Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së 31-të të vitit kishtar
R.SH. - Vatikan
“1 Jezusi hyri në Jeriho dhe po kalonte nëpër qytet. 2 Dhe, ja, një njeri që quhej Zake. Ky ishte kryetagrambledhës dhe pasanik. 3 Dëshironte të shihte kush është Jezusi, por nuk mundte prej popullit, sepse ishte shtatvogël. 4 U lëshua vrap përpara, shkoi e hipi në një fik për ta parë sepse andej do të kalonte. 5 Kur Jezusi erdhi në atë vend, shikoi përpjetë dhe i tha: ‘Zake, zbrit shpejt! Sot do të vij të rri në shtëpinë tënde!’ 6 Ai zbriti me nxitim dhe e pranoi plot gëzim. 7 Të gjithë ata që panë, filluan të nynykasin… 8 Zakeu u ngrit në këmbë dhe i tha Zotërisë: ‘Qe, Zotëri, gjysmën e pasurisë po ua jap skamnorëve, e, nëse ia kam bërë ndokujt ndonjë të padrejtë, ia kthej katërfish!’ 9 Atëherë Jezusi i tha: ‘Sot i erdhi kësaj shtëpie shëlbimi… 10 Biri i njeriut erdhi ta kërkojë e ta shëlbojë atë që pati humbur’”.
Të lutemi së bashku:
Çelësi i gjithçkaje, o Jezus,
është në atë frazë,
në dukje krejt e thjeshtë,
që i the Zakeut,
duke ia prekur zemrën:
“Sot, do të vij në shtëpinë tënde”.
Po! E dinte mirë Zakeu
se shtëpia e tij nuk shihej me sy të mirë,
për shkak të veprimeve të tij e të atyre, që punonin për të,
për shkak të detyrës së tyre të urryer
e të mënyrës së poshtër
me të cilën e zbatonin
duke shkelur çdo të drejtë,
duke mos pyetur aspak për fatkeqësitë
e të varfërve dhe të të pambrojturve.
Po, po, e dinte mirë Zakeu
që judeasit e vërtetë rrinin larg
nga shtëpia e tij e nga ai vetë
e bënin ç’është e mundur të mos e takonin.
Të gjithë, por jo Ti, o Jezus,
sepse për Ty çdo shtëpi
e meriton të vizitohet
që ta prekë hiri i Tënzot,
sepse për Ty në çdo njeri
fshihet, megjithëse i mbuluar
me poshtërsi të neveritshme,
një bir i Abrahamit,
njeriu në kërkim të Zotit,
që dëshiron ta ndryshojë jetën
të ketë paqe e gëzim.
Kjo e preku Zakeun
e kjo prek çdo njeri, edhe sot,
kur Ti troket në derë.