Kërko

Ja ç'ka mbetur nga Korinti i lashtë Ja ç'ka mbetur nga Korinti i lashtë 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Hiri Hyjnor në Letrën e parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Filluam javën e kaluar komentin e Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve. Vijojmë sot me kontributin, që dha apostulli për ta bashkuar bashkësinë e përçarë të Korintit. Për ta bërë këtë niset nga Hiri i Tënzot, siç shpjegon meshtari italian, don Federico Tartaglia, në librin “Është ora e leximit të Biblës”, mbi të cilin bazohemi për këtë rubrikë.

R.SH. - Vatikan

Në prologun e Letrës drejtuar Korintasve, Shën Pali apostull përsërit 8 herë “Jezu Krisht”, 6 herë fjalën “Zot” dhe 6 herë të tjera fjalën “Hyj”. Vetëm këtu e sheh zgjidhjen e problemeve, prandaj shkruan:

         “Përherë i falem nderit Hyjit tim për ju që ju dha hirin hyjnor me anë të Krishtit Jezus, sepse në Krishtin ju u bëtë të pasur me gjithçka - në çdo fjalë e në çdo dije” (1 Kor 1,4-5).

         Shën Pali fillon me një shndërrim: ajo bashkësi e përçarë, në prag të luftës, është e pasur me çdo lloj dhurate, prandaj, do të përforcohet në fe, pa asnjë njollë, deri në fund. Shën Pali e sheh mëkatin, por menjëherë, sheh edhe hirin hyjnor, që shëlbon. Ai është tepër i ashpër kur flet për të parin, por më se i vrullshëm kur kumton të dytin.

         Luteri arrin të thotë se me Palin mund të flasim për një gjendje kontradiktore tek njeriu: “simul iustus et peccator”. Teologët vijojnë të grinden për kuptimin e këtij pohimi, por ai tregon qartë çfarë shprehet vazhdimisht nga shën Pali në Letrat e tij.

         Dëshira e zjarrtë për drejtësi, nga njëra anë, dhe përvoja e palavdishme e mëkatit, nga ana tjetër. Në këtë bipolaritet moral të njeriut, asgjë s’mbetet si më parë, nëse hyn Hiri i Tënzot. Pali e pati provuar vetë dhe besonte fuqimisht se kështu duhej t’i ndodhte çdo njeriu e çdo bashkësie, që i përgjigjej thirrjes hyjnore.

         Bashkësia e Korintit ishte e përçarë e shën Pali u nis pikërisht nga Hiri Hyjnor e nga dhuratat e Tij, të pranishme edhe në Kishën e Korintit. Ja si e fillon “këngën” e tij:

         “Ju përbej, o vëllezër, pashë Emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit: jini të gjithë një mendimi… Ja, ku e kam fjalën: secili prej jush thotë: ‘Unë jam i Palit!’, ‘Unë i Apolit!’, ‘Unë i Kefës!’, ‘Unë jam i Krishtit!’” (1 Kor 10.12).

         Shën Pali nuk kufizohet duke thënë se ata duhet të merren vesh me njëri-tjetrin. Jo! Ai shkruan fjalët, që do të bëhen më pas, model dhe frymëzim për çdo bashkësi të krishterë.

Pikërisht, katër kapitujt e parë të Letrës drejtuar Korintasve përvijojnë themelet e bashkësisë së krishterë. Nga kapitulli 5 deri në kapitullin 12, Pali merret me çështjet e vështira, nga të cilat vuan bashkësia e Korintit. Në kapitujt 13 e 14, gjejmë Himnin e mrekullueshëm të Dashurisë dhe katekizmin e apostullit për karizmat. Në kapitullin 15, Pali thotë fjalën e vet për çështjen më delikate, atë të ringjalljes e, në kapitullin 16, gjejmë përshëndetjet.

