Don Pashk Ndoj, diocesi di Lezha, Albania Don Pashk Ndoj, diocesi di Lezha, Albania 

Dom Pashk Ndoj: Pse Hyji erdhi në botë ?

Diakoni i dioqezës së Lezhës, dom Pashk Ndoj, në reflektimin e tij për Krishtlindje shqyrton pyetjen ‘Pse Hyji erdhi në botë? Për t’u përgjigj se festa e Krishtlindjes është kohë kur ne kremtojmë Mishërimin e Zotit, i cili bëhet shtegtar i amshuar në jetën e çdo njeriu, duke mos e braktisur, por duke ecur me të”.

R.SH. - Vatikan

Diakoni i dioqezës së Lezhës, dom Pashk Ndoj, në reflektimin e tij për Krishtlindje shqyrton pyetjen ‘Pse Hyji erdhi në botë? Për t’u përgjigj se "festa e Krishtlindjes është kohë kur ne kremtojmë Mishërimin e Zotit, i cili bëhet shtegtar i amshuar në jetën e çdo njeriu, duke mos e braktisur, por duke ecur me të”.  Fjala “Hyji është me ne “ do të thotë se Hyji, nuk vjen të qëndrojë vetëm me disa, me disa të përzgjedhur, por vjen të qëndrojë me të gjithë, pa përjashtim. Kjo edhe për ata të cilët nuk besojnë, se Jezusi nuk ka ardhur për ta, sepse dashuria e Hyjit nuk është përjashtuese, përfshin të gjithë" Ta dëgjojmë diakonin e dioqezës së Lezhës, dom Pashk Ndoj....

Dom Pashk Ndoj, në reflektimin e tij për Krishtlindje shqyrton pyetjen ‘Pse Hyji erdhi në botë?

Pse Hyji erdhi në botë ?

Krishtlindja është kremtim i dashurisë së Atit për botën, përmes një akti unik që është mishërimi i Birit të Tij, Jezu Krishtit. Përmes fjalëve  së profetit  Izaia, Zoti shpall se Ai do të jetë “ Emanueli” që do të thotë “ Hyji është me ne”. Kjo fjalë “Hyji është me ne “do të thotë se Hyji, nuk vjen të qëndrojë vetëm me disa, me disa të përzgjedhur, por vjen të qëndrojë me të gjithë, pa përjashtim. Kjo edhe për ta të cilët nuk besojnë, se Jezusi nuk ka ardhur për ta, sepse dashuria e Hyjit nuk është përjashtuese, përfshin të gjithë.

Qysh në kohët e para, njerëzit në forma të ndryshme janë munduar që të takojnë atë që është ``Hyjnore`` por pa sukses, dhe është  Zoti   cili zgjedh në mirësinë e tij, t`i vijë në takim njeriut, por në atë mënyrë  që për të të ishte shumë e thjeshtë, në trajtën e një fëmije. Hyji duke e  kuptuar limitin dhe paaftësinë e njeriut, zgjedh që t`i vijë na takim vogëlsisë së tij, përmes mishërimit të Birit e Tij bërë Njeri.

Në festën e Mishërimit të Zotit, të cilën ne po e kremtojmë, jemi të ftuar të hyjmë më thellë në këtë mister. Pse. Sepse ne e festojmë çdo vit festën e lindjes së Zotit, organizojmë shumë aktivitete, shume festa, argëtime por nuk jemi të mahnitur nga misteri i kësaj feste. Në një ngjarje të jetës së  Shën Françeskut të Asizit se kishte ndodhur një herë që, gjatë ngrënies, me vëllezërit e tij ishte përhumbur aq shumë saqë e kishte ndërprerë të ngrënët. Bashkëvëllëzërit e tij, duke e shkundur pak, e pyetën: «Atë Françesk, çfarë ndodhi?». Dhe ai i`u përgjigj atyre: «Jo asgjë. Po mendoja vetëm se si ka mundësi që Zoti është bërë njeri».

