E Diela e 3-të e kohës së Ardhjes 'A' E Diela e 3-të e kohës së Ardhjes 'A' 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 3-të të kohës së Ardhjes 'A'

Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele, na fton ta presim me fe dhe gëzim ardhjen e Zotit. Profeti Isaia e thërret shkretëtirën të gëzohet e vendet e shkreta të lulëzojnë ( I Lexim). Gjon Pagëzuesi është kumtues i dërguar për përgatitjen e udhës së Zotit që vjen (Ungjilli).

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe me liturgjinë Hyjnore të Fjalës së Zotit të Dielës së 3-të të kohës së Ardhjes, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik, që paraprijnë dhe përgatit kremtimin e Krishtlindjes. 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 3-të të kohës së Ardhjes 'A'

Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele, na fton ta presim me fe dhe gëzim ardhjen e Zotit. Profeti Isaia e thërret shkretëtirën të gëzohet dhe vendet e shkreta të lulëzojnë (Leximi I). Gjon Pagëzuesi është kumtuesi i dërguar për të përgatitur udhën e Zotit që vjen (Ungjilli). 

Kjo e Diel e tretë e Kohës së Ardhjes, njihet me emrin “Gaudete”, “Gëzohuni!”. Ftesa për t’u gëzuar buron pikërisht nga leximet liturgjike, që na propozon liturgjia e Fjalёs, duke na nxitur si besimtarë t’ia përcjellin mesazhin e dashurisë të gjithë njerëzve.

Në të Dielën e tretë të Kohës së Ardhjes, i krishteri ndodhet para një pyetjeje me rëndësi të dorës së parë. Është ajo e Shën Gjon Pagëzuesit, i cili i nis dishepujt për ta pyetur Jezusin: “Je ti, ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?". Pyetja e Gjonit, që shqetësohet, sepse nuk po shikon kurrfarë ndryshimi në botë, është e njëjta pyetje, që vijojnë të bëjnë shumë njerëz në rrjedhë shekujsh: “Je vërtetë ti? Apo bota duhet ndryshuar nga rrënjët? Ti nuk e bën këtë? E bëjmë ne! E erdhën shumë profetë, ideologë e diktatorë, që thanë: Nuk është ai. Ai nuk e ndryshon botën! Jemi ne! E krijuan perandoritë e tyre, diktaturat e tyre, totalitarizmat e tyre, që ta ndryshonin këtë botë. Dhe e ndryshuan, duke e rrënuar me kulm e themel. E sot e dimë se nga këto premtime nuk mbeti tjetër, veçse një boshllëk i madh e një shkatërrim i hatashëm. Nuk ishin ata!.

Pyetjes, që vijon të jehojë udhëve të botës – na kujton Ungjilli i Mateut (11,2-11) - na duket se Krishti i përgjigjet kështu: Shikoni ç’bëra unë! Nuk bëra revolucion... nuk e ndryshova botën me forcë, por ndeza shumë drita, që formojnë një udhë drite në rrjedhë shekujsh. Janë dëshmitarët e panumërt të fesë nё Zotin, që ndriçuan e ndriçojnë si yje në horizontet e zymta të shekujve të historisë, në shndërrim të vazhdueshëm. Janë njerëz, që i ngjasin Shën Maksimilian Kolbes, i cili flijoi jetën e vet, për të shpëtuar atin e një familjeje, e kemi edhe shembullin e shumё martirёve tё Kishёs ndёr shqiptarё e tё shumё shenjtorёve tjerё. Janë drita, që ndizen në errësirë, për t’u treguar të gjithëve ku mund t’i gjejnë njerëzit, që presin një dorë, e cila bëhet për ta dora e Zotit. Quhen Damian de Veuster: jetojnë e vdesin për të gërbulurit; quhen Nënë Terezë: çuan e çojnë dritë në errësirën më të dendur, e jetë, në viset e vdekjes. Gjithnjë me buzë në gaz, sepse të pushtuar nga drita e Zotit. Janë shumë, shumë. Konstelacione të tëra në qiellin e zi të kohëve të vështira. Martirёt e shumtё, disa prej tyre sigurisht i njohim, tё cilёt pohojnë se Zoti na bën ta ndjejmë afërsinë e tij gjithmonё.

