Imzot Rrok Gjonlleshaj Imzot Rrok Gjonlleshaj  

Imzot Rrok Gjonlleshaj: Krishtlindja është shkëmbim dhuratash ndërmjet Zotit e njerëzimit

Në Krishtlindje, fëmijë dhe të rritur, të varfër e të pasur, të gjithë jemi të thirrur të kundrojmë misterin e Dashurisë së Zotit, që kremtojmë. Krishtlindja është shkëmbim dhuratash ndërmjet Zotit e njerëzimit. Zoti ecën derë më derë edhe këtë Krishtlindje, duke trokitur në pritje për t'u pranuar nga njeriu.

R.SH. - Vatikan

Në Krishtlindje, fëmijë dhe të rritur, të varfër e të pasur, të gjithë jemi të thirrur të kundrojmë  misterin e Dashurisë së Zotit, që kremtojmë. Krishtlindja është shkëmbim dhuratash ndërmjet Zotit e njerëzimit. Zoti ecën derë më derë edhe këtë Krishtlindje, duke trokitur në pritje për t'u pranuar nga njeriu. Ta dëgjojmë mesazhin e Krishtlindjes nga kryeipeshkvi i Tivarit, Imzot Rrok Gjonlleshaj..

Ta dëgjojmë mesazhin e Krishtlindjes nga kryeipeshkvi i Tivarit, Imzot Rrok Gjonlleshaj

Ta dëgjojmë mesazhin e Krishtlindjes nga kryeipeshkvi i Tivarit, Imzot Rrok Gjonlleshaj..

Zoti vjen nga dashuria për ne, Ai na është dhuratë dhe dritë.

të dashur meshtarë, rregulltarë, rregulltare, të dashur vëllezër dhe motra, po kremtojmë Krishtlindjen – ardhjen e Zotit në mesin tonë. Më këtë të kremte kujtojmë ngjarjen historike, kur kjo është bërë festa më e dashur për të gjithë të krishterët. Krishtlindja është festë që e mahnit njeriun. E ka mahnitur para 2000 viteve, kur i ka bashkuar rreth Shpellës së varfër të gjithë njerëzit – nga barinjtë e deri të mbretërit. Para këtij misteri të veprimit të Zotit, edhe ne sot, fëmijë e të rritur, burra dhe gra, të varfër e të pasur, të shëndoshë e të sëmurë, jo pushtetar dhe pushtetarë..., jemi të mahnitur.

Të gjithë ne, me lutje dhe pendesë, me kujdes dhe dashuri jemi përgatitur për këtë festë dhe e kemi pritur. E falënderojmë Zotin! Por, për fat të keq, po duket se konsumizmi po provon, nga viti në vit të na e rrënoi Adventin –përgatitjen për festen e madhe të Krishtlindjes, dhe na ofron e na mbulon me shumë reklama, të cilat duan të na bindin se kremtimi i festave përbëhet vetëm nga blerja e dhuratave. Me siguri, nga ky ndikim, kemi menduar, me çfarë dhurata do tˋi gëzojmë të afërmit dhe të dashurit tanë. Duhet këtë ta bëjmë, sepse këto ditë të shenjta na thërrasin të dalim nga vetja jonë, të ofrohemi dhe të bashkohemi më familjarët tanë. Por, kuptimi i Krishtlindjes nuk është vetëm në dhurata. Na lypet të reflektojmë: a kemi planifikuar dhe vendosur: çfarë dhe cilën dhuratë do ia japim Foshnjës së posalindur?

Biri i Zotit, Jezusi i porsalindur, është në qendër të të gjitha Betlehemeve, të cilët për Krishtlindje, pothuajse të gjithë ata që e konsiderojnë veten besimtarë, i kanë ndërtuar në shtëpitë e veta, pranë bredhit. Ai na është dhuratë dhe dritë. Simbolin e Betlehemit dhe në te Familjen e Shenjtë, këtë vit e ka theksuar Papa Françesku në të dielën e parë të Ardhjes, më 1 dhjetor, në qytezën italiane Greccio – vend në të cilin shën Frani i Asizit e ka aktualizuar Betlehemin e parë të gjallë më 1223. – e ka dërguar letrën Apstolike Admirabile signum (Shenja e mrekullueshme) për kuptimin dhe rëndësinë e Betlehemit. Më këtë Papa e ka mbështetur këtë traditë të mirë dhe rregullimin e Betlehemit nëpër familje.

