Kërko

 Papa para relikeve të Shën Nikollit të Barit Papa para relikeve të Shën Nikollit të Barit 

Bari, shenjë e dëshirës së Jezusit për një Kishë të vetme, të pandarë

Ekumenizëm: atë Distante, epror i Bazilikës së Shën Nikollit të Barit: “Nikolli është shenjt i Kishës së pandarë. Bari, simbol i dëshirës së Jezusit”.

R. SH. - Vatikan

“Shën Nikolli është shenjt i Kishës së pastër, Kishës së pandarë e, prej këndej, Pajtori ynë, që na nxit ta bëjmë tonën dëshirën e Jezusit për të qenë ‘një Kishë e vetme, që bota të besojë’”. Atë Giovanni Distante, epror i Bazilikës së Shën Nikollit së Barit, është i sigurt se Shenjti i Myr-ës i  bashkon popujt dhe njerëzit. Aq më shumë në ditën e Festës së tij liturgjike sipas kalendarit julian, kremtuar të enjten e kaluar, më 19 dhjetor, Festë, që arriti kulmin me liturgjinë hyjnore, kremtuar në Bazilikën bareze nga metropoliti Hilarion Alfeev, Kryetar i departamentit të Patriarkanës së Moskës për Marrëdhëniet me Jashtë: “Ne, këtu, në emër të Shën Nikollës, mund të jemi ‘Kisha e vetme e Krishtit’” - pohoi eprori në përfundim të liturgjisë. E çdo vit gëzimi i pritjes së shtegtarëve rusë në këtë vend bëhet gjithnjë më i madh, sepse shenjti hyn në shpirtin e të gjithëve e, me të, dëshira e Krishtit për të qenë një Kishë e vetme. Atë Distante kujton më pas se Bari “është vend i kulti nikollian”. Këtu, ku pushojnë reliket e Tij, vijnë njerëz nga të katër anët e botës. Nisen nga Lindja e Perëndimi, për t’u lutur mbi varrin e shenjtit e këto ditë, në mënyrë të veçantë. Ndërmjet tyre, gjithnjë më shumë rusë, që shtegtojnë drejt Barit, sepse këtu kanë Pajtorin e tyre. E ky vend është ëndrra e madhe e çdo rusi. Që në fëmijëri nisin ta ëndërrojnë shtegtimin drej Bazilikës së Shën Nikollit. Shtegtim për t’u lutur e për ta nderuar Shenjtin, emri i të cilit dëgjohet më shpesh se asnjë tjetër në trojet e pafundme të Rusisë.

20 dhjetor 2019, 15:51