Kërko

Vatican News
S. Messa Madonna di Guadalupe S. Messa Madonna di Guadalupe  (Vatican Media)

Më 12 dhjetor Dita kontinentale e lutjes për paqe në Amerikën Latine

Këshilli ipeshkëvnor i Amerikës Latine fton Konferencat episkopale, organizatat kishtare, komunitetet rregulltare, lëvizjet apostolike dhe mbarë popullin e Zotit në përgjithësi të bashkohen në këtë Ditë kontinentale të lutjes për paqe për popujt e Amerikës Latine e të Karaibeve.

R.SH. - Vatikan

Nesër më 12 dhjetor, në festën e Zonjës së Guadalupes, Këshilli ipeshkëvnor i Amerikës Latine (Celam) dëshiron t’ia besojë, ndërmjetësimit të saj amnor, dhimbjet dhe gëzimet e popujve të Amerikës Latine e të Karaibeve. Në një njoftim për shtyp, Këshilli ipeshkëvnor i Amerikës Latine (Celam) "fton Konferencat Episkopale, organizatat kishtare, komunitetet rregulltare, lëvizjet Apostolike dhe  mbarë popullin e Zotit për t'u bashkuar në Ditën kontinentale të lutjes për paqe që organizohet më datën 12 dhjetor.

Synimi është për t’u bashkuar në lutje me një qëllim të përbashkët që tek të gjitha vendet dhe popujt e kontinentit të Amerikës Latine të rivendoset paqja e harmonia. Këshilli ipeshkëvnor i Amerikës Latine (Celam) bën thirrje me komunitetet e famullive kishtare, lëvizjet apostolike, Konferencat episkopale lokale, familjet apo miqtë, të organizohen një moment lutjeje, recitimi i Rruzares së Shenjtë, pjesëmarrja në një liturgji të Fjalës së Zotit apo në Eukaristi, ose t'i kushtohet një hapësirë kohe gjatë ditës së nesërme për t'u lutur për paqen e harmoninë e popujve të Amerikës Latine e të Karaibeve”.

Këshilli ipeshkëvnor i Amerikës Latine kujton se mesazhi i Virgjëreshës së Guadalupes është ai i harmonisë ndërmjet të gjithë popujve në një qytetërim të përbashkët dashurie e përkushtimi ndaj Zotit". Historia e Zojës së  Guadalupes, shton njoftimi i Celam, nënvizon se, "Maria na mëson më së mëri se si duhet inkulturuar Ungjilli, ajo është shkollë  feje e shërbimi, së cilës duam t’ia  besojmë fatin e popujve tanë".

Festa e Zojës sonë të Guadalupes, që kremtohet më 12 dhjetor – është “pedagogia” e fesë, “pedagogia” e inkulturimit të fesë së krishterë në zemrën e popujve të Amerikës Latine, Ylli i ungjillëzimit të ri – është ndihmë për të realizuar në jetën e njerëzve të këtij kontinenti, që e besojnë me fe, por edhe e dëshmojnë përmes përvojës historike e personale të latinoamerikanëve, se Krishti arrihet përmes Marisë. Prandaj kjo festë e 12 dhjetorit u kujton latinoamerikanëve ftesën ta rijetojnë, ta aktualizojnë sërish vetëdijen e së vërtetës, të dinjitetit, të arsyes e të bukurisë së qenies të krishterë.

11 dhjetor 2019, 12:19