Kërko

 Lajmërimi i Zojës Lajmërimi i Zojës 

E Lumja Virgjëra Mari, e Zëna pa Mëkat

Kisha kremton, më 8 dhjetor, solemnitetin e Zojës së Zënë pa Mëkat: është e vërtetë feje, që na mëson se Maria e Nazaretit nuk u prek nga mëkati i rrjedhshëm që në çastin e parë të zënies së saj. Kjo dogmë u shpall nga Piu IX, në vitin 1854, me bulën “Ineffabilis Deus”

R. SH. - Vatikan

Kremtimi i Zojës së Zënë pa Mëkat radhitet në  Kohën e Ardhjes, sepse ka lidhje të ngushtë me solemnitetin e Krishtlindjes, me pritjen e lindjes së Mesisë. Ndonëse është festë e lashtë, kremtimi i saj  u shtri vonë në Kishën universale, vetëm pas shpalljes së dogmës të të Zënit të Marisë pa Mëkat,   nga Papa Piu IX, më 8 dhjetor 1854. Në vitet kur 8 dhjetori bie të diel, solemniteti zhvendoset më 9, me përjashtim të atyre vendeve, ku Kishat marrin autorizim të veçantë nga Kongregata për Kultin Hyjnor për ta kremtuar festën mariane në liturgjinë e së dielës.

Historia e Zojës së Papërlyer

Format e para të kultit të Zojës së Papërlyer nisën në Lindje, rreth shekujve VI e IX; ndërsa në Perëndim për këtë kult nisi të flitej ndërmjet shekujve XI e XIV. Dimë se festa nisi të kremtohej në Angli, më 8 dhjetor, që në shekullin XI. Por përhapja e saj në Evropë, e pastaj edhe në mbarë botën, hasi një mori vështirësish. Pas Anglisë, nisi të kremtohej në Francë. Në Paris, studentët e Normandisë e zgjodhën festën e së Papërlyerës, si festë  e Pajtores së universitetit e, më pas, nisën ta kremtojnë edhe kanonikët e Lionit. Por në Romë nuk po kremtohej akoma, siç na e dëshmon Toma i Akuinit, i cili flet për “tolerancën” e Romës, ndaj Kishave, që e kremtonin.

Vëshirësi teologjike

Po pse teologët e patën kaq të vështirë ta pranonin këtë Festë? Reagimi i tyre nuk ka të bëjë me shenjtërinë e padiskutueshme të Marisë, por me mbrojtjen e doktrinës së shëlbimit universal të Krishtit. Nëse pranohej zënia e papërlyer e Marisë - pohonin  disa teologë - ajo nuk do të kish pasur nevojë për shëlbim, prandaj Shëlbimi i Jezusit nuk do të shtrihej më  universalisht mbi të gjitha krijesat njerëzore. Si mund të zgjidhej kjo nyje?

Nyjen e zgjidhi një françeskan

Për ta zgjidhur nyjen do të mendonte një frat françeskan, Gjon Duns Scot, i cili në vitin 1307 përdori argumentin e “Shëlbimit mbrojtës”, sipas të cilit Maria, pikërisht përmes pushtetit të ndërmjetësimit të Jezusit, u mbrojt nga mëkati i rrjedhshëm. Kështu universaliteti  i Shëlbimit, i siguruar nga Krishti, mbetej i pacënuar. Prej këndej, çasti i parë historik i Marisë, është edhe çasti i parë i hirit, sepse në historinë e shëlbimit, Maria përfaqëson një fillesë të re e Shëlbuesi nuk mund të vinte ndryshe në botë, përveçse përmes një barku të Shenjtë e të Papërlyer që nga zanafilla. Njërën nga provat që sillte frati, për të mbështetur tezën e vet,  ai e mori pikërisht nga Ungjilli: “Kur Engjëlli i kumton Marisë amësinë e saj të ardhshme, e përshëndet me epitetin “Hirplote”. Rrugëzgjidhja e françeskanit do të ishte themelore, për të arritur tek dogma. Që më 1325 Papa Gjoni XXI e kremtonte solemnitetin më 8 dhjetor, në Avignone; Siksti V, në vitin 1480, miratoi oficen e festës.

Dukjet mariane dhe homazhi i Papës

Kuptimplote, pastaj, janë dukjet mariane në Rue de Bac të Parisit dhe në Lurdë. Këtu, më 1858, Maria iu duk vegimtares Bernardetë, së cilës iu paraqit si “E Zëna pa Mëkat”. Më parë akoma, në vitin 1830, Catherine Labouré, novice në manastrin e Rue de Bac, nisi të lutet me fjalët e diktuara  drejtpërdrejt nga Virgjëra: “O Mari, e  zënë pa mëkat, lutu për ne, që kërkojmë ndihmën Tënde”. Më 8 shtator 1857, me dogmën e posa dekretuar, Piu IX përuroi, në Romë, monumentin e Zojës së Papërlyer, në Sheshin Mignanelli, pranë Sheshit të Spanjës. Pothuajse një shekull më pas, Piu XII nisi të dërgojë çdo 8 dhjetor një tufë lulesh për t’u vendosur tek këmbët e monumetit, ndërsa pasardhësi i tij, Gjoni XXIII, më 8 dhjetor 1958 doli për herë të parë nga Vatikani, për t’i dhuruar Marisë një tufë me trëndafilë të bardhë, duke u ndaluar, më pas, për një lutje, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe. Traditë që vijon edhe sot.

08 dhjetor 2019, 11:47