Kërko

 Festa della sacra Famiglia,  Gesù, Giuseppe e Maria Festa della sacra Famiglia, Gesù, Giuseppe e Maria 

Kisha kremton Familjen Shenjte, model për të gjitha familjet

Familja e krishterë është e thirrur të japë shembullin e saj bindës, lidhur me mundësinë e një martese të jetuar plotësisht në përkim me planin e Zotit dhe me kërkesat e vërteta të njeriut: kujdesin e bashkëshortëve për njëri-tjetrin e sidomos për fëmijët. Familja e bashkuar, që ndjek këto parime, i kapërcen më lehtësisht provat e vështirësitë që ndesh në rrugën e saj e i ngjan Familjes Shenjte të Nazaretit.

R.SH. - Vatikan

Në këtë kohë të Krishtlindjes, Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Familjes së Shenjtë jehonë në një kornizë me të vërtetë magjepsëse, pranë Betlehemit, e pikërisht aty duket një shembull e model familjeje, së cilës nuk i ka kaluar aktualiteti e as moda që mëse 2 mijë vjet. E pikërisht tek ajo familje e Shenjtë e Nazaretit duhet t’i kthejnë sytë familjet e sotme sepse: Familja e Shenjtë e Nazaretit është vërtetë “prototipi” i çdo familjeje të krishterë, e cila, e bashkuar nëpërmjet Sakramentit të martesës dhe e ushqyer nga Fjala e Ungjillit e Eukaristia, është e thirrur të realizojë misionin e mrekullueshëm për të qenë qelizë e gjallë jo vetëm e shoqërisë, por edhe e Kishës, shenjë dhe mjet bashkimi për të gjithë njerëzimin.

Edhe vet Jezusi ka qenë një fëmijë që i ka dëgjuar prindërit, të cilët e kanë edukuar, para së gjithash, me shembullin e tyre. Pra prej tyre, prej kësaj Familje shembullore e të Shenjtë, Jezusi mësoi se si t’i bindej vullnetit të Zotit Atë, por edhe se lidhja shpirtërore vlen më shumë se sa lidhja e gjakut. Po të shohim Ungjijtë, nuk gjejmë fjalime mbi familjen, por një ngjarje, që vlen shumë më tepër se çdo fjalë:

Zoti deshi të lindë e të rritet në një familje njerëzore. Në këtë mënyrë e ka shuguruar e shenjtëruar si rrugë të parë e të zakonshme për takimin e tij me njerëzimin. Në jetën e kaluar në Nazaret, Jezusi e ka nderuar Virgjërën Mari dhe Jozefin e drejtë, duke mbetur nën autoritetin e tyre për gjithë kohën e fëmijërisë dhe të adoleshencës. Në këtë mënyrë ka vënë në dukje vlerën primare të familjes në edukimin e personit.

Të dashura familje, mos lejoni të ligështohen dashuria, dëshira për jetën dhe lidhjet e bukura e të pakrahasueshme, që bashkojnë familjet tuaja. Kërkoni vazhdimisht Zotit, lutuni Atij të bashkuar, që qëllimet tuaja të ndriçohen nga feja e të kaliten nga bekimi hyjnor në rrugën drejt shenjtërisë. 

Kështu, duke ndarë bashkë gjithçka me frymën e dashurisë, do t’i jepni botës një dëshmi të bukur, duke u treguar të gjithëve sa e rëndësishme është familja për njeriun e për mbarë shoqërinë. Kisha është përkrah jush, duke iu lutur në mënyrë të posaçme Zotin për të gjithë ata që, në çdo familje, kanë më shumë nevojë për shëndet, për punë, për dashuri, mirëkuptim, ngushëllim e shoqëri.

28 dhjetor 2019, 10:43