Kërko

Betlehemi-Durres-6AEM.jpg

Betlehemi në Shqipëri, pas tërmetit: shpresa e Krishtit mes rrënojave

Betlehemi "është vërtet ushtrim i fantazisë krijuese, që përdor materiale nga më të ndryshmet, për të krijuar kryevepra të vogla bukurie. Nisur nga përjetimet tona në këto ditë të vështira dhe të inkurajuar nga ftesa e Atit të Shenjtë, kemi menduar që të japim një kontekst aktual të Shpellës së Betlehemit në Kishën tonë famullitare të Shën Dominikut në Durrës. Kemi marrë brenda Kishës gurë, copa betoni, hekuri etj. nga gërmadhat e vendit tonë, i cili u prek nga tërrmeti. Është një skenë kjo shumë familjare për ne që banojmë në Durrës tani".

R.SH. - Vatikan

Ndërsa përgatiten për lindjen e Krishtit, besimtarët katolikë shqiptarë, që sapo kaluan tërmetin e 26 nëntorit, i cili la pas zona të tëra me rrënoja, nuk e kanë harruar traditën e në çdo shtëpi, me lloj-lloj materialesh, ndërtojnë atë, që, në Letrën e tij apostolike kushtuar paraqitjes së vendit ku lindi Shëlbuesi i botës, Papa Françesku e quan  “Admirabile signum”. Ndërtojnë Betlehemin e krahas tij edhe pemën e Krishtlindjes: shenja besimi në Birin e Zotit e në të ardhmen. Por, Betlehemi i këtij viti është i veçantë. Nëpër të gjitha dioqezat e Shqipërisë, sidomos në ato më të prekurat nga tërmeti, Betlehemi paraqitet me rrënojat e lëna nga lëkundjet e fuqishme e me shtëpitë gjysëm të shembura, që presin rindërtimin. Krishti lind edhe aty, në mes të rrënojave shqiptare, sepse me Të lind shpresa, siç shpjegon në meditimin e tij, famullitari i Durrësit, domenikani, atë Bernard Caruana, ndërsa flet për kuptimin e vendosjes së Familjes Shenjte mbi gurët e marrë nga ndërtesat e shkatërruara…

Dëgjo atë Bernard Caruana-n...

Lindja e Shpëtimtarit

midis gurëve të shembur është shenjë e një fillimi të ri

Papa Françesku në Letrën e sapo publikuar “Admirabile signum” (Shenja e mahnitshme) kushtuar  kuptimit dhe vlerës së një tradite që të shtang e të mahnit - Shpella e Betlehemit - na nxis që ta zbulojmë përsëri dhe për t’u rigjallëruar. Kjo traditë, po ta mendosh mirë, është në të vërtetë një akt ungjillëzimi. Të paraqesësh ngjarjen e madhe të Lindjes së Jezusit – thotë Papa Françesku - është njëlloj si të kumtosh misterin e Mishërimit të Birit të Zotit me thjeshtësi e  gëzim. Na fton që ndërsa kundrojmë skenën e Krishtlindjes, të vihemi shpirtërisht për udhë, të tërhequr nga përvujtëria e Atij, që u bë njeri, për të takuar njerëzimin. E zbulojmë se Ai na do deri në atë pikë, sa të bashkohet me ne, që kështu edhe ne të mund të bëhemi një me Të.

Është vërtetë ushtrim i fantazisë krijuese, që përdor materiale nga më të ndryshmet, për të krijuar kryevepra të vogla bukurie. Nisur nga përjetimet tona në këto ditë të vështira dhe të inkurajuar nga ftesta e Atit të Shenjtë, kemi menduar që të japim një kontekst aktual të Shpellës së Betlehemit në Kishën tonë famullitare të Shën Dominikut në Durrës. Kemi marrë brenda Kishës gur, copa betoni, hekuri etj. nga gërmadhat në vendit tonë i cili u prek nga tërrmeti. Është një skenë kjo shumë familjare për ne që banojmë në Durrës tani.

Duam atëherë që të bëjmë një lidhje midis fesë dhe jetës tonë të përditshme. Pikërisht mbi këto rrënoja, nën një çadër, qëndrojnë figurat kryesore të Betlehemit: Maria, Jozefi dhe Krishti Fëmijë. Maria është dëshmia, që na tregon sesi duhet të lëshohemi plotësisht në dorë të Zotit, ashtu si Jozefi, “rojtari, që nuk lodhet kurrë duke e mbrojtur familjen e vet. Në grazhd është Krishti Fëmijë: Zoti është i paparashikueshëm – na kujton Papa Françesku - larg skemave tona, e paraqit kështu, si fëmijë, për të na bërë t’ia hapim krahët e ta marrim ngrykë.

