Kërko

 Giudizio Universale, Michelangelo Buonarroti, cappella sistina Giudizio Universale, Michelangelo Buonarroti, cappella sistina 

Eja Zot Jezus e përtërije jetën tonë

“Eja, Zot! Eja në mënyrën tënde, në mënyrën që di Ti. Eja atje ku ka padrejtësi e dhunë . Eja Zot Jezus e ndërroji padrejtësitë, që lëshojnë rrënjë në botë e në zemrat njerëzore!” .

R.SH. - Vatikan

Me një lutje të sinqertë e të thellë, drejtuar Krishtit, që mundi vdekjen, t’i lutemi që të vijë përsëri në botën tonë dhe t’i ndryshojë të gjitha situatat, të cilat flasin për drama e padrejtësi: situatën në Lindje tё Mesme, në zona tё prekura nga tërmeti nё Shqipëri, atё të indiferencës së njerëzve që e kanë harruar Krishtin e të atyre që nuk e njohin.

Shën Palit Apostull pёrmes Letrave tё tij, tё rëndësishme, na jep mёsime tё çmueshme, posaçërisht rreth Parusisё, apo Ardhjes sё dytë tё Krishtit. Shën Pali shkroi në Letrat e tij për kthimin e lumnueshëm të Krishtit në mbarim të kohëve.

Ardhja e dytë e Jezusit, na ngarkon me përgjegjësi si të krishterë, sepse duhet të punojmë e ta dëshmojmë Ungjillin e Tij në të sotmen e historisë. Por kjo nuk duhet tё na bëjë ta harrojmë dëshirën e zjarrtë karakteristike për fenë e krishterë, që shprehet në një lutje shumë të lashtë: “Maranà thà”, “Eja, Zot Jezus”.

Si të krishterë nuk lutemi që të marrë fund bota, por lutemi për ardhjen e Krishtit, në një botë ku ka padrejtësi e dhunë, ku ka njerëz qё vuajnë, ku ka refugjatë si nё vende të Afrikës e tё Lindjes sё Mesme, ku ka njerëz që drogohen e janё tё vetmuar, e të pasur që e harrojnë Zotin. Do tё na bënte, vërtet, mirë t’i lexonim Letrat e Shёn Palit, posaçërisht ato pjesë kushtuar jetës së pasosur, duke u nisur nga Letrat drejtuar Selanikasve, Filipianëve e Korintianëve.

A mund të lutemi edhe ne me fjalët e lutjes së lashtëMaranà thà”, “Eja, Zot Jezus”? Na duket se sot, në jetën tonë e në botën tonë, është vështirë të lutemi që të vijë fundi i kësaj bote, të vijë Jeruzalemi i ri, të vijë gjyqi i fundit e gjykatësi, Krishti. E mendojmë sinqerisht se nuk e marrim guximin të lutemi kështu për disa arsye: gjithsesi, në mënyrë të drejtë e korrekte edhe ne mund të lutemi, ashtu si të krishterët e parë, e të themi: “Eja, Jezus!”, gjë që nuk do të thotë se duam të vijë fundi i botës, por se duam të marrë fund kjo botë e padrejtë, duam që të ndryshojë në themel e në të të mbretërojë drejtësia e paqja, bashkëjetesa ndёrmjet njerёzve, pa dhunë e pa uri. Këtë dëshirojmë. Po si mund të arrihet e gjithë kjo, pa praninë e Krishtit? Pa praninë e Zotit nuk mund të kemi kurrë një botë të re e të drejtë prandaj, në rrethanat e kohës sonë, edhe ne duhet të themi, e me urgjencë të madhe.

“Eja, Zot! Eja në mënyrën tënde, në mënyrën që di Ti. Eja atje ku ka padrejtësi e dhunë. Eja në kampet e refugjatëve në vise tё ndryshme tё Afrikёs, në Lindje tё Mesme e në vise të tjera të botës. Eja atje ku sundon droga. Eja edhe ndërmjet të pasurve, që të kanë harruar, që jetojnë vetëm për vetveten. Eja atje ku je fare i panjohur. Eja e përtërije jetën tonë, zemrat tona! Eja në shpirtin tonë, që ne të bëhemi prania jote, drita jote. Në këtë kuptim lutemi me Shën Palin ‘maranà thà’, “Eja Zot Jezus”, e kërkojmë me gjithë zemër që Krishti të jetë vërtetë i pranishëm sot, që ta rinojë botën tonë!”. (Benedikti XVI 12.11.2008 ).

E mos ta kujtojmë edhe fragmentin ungjillor të talenteve, që besimtarët të mos harrojnë se Krishti është edhe gjykatës e se gjykatësi do të na pyesë një ditë: “Çfarë bëtë me talentet, që jua pata besuar?”. Prandaj pritja për kthimin e dytë të Jezusit, kërkon që të krishterët ta ndjejnë fort përgjegjësinë e tyre në e për këtë botë.

14 dhjetor 2019, 17:58