Kërko

Vatican News
 Shën Françesku i Asizit dhel Sulltani i Egjptit AL-Kamil, në vitin 1219 Shën Françesku i Asizit dhel Sulltani i Egjptit AL-Kamil, në vitin 1219 

Tryezë e rrumbullakët në Tiranë: “Islami dhe krishterimi, ndërmjet historisë dhe perspektivave”

800-vjetori i Françeskanëve në trojet shqiptare përmes takimeve, konferencave, botimeve, tryezave të rrumbullakëta. Provinca françeskane e Shqipërisë, sipas traditës, u themelua nga vetë Shën Françesku, pikërisht kur kthehej nga takimi historik me Sulltanin, Melek-el-Kemal. Mbi këtë mbahet një takim në Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Tiranë, më 23 nëntor 2019, në orën 10.30.

R.SH. - Vatikan

E presin me veprimtari shumë të pasura, 800-vjetorin e tyre në trojet shqiptare, Fretërit e Vegjël Françeskanë. Organizohen takime, botime të posaçme, simpoziume e edhe biseda me njerëz të thjeshtë, që  kanë dëshirë ta njohin më mirë “zhgunin” e murrmë, në të gjitha veprimtaritë shumëshekullore. E ndërmjet këtyre veprimtarive, duhet theksuar edhe dialogu me islamin i të bijve të Françeskut, i cili u priu sivëllezërve, me takimin e tij të mirënjohur me Sulltanin, Melek-el-Kemal.

Duke ndjekur pikërisht këtë shembull, Fretërit e Vegjël të Shqipërisë, me rastin e 800-vjetorit të këtij takimi, organizojnë një tryezë të rrumbullaktë, titulluar “Islami dhe krishterimi ndërmjet historisë dhe perspektivave”. Takimin, që organizohet në Aula Magna të Universitetit “Zoja e Këshllit të Mirë”, në Tiranë, më 23 nëntor 2019, në orën 10.30, do ta hapë provinciali i Fretëve të Vegjël të Shqipërisë dhe Malit të Zi, fra Aurel Gjerkaj. Do të përshndesë pastaj, Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo O.P. Kumtesat që do të mbahen me këtë rast, synojnë të hapin horizonte të reja, lidhur me këtë temë me rëndësi të dorës së parë në një vend, ku bashkëjetojnë të krishterë e myslimanë”, bashkjetesë që Papa Françeku e pati vënë në qendër të vëmendjes gjatë shtegtimit të tij në Shqipëri.

Françesku i Asizit tek Sulltani: ftesë për dialog!

Ky, për të cilin po flasim, njihet si një nga gjestet më të jashtëzakonshme paqësore në historinë e dialogut ndërmjet krishterimit e islamit: sot do të flitej për dialog ndërfetar, term i panjohur në epokën mesjetare, pikërisht 800 vjet më parë. Jemi në muajin qershor të vitit të largët 1219, në kulmin e Kryqëzatës V. Françesku i Asizit niset nga qyteti i tij, për t’u takuar me myslimanët, pas disa përpjekjeve të tjera të dështuara. I qe ngulur në kokë se do të mund e se duhej të bënte diçka, për t’i mbrojtur viset ku lindi, u rrit, predikoi, vdiq mbi kryq, u ngjall e u ngjit në qiell Jezu Krishti. Sa të vërteta feje, për t’u shpëtuar. U nis, pra. E arriti në portin Saint-Jean-D’Arc, në veri të Palestinës (qyteti i sotëm Akka i Izraelit), me një varkë, ngarkuar me ushtarakë e tregtarë. Shoqërohej nga disa fretër. E dëshironte të largohej nga kampi i krishterë, për t’i bërë një vizitë Sulltanit të Egjiptit, Melek-el-Kemal.

Dëshiron ta takojë patjetër. Dhe s’luan këmbë që aty, pa e takuar. Ndoshta gjatë armëpushimit të shtatorit, në portin e Damiettës, mbi deltën e Nilit, rreth 200 km në veri të Kairos, ku nipi i Saladinit i priti fretërit (ka shumë mundësi të ketë pritur Françeskun me fra Nriçimin) me shumë mirësjellje, ndonëse në kundërshtim me gjithë oborrtarët. Madje u bëri edhe dhurata, të cilat i Vobegti i Asizit, kuptohet, nuk i pranoi.

Ky episod përshkruhet nga një mori burimesh të krishtera, duke nisur nga Vita Prima e Tommaso da Celano, në Kapitullin 20 (fq 422), për të vijuar me Legjendën e Madhe e Shën Bonaventurës në Kapitullin 3 (fq. 1356) dhe tek Fioretti (Rrëfenjat), Kap. 24 (fq 185); e pastaj, Letrat  e Jacques de Vitry (FF 2226-2228); Kronika e Ernoul(2231-2234), për të kujtuar vetëm disa prej tyre (më “historike” e dy të fundit, edhe më të besueshme, sepse pa qellime hagjiografike). “Nuk pati frikë fare të shkonte në mes të ushtrisë së armiqve tanë e për disa ditë ua predikoi saraçenëve fjalën e Zotit, por me pak përfitim”, shkruan Jacques de Vitry.

Pikërisht nga ky udhëtim kthehej Françesku për t’u ndaluar, gjithnjë sipas traditës në Lezhë, duke vënë kështu edhe gurin e parë të dialogut me islamin, - në qendër të vëmendjes së tryezës së rrumbullakët të Fretërve të Vegjël.

22 nëntor 2019, 15:53