Është interesante mënyra me të cilën shën Pali përballon problemet morale, që gjen në bashkësi. Ku e gjen forcën për të vazhduar? Ku i gjen zgjidhjet për problemet? Ku e gjen sigurinë se do të ndodhë siç thotë ai? Për ta kuptuar këtë, mund të na ndihmojnë disa “fraza orientuese”, të cilave apostulli u beson siguritë e tij më intime. Mund të shihet qartë se urdhërat e prera, që shën Pali u dha korintasve, lindin pikërisht nga përvoja e jashtëzakonshme e hirit, për të cilin ai vetë është dëshmitar e lajmëtar:

“Predikimi për kryqin, për ata që dënohen, është marri, kurse, për ne të shëlbuarit, është fuqia e Hyjit” (1 Kor 1,18).

“Ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar - për hebrenj shkandull e për paganë marri, kurse për të grishurit - si për hebrenj si për grekë - Krishtin - fuqinë e Hyjit dhe dijen e Hyjit” (1 Kor 1,23-24).

“Nuk desha në mesin tuaj të di tjetër përveç Jezu Krishtit - dhe Atë të kryqëzuar” (1 Kor 2,2).

“Njeriu shpirtëror i shqyrton të gjitha, por ai nuk mund të shqyrtohet prej askujt” (1 Kor 2,15).

“Ne e kemi mendimin e Krishtit” (1 Kor 2,16).

“Krishti - Qengji ynë i Pashkëve - tanimë është flijuar” (1 Kor 5,7).

“Nuk e dini se trupi juaj është Tempulli i Shpirtit Shenjt që banon në ju që e keni prej Hyjit dhe se ju nuk i përkitni më vetvetes?” (1 Kor 6,19).

“Jap këshill si një njeri që, në saje të mëshirës së Zotit, meriton t’i besohet” (1 Kor 7,25).

“Koha është e shkurtër… trajta e kësaj bote po kalon” (1 Kor 7,29.31).

“Të shpall Ungjillin nuk është një arsye krenie për mua, është detyrë që më duhet ta kryej: i mjeri unë nëse nuk e predikoj Ungjillin!” (1 Kor 9,16).

“Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm: pse të gjithë jemi pjesëtarë të një buke” (1 Kor 10,17).

“Më përngjani mua, sikurse unë i përngjaj Krishtit” (1 Kor 11,1).

“Kurdo të hani këtë bukë e të pini këtë kelk, lajmëroni vdekjen e Zotit, deri që Ai të vijë” (1 Kor 11,26).

“Askush nuk mund të thotë : ‘Jezusi është Zot!’, veçse nën veprimin e Shpirtit Shenjt” (1 Kor 12,3).

“Dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë” (1 Kor 12,4).

“Sikurse një trup i vetëm ka shumë gjymtyrë e të gjitha gjymtyrët e trupit, edhe pse shumë - nuk trajtojnë por një trup të vetëm - ashtu edhe Krishti” (1 Kor 12,12).

“Në një të vetmin Shpirt Shenjt të gjithë jemi pagëzuar për të qenë një trup i vetëm, si hebrenjtë ashtu grekët, si robërit ashtu edhe të lirët dhe të gjithë e kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt Shenjt” (1 Kor 12,13).

“Mbetet feja, shpresa e dashuria - këto të tria - porse më e madhja ndër to është dashuria” (1 Kor 13,13).

“Në qoftë se në Krishtin shpresojmë vetëm në të mirat e kësaj jete, atëherë ne jemi njerëzit më të mjerët. Por, verevërtet, Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve!” (1 Kor 15,19-20).

         Nëse i vendosim në kolonë problemet e Korintit e në një tjetër, këto fjalë të shën Palit, vërejmë qartë se ato probleme do të zgjidhen pa tjetër, sepse, siç nënvizon apostulli me pohimet e tij, bashkësisë nuk i mungon asnjëra prej dhuratave të Hirit Hyjnor!

19 dhjetor 2019, 12:58