Në çfarëdo forme apo më çfarëdo teknike që rregullohen Betlehemit, ato na flasin për dashurinë e Zotit. Zoti është bërë foshnje e pafuqishme e varur nga të tjerët. Më këtë, Zoti na ka porositur, se është pran çdo qenie njerëzore. Më simbolin e Betlehemit e njohim porosinë e shpresës dhe të dashurisë. Nëpërmjet figurave në shpellën e vogël të Betlehemit ia paraqesim vetit atmosferën e krishtlindjes që të mundemi ta jetojmë misterin e lindjes së Shëlbuesit i cili erdhi në botë i shenjtë, i vogël, i thjeshtë dhe i përvujtë.

Prandaj, betlehemi na flet pa shumë fjalë. Vet skena na sfidon të veprojmë. Jezusi Foshnje, Biri i Zotit dhe Shëlbuesi ynë, na nxit të shfaqim dhe të dëshmojmë përulësi, butësi, mirësi dhe dashuri vëllazërore. Ne nuk mund të arrijmë këtë duke ndjekur zhurmën e mendimeve dhe veprimeve të botës së sotme të ngjeshur. Ne kemi nevojë për momente qetësie dhe lutjeje. Ne kemi nevojë për momente përqendrimi, të

vrojtojmë bukurinë e fytyrës së Jezusit foshnje të lindur në varfërinë e betlehemit, e i cili ende rrezaton dritë. Nëse këtë e arrijmë, do të jemi në gjendje ta falënderojmë dhe madhërojmë Zotin për dhuratën e dashurisë. Ne pastaj, do t'i mbajmë virtytet e Krishtlindjes - gëzimin, shpresën dhe besimin – për vete dhe për të gjithë ata që i kanë

humbur ato. Megjithatë, shumë për fat të keq, këto ditë të shenjta mbeten të shurdhër më ato gjëra, që shoqëria moderne na i ofron si synim të jetës dhe veprimtarisë në botë: paraja, pasuria, suksesi, karriera, hedonizmi,… Historia duket se po përsëritet vetë. Zoti ecën derë më derë edhe këtë Krishtlindje, duke trokitur në pritje per t'u pranuar nga njeriu. Por ata që e quajnë veten të Tijtë, janë shpesh të zënë me problemet e veta dhe nuk kanë kohë të ndalojnë dhe të lexojnë Fjalën e Zotit. Duke medituar mbi këtë Fjalë, e cila na nxit të presim zgjuar, zbulojmë se jeta është e shkurtër, ajo kalon shpejt, dhe se ne do të jemi në gjendje, në Përjetësi të sjellim më vete vetëm veprat e mira.

Në veprat e mira, ne në fakt sjellim Përjetësinë - Parajsën në tokë. Kjo është Krishtlindje: shfaqja e Zoti dashuri që na befason; përgatitja e zemrës që Zoti të ndajë me ne jetën e vërtetë – Vetveten; të lejojmë të jemi bujtinë, të lindë Zoti në mua, në ju, në të gjithë ne. Në të vërtetë, pa këtë besim, pa dashuri të ndërsjellët, respekt dhe shpresë tek Zoti, jeta familjare, jeta në bashkësi, por edhe jeta e secilit individ do të bëhet përplasje dhe makth. Me besim - fe dhe dashuri autentike do të ngrohën edhe zemrat më të ftohta dhe do të përgatisin hapësirën ku mund të lindë Zoti.

Të dashur vëllezër dhe motra, çfarë do ti japim e dhurojmë Jezusit të porsalindur? A duam, në këto Krishtlindje, në zemrat tona të përgatisim një bujtinë – grazhd – shpellë të përvujtërisë, përulësisë dhe thjeshtësisë? A do t’i japim Atij, në fund të këtij viti kalendarik, një gatishmëri për të qenë dëshmitarë të Tij autentikë? A jemi gati ti japim vetveten?

Ungjilli na tregon se Zoti u është zbuluar të vegjëlve. Të përjetosh lindjen e Jezusit do të thotë ashtu - të bëhesh i vogël dhe t’i afrohesh misterit të jashtëzakonshëm të Betlehemit të Krishtlindjes. Festimi i Krishtlindjes, pra, na bën thirrje të dallojmë thelbësoren nga jothelbsorja në jetë, d.m.th primaren nga ajo dytësorja. Prandaj, ne i kërkojmë Zotit me këmbëngulje qëndrueshmëri në këtë rrugë si dhe përmirësim në fe dhe dashuri. Të lutemi që të jemi të krishterë të ndershëm, të sinqertë dhe autentikë.

Në atë frymë, ju uroj një Krishtlindje të Gëzuar dhe një Vit të Ri të bekuar 2020!

 

Tivar, Krishtlindja 2019

 

+ Rrok Gjonlleshaj, Argjipeshkëv

24 dhjetor 2019, 14:11