Krishti Pantokrator, Jeruzalem Krishti Pantokrator, Jeruzalem 

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së 34-t të vitit kishtar 'C'

Ungjilli i kësaj së diele, e fundit e vitit të zakonshëm kishtar, para Kohës së Ardhjes, është marrë nga kapitulli i 23-të i shën Lukës e i përgjigjet solemnitetit të sotëm të Kishës, e cila kremton Krishtin – Mbret i Gjithësisë. Është historia e hajdutit të kryqëzuar bashkë me Jezusin, që duke i besuar Birit të Zotit, i kërkon të kujtohet për të në Mbretërinë e vet. Po atë ditë, Krishti i premton se do të hyjë me të në Parriz.

R.SH. - Vatikan

Ja fragmenti ungjillor:

“Në atë kohë, 35 populli rrinte aty e ‘kundronte’. Anëtarët e Këshillit të Lartë e ‘përqeshnin’ duke thënë: ‘Tjerët i shpëtoi, le ta shpëtojë vetveten, nëse është Mesia i Hyjit - ‘I zgjedhuri’!’ 36 Edhe ushtarët e vinin në lojë. Iu afruan për t’i dhënë uthull 37 dhe i thanë: ‘Nëse je ti mbreti i judenjve, shpëto vetveten!’ 38 Mbi të ishte edhe mbishkrimi: ‘Ky është mbreti i judenjve’.

39 Njëri nga kriminelët e kryqëzuar e fyente: ‘Po a nuk je ti Mesia?! Shpëto veten edhe ne!’ 40 Por ai tjetri e qortoi shokun: ‘As ti nuk e druan Hyjin?... Ky s’bëri asnjë të keqe!’ 42 Dhe tha: ‘Të bie ndër mend për mua, o Jezus, kur të arrish në Mbretërinë tënde!’

43 E Jezusi i tha: ‘Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në Parriz’”.

Të lutemi së bashku:

Erdhi kjo orë e tmerrshme e sprovës,

që ta pati paralajmëruar tunduesi i madh.

Të braktisën të gjithë, o Jezus,

e tani, i gozhduar në kryq,

të përqeshin e të pështyjnë.

Ti që shërove, çove në këmbë, lirove, dhurove sërish jetën…

tani, s’je në gjendje as të shpëtosh vetveten…

 

Mbi krye të kanë vendosur

një frazë, që tingëllon si tallje:

Ky është mbreti i judenjve!

Po je mbret i zhveshur, mbret i gozhduar,

mbret me kurorën me gjemba,

mbret i këputur nga gulçimet,

mbret, që po vdes mbi atë kryq të drunjtë!

 

Erdhe si Mesia,

duke shpallur lirimin e shumëpritur,

duke folur për planin e madh të Zotit,

e tani, nuk mund të lëvizësh as gishtin

për t’i kursyer vetes pak vuajtje,

për ta shpëtuar jetën nga ky dështim mizor.

 

Por, në këtë orë të tmerrshme

ka akoma nga ata, që besojnë në Ty.

Është dikush, që e pranon se ka marrë

dënimin që meriton…

e pavarësisht nga kjo, e lë shpirtin në dorën hyjnore:

Kujtohu për mua, kur të arrish në Mbretërinë tënde.

 

O Zot, nuk është aspak e vështirë

ta shoh veten si ky i dënuar me vdekje.

E di se nuk jam i përsosur,

e di se kam bërë shumë marrëzira,

e di se kam rënë shpesh në tundim,

por, kam besim në Ty,

në dashurinë Tënde çarmatosëse,

në dashurinë Tënde të vuajtur,

në dashurinë Tënde të përqeshur.

Sepse Ti erdhe shi për ata, që janë krejt si unë…

23 nëntor 2019, 08:56