Kërko

wroclawAEM.jpg

I afrohet kulmit Takimi evropian i të rinjve të Taizé-së në Poloni

15 mijë të rinj janë mbledhur që nga 28 dhjetori e deri më 1 janar në Wroclaw të Polonisë, që të luten për paqen e shpresën në Evropë. Në mikrofonin tonë, frère Marek.

R.SH. - Vatikan

Pak nga pak, po arrin kulmin Takimi i 42-të Evropian i të rinjve, organizuar nga Bashkësia Ekumenike ndërkombëtare e Taizé-së, këtë vit, në Wroclaw të Polonisë. Mijëra djem e vajza, nga të gjitha vendet e kontinentit, po përjetojnë ditë kushtuar lutjes, takimeve me Kishën vendase, debateve e reflektimeve, që synojnë ta nxisin Evropën drejt solidaritetit. Nesër, më 31 dhjetor, të gjithë do të mblidhen në qendrën e qytetit që të luten për paqen në botë e, sipas traditës, edhe të festojnë Vitin e Ri, së bashku me famullitë, ku bëjnë pjesë familjet, në të cilat janë strehuar. Më 1 janar, të rinjtë do të drekojnë së bashku me këto familje, që zakonisht, për miqtë e tyre të Taizé-së, gatuajnë pjata vërtet të veçanta, për t’u treguar cila është kultura e vendit edhe në kuzhinë.

Folëm telefonikisht me frère Marek, nga Bashkësia e Taizé-së, që ndodhet aktualisht në Wroclaw. Ta dëgjojmë:

         Që nga 26 dhjetori, kanë mbërritur këtu nga e gjithë Evropa, mijëra të rinj vullnetarë për të na ndihmuar të organizojmë takimin. Por në Wroclaw, i përgatitëm këto ditë sidomos me banorët e qytetit, me famullitë. Më shumë se njëqind famulli janë treguar të gatshme t’i mirëpresin të rinjtë e, ata janë strehuar të gjithë nëpër familje, në shtëpi. Është hera e tretë që ky qytet organizon takimin tonë evropian.

Cili është qëllimi i këtyre takimeve evropiane?

         Duam të krijojmë një hapësirë takimi, sepse të rinjtë sot kanë nevojë të diskutojnë, të flasin mbi gjëra të rëndësishme për të ardhmen, të ballafaqohen me përvojën e Kishës lokale dhe të kërkojnë në Ungjill përgjigjen për pyetjet e tyre. Këto takime kanë si bazë lutjen e përbashkët dhe takimin me Kishën lokale. Por, pastaj, ka edhe shumë mundësi për ballafaqime dhe shkëmbime.

Pika kulmore e Takimit do të jetë lutja e 31 dhjetorit. Por, çdo ditë ka çaste lutjeje dhe reflektimi të përbashkët…

         Janë rreth 15 mijë pjesëmarrës. 28 dhjetori ishte dita e mirëseardhjes, por që atë mbrëmje, filloi lutja e parë në një sallë të madhe. Edhe kishat në qendër të Wroclaw-it - i cili ka kisha të bukura dhe të mëdha - iu bashkuan lutjes tonë. Nga 29 dhjetori, çdo ditë ka një takim me të rinjtë në famullitë, ku strehohen. Takohen në grupe më të vogla, njihen me njëri-tjetrin, njihen me banorët e qytetit. Në mesditë, të gjithë shkojnë në qendrën e qytetit, ku propozojmë takime tematike, seminare të vërteta. Kemi zgjedhur 30 tema të ndryshme e aktuale dhe ka ekspertë, që i ndihmojnë të rinjtë për t’u thelluar në to. Tematikat kryesore përfshijnë katër fusha: shpirtërore, kishtare, solidariteti dhe shoqëria, arti dhe feja. Çdo mbrëmje, të rinjve u ofrohet një vakt i nxehtë, në një tendë të madhe të ndërtuar enkas e, më pas, në orën 19.00, të gjithë së bashku lutemi në këtë sallë jashtëzakonisht të madhe, në qendër të Wroclaw-it dhe në gjashtë kisha të ndryshme të qytetit.

         Në këtë çast historik, duket sikur po lëkundet bashkimi në Evropë, e cila nuk ka as dëshirë të zgjerohet më tej. Është hera e tretë, që mblidheni në Poloni. Cili është synimi? Ndoshta, dëshmia se uniteti është i mundur?

         Pikërisht kështu! Takimi është një fazë e re e shtegtimit të besimit, që Bashkësia e Taizé-së po vijon prej vitesh me të rinjtë. Çdo vit, të rinjtë marrin pjesë në këtë takim të madh, me synimin për të gjetur udhë besimi e pajtimi ndërmjet popujve, para së gjithash ndërmjet të krishterëve e, pastaj, edhe ndërmjet popujve, për të hapur kështu, shtigje të reja paqeje. Këtë vit, frère Alois, eprori ynë, shkroi një tekst me pesë propozime për të rinjtë, me titull: “Gjithmonë për udhë, kurrë pa rrënjë”. Udha është pikërisht ajo, që na çon drejt paqes, drejt pajtimit ndërmjet popujve.

30 dhjetor 2019, 15:01