Jezusi vjen të takojë, dhe të qëndrojë me çdo njeri, në historinë e tij, për të ecur me të (Krs Vap 24, 13-35). Zoti zgjedh që të qëndroje e njerëzit, që të jetë njeri si ne, letra e Hebrenjve thotë (Prandaj as nuk turpërohet t’i quajë vëllezër,”Heb 2,12”). Jezusi vjen të na quaje vëllezër, të jetë si ne në gjithçka, për  të bashkëndajë vuajtjen, dhimbjen edhe braktisjen, por gjithmonë i lidhur me Atin.

Ka ndodhur një ngjarje në një spital, ku një nënë po qante për fëmijën e saj, i cili po vuante, dhe e rebeluar ndaj Zotit e pyeti një meshtar i cili ndodhej aty “pse Zoti po lejon që të vuaje kështu biri im” dhe pastaj meshtari mirë e merr përdore, dhe i drejton dorën kah kryqi duke i thënë “ fole ti me Të, Ai të kupton, Ai ka vuajtur unë jo”. Kështu në momentin kur lusim Zotin Jezus, nuk kemi të bëjmë me një Zot  cili nuk kupton, sepse Ai ka përjetuar gjithçka në përjashtim të mëkatit.

Për këtë arsye Ai, Jezusi zgjedh të jetë Njeri, por ai është në të njëjtën kohë edhe njeriu i vërtet. Sepse Krishti Zot përmes njerëzisë tij, të mund të shfaqte dashurinë e Hyjit, Atit të Tij për mbarë njerëzimin. Dhe kjo është shkak  gëzimi është i përbashkët!

Përse kjo është shkak i gëzimit të përbashkët? Sepse Zoti përmes Birit të Tij, shfaqi dashurinë e Tij, për botën mbarë, si Shën gjoni Ungjilltar thotë? ” Ja si u dëftua dashuria e Hyjit në ne: Hyji dërgoi në botë një të Vetmin Birin e vet që ne të jetojmë në saje të tij( Gjn 4,9)”. ashtu siç  Shën Luani i Madh në “Ligjërat” e tija thotë “ askush nuk është i përjashtuar prej kësaj lumturie”.

Tema kryesore e besëlidhjes është Zoti është besnik ndaj popullit të tij, dhe që ecën me të dhe nuk e braktis kurrë, dhe se dashuria e Tij është më  madhe se ajo prindërore.

Dhe përmes fjalëve të profetit Izaia, del në pah dashuria e Hyjit e cila nuk braktis kurrë (Iz 49,14) ”tha Sioni: “Zoti më la, më harroi Zoti!” e harron ‑ thua ‑ gruaja foshnjën e vet, që të mos ketë dhimbje për bamin e barkut të vet? Po edhe nëse ndonjëra do të harronte, unë ty kurrë nuk të harroj!”.

Kjo pasi shpesh në jetën e besimtarëve, mendohet se Zoti nuk ka asnjë lidhje me jetën time, Zoti është indiferent ndaj vuajtjeve të fëmijëve të tij. Kjo është arsyeja pse Zoti vjen mes nesh për të qenë me ne, sepse ai është "Emmanuel". Kështu që festat e Krishtlindjes janë momenti kur ne festojmë Mishërimin e Zotit, i cili bëhet pelegrini i përjetshëm në jetën e çdo personi, jo duke e braktisur atë, por duke ecur me të.

Kështu festa e Krishtlindjes është kohë kur ne kremtojmë Mishërimin e Zotit, i cili bëhet shtegtar i amshuar në jetën e çdo njeriu, duke mos e braktisur, por duke ecur me të. Në librin e zbulesës thotë se  vetë Zoti do të ecë me njerëz Hyji do të banojë me njerëz! Ata do të jenë populli i tij, kurse Ati, vetë Hyji, do të jetë me ta [Hyji i tyre]«.Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. As Vdekja më s’do të jetë, as vaj, as ofshamë, as dhimbje më s’do të ketë, [sepse] bota e mëparshme mori fund” (Zb 21, 3-4).

 

 

 

 

26 dhjetor 2019, 12:04