duket pothuajse e përsosur, ndodhin ngjarje tronditëse, ose në natyrë, ose në shoqëri, dhe ne mendojmë se Hyji është larguar, të themi ashtu, na ka braktisur , na lëshoi në duart tona.

Në të vërtetë, «Zotëruesi» i vërtetë i botës nuk është njeriu, por Hyji. Ungjilli thotë: «Prandaj: rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmje a në mesnatë, kur këndojnë gjelat apo në mëngjes - që, nëse vjen papritmas, të mos ju gjejë fjetur.» (Mk 13, 35-36). Koha e Ardhjes vjen secilin vit për të na kujtuar këtë gjë, që jeta jonë ta gjej drejtimin e duhur, drejt fytyrës së Hyjit. Jo drejt fytyrës së një «zotëruesi», por drejt fytyrës së Atit dhe Mikut. Më Virgjërën Mari, që na drejton gjatë udhëtimit të Ardhjes, t’i përvetësojmë fjalët e profetit: «Megjithatë, ati ynë je, o Zot, jemi argjilë e ti je vorbëtari ynë, të gjithë jemi vepër e duarve të tua.» (Is 64, 7)

 

19 dhjetor 2019, 17:09