Njëkohësisht, për ne sot, kjo familje e shenjtë endacake, përfaqëson shumë familje në Shqipëri, që janë prekur nga lekundjet sizmike dhe që jane ende në rrugë, pa shtëpi, pa strehë, nëpër bujtina/hotele.  Familjet të cilat kanë humbur atë ngrohtësinë shtëpiake, atë sigurinë familjare për të cilën çdo njeri ka nëvojë; banorët që ndoshta kanë frikë që të kthehen të normalitetin e jetës së tyre pas traumës së termetit. Shpella e Betlehemit na bën ta shikojmë e ta prekim këtë ngjarje të pashoq e të jashtëzakonshme, që ia ndryshoi rrjedhën historisë.

Një shenjë tjetër e Shpellës së Betlehemit është qielli i qëndisur me yje, në errësirën dhe nën heshtjen e natës: është nata, që shpesh e rrethon jetën tonë. Si mos të kujtojmë atë natë tragjike të 26 nëntorit, kur të tronditur, pasi u fikën dritat, të gjithë dolëm në rrugë të frikësuar. Vetëm drita e hënës dhe e yjeve na shoqëronin.  E pra, edhe në ato çaste, Zoti nuk na lë vetëm, por bëhet i pranishëm, sjell dritën, ku ka errësirë e i ndriçon të gjithë ata, që  janë të zhytur në terrinat e vuajtjes.

Mendoj së këto Krishtlindje nuk do të jënë njësojë si Krishtlindjet e herëve të tjera. Krishtlindja fton ndjenja mirëdashjeje, gëzimi dhe dashurie. Dhe ashtu siç do ta vërtetojë çdo prind, ndjenja të ngjashme zakonisht shoqërojnë lindjen e çdo të porsalinduri. Sigurisht, lindja e Krishtit ishte e pangjashme me çdo lindje tjetër. Hollësitë e vyera – udhëtimi për në Bethlehem, një han i mbipopulluar, një kori e thjeshtë, një yll i porsagjetur dhe engjëjt shërbestar – e bëjnë historinë e lindjes së Tij një histori për t’u mbajtur mend. Prapëseprapë, historia e lindjes së Shpëtimtarit përfaqëson vetëm një pjesë të arsyes përse ne e ndiejmë Shpirtin gjatë periudhës së Krishtlindjes. Krishtlindja nuk është vetëm një kremtim i mënyrës se si Jezusi erdhi në botë, por edhe një njohuri e asaj se kush është Ai – Zoti dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti – dhe i arsyes pse erdhi Ai.

Njëhërë Papa Françesku kishte pohuar që “Kisha nuk është kështjellë por çadër, që mund ta zgjerojë shtrehën e t’i mikpresë të gjithë”. Kur e kam var këtë baner te dera e Kishës sonë famullitare këtu në Durrës,  kisha ndër mend më shumë pjesën shpirtërore ose morale të mikpritjes sonë si Kishë në teritor, në lidhje atëherë me ndarjen e sakramenteve etj etj. Por sot e lexoj me një këndvështrim tjetër – atë të solidaritetit dhe të dhembshurisë. Në këto ditë kemi pas shumë mundësi që ne, si Kishë të bashkëpundojmë me njeri-tjetrin për t’i ardhur në ndihmë të prekurit e termetit. Por kemi parë qindra mijëra qytetarë që kanë dhënë ndihmën e tyre për të lehtësuar sa do pak dhimbjen e banorëve të cilëve iu shemb shtëpia apo humbën një familjar. Për më tepër, fal kësaj tragjedie, sikurse po vlerësohet më shumë jeta si një dhuratë e çmuesheme dhe e brishtë. Shoh që njerëzit, në përgjithësi po tregohen më të vëmendshëm ndaj njëri-tjetrin tani sesa përpara që ndoshta jetonin në indiferentizëm,  në moskokëçarje dhe të ftohtë.  

Atëherë, mbi të gjitha Betlehemi të shtang e të mahnit, gjithnjë, sepse dëshmon  butësinë e Zotit, që përkulet tek vogëlsia jonë, bëhet i varfër, duke na ftuar ta ndjekim në udhën e përvujtërisë, për ta takuar e për t’i shërbyer me mëshirë në vëllezërit e motrat më nevojtar.

Atë Bernard Caruana O.P.

Photogallery

Betlehemi në katedralen e Rrëshenit
09 dhjetor 2019, 16:18