Lajmërimi Zotit përmes Engjëllit Tënzot Virgjërës Mari Lajmërimi Zotit përmes Engjëllit Tënzot Virgjërës Mari 

Shenjtorët e javës 8 – 16 dhjetor

Me këtë të diele hyjmë në Javën II të Kohës liturgjike të Ardhjes e këtë vit, ajo fillon me festën e bukur të Zojës së Papërlyer, kremtim që na hap portat e madhështisë së Zotit, që në të bëri mrekulli.

R.SH. - Vatikan

E diel 8 dhjetor, Kisha katolike kremton të Dielën e 2-të të kohës së Ardhjes, e gjithnjë me 8 dhjetor, Kisha kremton festӫn e Zojes se Paperlyer. Në festën e Ngjizjes së Papërlyer të Virgjërës Mari, Kisha ka dashur që, gjatë kohës së Ardhjes, liturgjia të bëjë të pranishme mes popullit të krishterë fuqinë e Zotit, që e ka ruajtur Virgjërën nga mëkati, për të përgatitur tek ajo Mishërimin e Birit të Hyjit. Kremtojmë, në eukaristi, po atë mister të shëlbimit, që na prek e takon të gjithëve, por dobinë e të cilit Maria e ka njohur e para.

Te hёnёn më 9 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Huan Diegon, shën Sirin e shën Valerin.  Kujtojmë se Shën Gjon Diego ishte indigjen, të cilit Zoti i kishte bërë dhuratë një fe të pastër si qelibar. Qe ai që kërkoi ngritjen e shenjtërores së Zojës së Guadalupes në kodrën e Tepejakut pranë Qytetit të Meksikos, pasi e pa në një nga vizionet e tij.

Të  martën më 10 dhjetor, kalendari kishtar kremton festën e Zojës së Loretos, përkujton shën Maurin, martir dhe shën Gregorin II, papë. Shenjtërorja e Loretos, në Itali, sipas një tradite të lashtë, ruan Shtëpinë nazaretase të shën Marisë. Banesa tokësore e Nënës së Krishtit përbëhej nga dy pjesë: nga një shpellë në shkëmb, që edhe sot nderohet në Bazilikën e Lajmërimit të Zojës, në Nazaret, dhe nga një shtëpi me mur, përbri saj. Sipas traditës, në vitin 1291, kur kryqtarët u përzunë përfundimisht nga Palestina, shtëpia me mure e Zojës u transportua nga engjëjt, së pari në Iliri (Kroacia e sotme) e pastaj, në territorin e Loretos, ku mbërriti më 12 dhjetor 1294

Tё mërkurën më 11 dhjetor, kalendari përkujton shën Damazin I, papë, shën Danielin, shën Sabinin. Liturgjia e ditёs na kujton se Mesia, i paralajmëruar nga profetët, vjen për ta shpëtuar popullin prej mëkatesh. Por për ta bërë këtë, Hyji shërbehet nga të drejtët, nga ata që e dëgjojnë fjalën e tij.

Të enjten më 12 dhjetor, kalendari kishtar përkujton festën të Lumes Mari Virgjër Mari të Guadalupes e shën Gjovanën de Shantal.  Liturgjia e ditës na kujton se Zoti na fton të kthehemi në rrugë të drejtë, për të gjetur ngushëllim. E kur e kuptojmë se nuk jemi të aftë ta përballojmë jetën pa ndihmën e Zotit, ai na jep forcë e krahë shqiponjash, për të fluturuar drejt lartësive.

Të premten më 13 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Luçinë e Sirakuzës, virgjër e martire (shqipëruar Drita) dhe e shën Aristonit, martir i Portos.  Liturgjia e ditës na kujton se nuk duhet të ligështohemi kurrë nga mundimet e përditshme, por duhet ta lëshojmë gjithnjë veten në dorë të Jezusit zemërbutë e të përvujtë, të sigurtë se një ditë do ta kundrojmë me sytë tanë lumninë e Zotit.

Të shtunёn më 14 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Gjonin e Kryqit, meshtar e doktor i Kishës, karmelitan i zbathur. Liturgia e ditës na kujton se në rrjedhë shekujsh Zoti i është dëftuar njerëzve shumë herë e në shumë mënyra, por ata e patën të vështirë ta pranojnë. Shën Gjon Pagëzuesi nuk i bindte, sepse tepër i ashpër, ndërsa Jezusi, pse tepër i butë.

Të dielёn e ardhsme më 15 dhjetor, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 3-të të kohës së Ardhjes. E gjithnjë më 15 dhjetor, kalendari përkujton shën Valerianin, ipeshkëv në Afrikë e martir.  Liturgjia e ditës na nxit të meditojmë mbi rëndësinë e mesazhit të Shën Gjon Pagëzuesit, krahasuar nga Krishti me Elinë. E kjo, sepse Shën Gjon Pagezuesi na fton të pendohemi e të kthehemi plotësisht në rrugën e Zotit.

08 dhjetor 2019, 13:16