Kërko

 Papa Françesku me Patrikun Bartolomeu Papa Françesku me Patrikun Bartolomeu 

Bartolomeu: e fortë, dëshira për bashkimin e Lindjes me Perëndimin

Vizita, në Stamboll, e një delegacioni të Kishës së Romës, me rastin e festës së fronit të Patriarkanës ekumenike të Kostandinopojës. Patriku: “Ta vijojmë dialogun e dashurisë e të vërtetësisë”.

R. SH. - Vatikan

“Gjithë të krishterët i përkasin së njëjtës hapësirë shpirtërore. Lindja dhe Perëndimi nuk janë njësi të pavarura, të zotët e vetvetes. Nuk mund të perceptohen të ndarë, sepse kanë një të kaluar të përbashkët, vijnë nga një traditë e përbashkët, që u deformua e u copëzua gradualisht”. Kështu u shpreh Patriku i Kostandinopojës, Bartolomeu, duke cituar një teolog ortodoks, ndërsa fliste me delegacionin e Kishës së Romës në Stamboll, me rastin e  festës së fronit të Patrikut Ekumenik.

Lidhje me frymën e paqes e të dashurisë

Vizita e delegacionit, kryesuar nga kardinali Kurt Koch, kryetar i Këshillit papnor për nxitjen e unitetit të të krishterëve - shpjegoi Bartolomeu - flet vetë për lidhjen e paqes e të dashurisë, që ruhet në unitetin e Shpirtit Shenjt e është simbol i dëshirës sonë të fortë, të përbashkët, për t’u bërë “një kelk i vetëm”!

Udha e “kelkut të përbashkët”

Qysh nga përqafimi i Palit VI me Atenagorën, në Jeruzalem, në vitin 1964,  deri tek organet e dialogut teologjik, që merren me traditat e përbashkëta e me të drejtën kanonike, “kishat tona kultivuan dialogun e dashurisë e edhe dialogun e vërtetësisë”, pohoi me forcë Patriku i Kostandinopojës, “duke ecur kështu, drejt “udhës së një kelku të përbashkët”.

Ekumenizmi i shenjtorëve

Me rëndësi, edhe ekumenizmi i Shenjtorëve, sepse nderimi i relikeve mund të ndihmojë për t’i përfshirë besimtarët në rrugën e angazhimit e të dialogut. Është gjë e bukur dhe e rëndësishme, takimi i liderëve të Kishave, por do të ishte edhe më e rëndësishme që këtë ta bënte populli i besimtarëve. Në këtë drejtim, nuk mund të mos e falënderojmë vëllain tonë, Papën Françesku që, me dhurimin e disa relikeve të Shën Pjetrit Patriarkanës, bëri një gjest ekumenik profetik. Duke ribashkuar në Stamboll vëllezërit Pjetri e Andreu, Pajtor i Kishës së Kostandinopojës, gjesti inkurajon “për vijimin me entuziazëm edhe më të madh të udhës sonë drejt bashkimit aq të dëshiruar”.

05 dhjetor 2019, 16:40