Zoti është pranë, jemi ne që shpesh i rrimë larg. T’i afrohemi, të shkojmë sa më pranë dritës së tij, ta lusim Zotin e, në sa lutemi, të bëhemi edhe ne vetë dritë për të tjerët. Të bëhemi dritë – na fton të gjithëve Fjala e Zotit në këtë kohë, kur presim Ardhjen e Zotit mbi tokë. Koha e Ardhjes na fton ta presim Zotin me durim. Në një epokë, që kërkon ndryshime të vazhdueshme, Koha e Ardhjes na fton ta presim Zotin me durim e shpresë. E shpresa e vërtetë, e cila nuk të zhgënjen kurrë, është ajo që bazohet mbi besnikërinë e Zotit.

“Të jini, pra, të durueshëm, o vëllezër, deri në ditën e Ardhjes së Zotit”: ky fragment, shkëputur nga Letra e Shën Jakut ( Leximi II), që kumtohet në liturgjinë e kёsaj sё diele, e vë theksin mbi vlerën e durimit. Koha e Ardhjes na bën thirrje ta forcojmë me ngulm këtë vlerë shpirtërore. Durimi dhe qëndresa e shpirtit, na ndihmojnë të mos dëshpërohemi, në sa presim një të mirë, që vonon të vijë. Nuk duhet ta humbasim shpresën, pra. E jo vetëm që duhet ta presim me durim këtë të mirë, por duhet edhe t’ia përgatisim rrugën me besim të zellshëm.

Letra e Shën Jakut, na kujton edhe shembullin e bujkut, i cili pret me durim frytin e çmuar të tokës. Krahasim shumë shprehës. Bujku nuk është fatalist, por model i një mendësie, që bashkon me drejtpeshim fenë e arsyen sepse, nga njëra anë i njeh ligjet e natyrës dhe e kryen mirë punën e vet, ndërsa nga ana tjetër, mbështetet në Provaninë Hyjnore, nga që disa gjëra nuk janë në duart e tija, por në ato të Zotit.

Qëndrueshmëria e durimi janë pikërisht sintezë e impenjimit të njeriut dhe e besimit tek ndihma e Zotit. Si mund ta bëjmë edhe ne këtë? Si mund t’i forcojmë zemrat tona, krejt të brishta? Si mund t’i ruajmë, të mos thyhen, kur kultura, që i rrethon, i rrezikon nga të katër anët? Ndihma nuk na mungon: është Fjala e Zotit. Në të vërtetë, në sa gjithçka kalon e ndryshon, Fjala e Zotit nuk kalon. Në se ngjarjet e jetës na bëjnë të ndjehemi të humbur e çdo siguri na duket e kotë, e kemi një busull, që na tregon rrugën; një spirancë e kemi, që na ndihmon të mos përfundojmë në fund të detit.

Na ofrohet një model, është ai i profetëve, i njerëzve që Zoti i thirri të flasin në emër të vet. Profeti e gjen gëzimin dhe forcën në Fjalën e Zotit, e, ndërsa njerëzit shpesh e kërkojnë lumturinë në rrugë, që më pas dalin të gabuara, ai kumton shpresën e vërtetë, atë që nuk të zhgënjen, sepse ngrihet mbi themelin e besnikërisë së Zotit.

                                                               LITURGJIA E FJALËS

Leximi i pare (Is 35, 1-6.8.10)
Profeti Isaia shpall që Hyji do të vijë. Ai na thotë: pranvera po lulëzon, shërimi është afër, guximi po kthehet, njeriu po gjen lirinë e tij të vërtetë, mërgimtarët kthehen në atdhe, vëllezërit që ishin larg takohen. Sytë e të verbrit hapen, shurdhi mund të dëgjojë, memeci bërtet me gëzim. Hyji ynë na vjen në takim.

Lexim prej Librit të Isaisë profet
Le të gëzojnë vendet e shkreta e të papërshkueshme, le të galdojnë shkretëtira e të lulëzojë si lili! Le të bulëzojë e le të lulëzojë, le të gazmojë, në hare të shpërthejë! Iu dhurua lavdia e Libanit, e Karmelit stolia dhe e Saronit! Do ta shohin lavdinë e Zotit, shkëlqimin e Hyjit tonë!
Përtëritni në fuqinë e duarve të lodhura, fuqi jepni gjunjëve të marrakotur! Thoni atyre që i ka lëshuar zemra: “Mbahuni! Frikë mos kini! Ja, Hyji juaj! Erdhi hakmarrja! Ia behi shpagimi i Hyjit! Vetë do të vijë e do t’ju shëlbojë!” Atëherë sytë do t’u çelen të verbërve, veshët e të shurdhërve do të dëgjojnë; atëherë i shqepti do të kërcejë si dreri, gjuha e të pagojit do të shpërthejë në hare, se në shkretëtirë do të burojnë ujërat, përrenjtë do të rrjedhin nëpër shkreti. Do të ketë shteg e do të ketë udhë, do të quhet udha e shenjtë: i papastri nëpër të s’do të kalojë, për ta do të jetë udhë e drejtë, që të marrët të mos enden nëpër të. Do të kthehen të shpërblyerit prej Zotit. Do të hyjnë në Sion me britma gëzimi, do t’u qeshë fytyra me gëzim të përhershëm, do t’i shoqërojë gëzimi e hareja, do të zhduket trishtimi e dënesja. Fjala e Zotit.

Psalmi 146 (145)
Ref: Eja, o Zot, e na shpëto.

_______________
Zoti e mban besnikërinë për amshim,
u jep të drejtën të nëpërkëmburve,
u jep ushqimin të uriturve.
Zoti i çliron robërit,
_______________
Zoti u jep dritën e syve të verbërve,
Zoti i ndreq të kërrusurit,
Zoti i do të drejtët,
Zoti i mbron ardhacakët,
_______________
u ndihmon bonjakëve e të vejave,
ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.
Zoti do të mbretërojë për jetë,
Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.
_______________

Leximi i dytë (Jak 5, 7-10)
Në dimër toka shfaqet jopjellore, por bora fsheh nën vete farën dhe e mbron. Duhet durimi i fortë i bujkut që ka besim në tokën dhe pret me siguri prodhimin. Edhe njerëzit ndonjëherë kanë një pamje të mjerë, por nuk duhet të ndalemi në pamjen e jashtme, meqë hiri i Hyjit vepron në brendësi dhe shndërron. Ne presim ripërtëritjen e të gjitha gjërave. Në mes të dimrit ne mendojmë për pranverën.

Lexim prej Letrës së shën Jakobit apostull
Vëllezër, jini të durueshëm deri në ditën e ardhjes së Zotit! Ja, edhe bujku e pret frytin e çmueshëm të tokës i durueshëm me të deri ta kapë shiu i lashtë dhe i voni. Jini të durueshëm edhe ju, forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit u afrua!
Mos u ankoni, vëllezër, njëri kundër tjetrit, që të mos dënoheni! Qe: Gjykatësi qëndron para derës! Merrni, o vëllezër, për shembull të vuajtjes edhe të duresës profetët që folën në emër të Zotit. Fjala e Zotit

ALELUJA, Aleluja.
Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua, sepse Zoti më shuguroi,
më dërgoi t’u sjell të përvuajturve lajmin e gëzueshëm.
Aleluja.

Ungjilli (Mt 11, 2-11)
Gjon Pagëzuesi është i tronditur: Jezusi ndoshta nuk është Mesia që priste: nuk ndëshkon por shëron, nuk dënon madje dhuron jetën. Ai gjendet në burg dhe dëshiron të njohë nëse Jezusi është me të vërtetë Mesia. Përgjigja e Jezusit dhënë nxënësve të Gjonit pohon që Jezusi është me të vërtetë i dërguari i Hyjit për shpëtimin e njerëzve. Në fakt me ardhjen e Jezusit të verbrit shohin, të paralizuarit ecin dhe të varfërve u shpallet lajmi i mirë. Hyji vjen të na takojë në faktet konkrete të përditshme e në qetësi.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, kur Gjoni dëgjoi në burg për veprat e Krishtit, dërgoi nxënësit e vet për ta pyetur: “A je ti Ai që do të vijë, apo duhet të presim një tjetër?”
Jezusi i përgjigji: “Shkoni e tregoni Gjonit çka po dëgjoni e çka po shihni: të verbrit po shohin, të shqeptë po ecin, të gërbulurit po pastrohen, të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen, të varfërve po u predikohet Ungjilli. I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua!”
Kur shkuan ata Jezusi filloi t’i flasë turmës për Gjonin: “Çka dolët të shihni në shkreti? Kallamin që luhat era? Apo çka dolët të shihni? Njeriun që veshet në petka të bukura? Qe, ata që veshën me petka të bukura, ata banojnë në pallate mbretërore! Po, pse atëherë dolët? Të shihni një profet? Po, po ju them: edhe më tepër se një profet, sepse Gjoni është ai, për të cilin Shkrimi shenjt thotë: ‘Ja, unë po e dërgoj lajmëtarin tim para teje që ta bëjë gati udhën tënde para teje!’
Përnjëmend po ju them: ndër ata që u lindën prej grash nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi; megjithatë më i vogli në Mbretërinë e qiellit është më i madh se ai.” Fjala e Zotit.

11 dhjetor 2019, 15:45