Kërko

Jezusi e Zakeu Jezusi e Zakeu 

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së 31-të të vitit kishtar

Ungjilli i kësaj së diele është marrë nga kapitulli i 19-të i shën Lukës e na tregon historinë e Zakeut, që duke dashur ta shihte Jezu Krishtin me çdo kusht, e pati Zotin për vizitë në shtëpi dhe, i penduar për mëkatet e veta, fitoi shëlbimin. Ja, pjesa ungjillore:

R.SH. - Vatikan

1 Jezusi hyri në Jeriho dhe po kalonte nëpër qytet. 2 Dhe, ja, një njeri që quhej Zake. Ky ishte kryetagrambledhës dhe pasanik. 3 Dëshironte të shihte kush është Jezusi, por nuk mundte prej popullit, sepse ishte shtatvogël. 4 U lëshua vrap përpara, shkoi e hipi në një fik për ta parë sepse andej do të kalonte. 5 Kur Jezusi erdhi në atë vend, shikoi përpjetë dhe i tha: ‘Zake, zbrit shpejt! Sot do të vij të rri në shtëpinë tënde!’ 6 Ai zbriti me nxitim dhe e pranoi plot gëzim. 7 Të gjithë ata që panë, filluan të nynykasin… 8 Zakeu u ngrit në këmbë dhe i tha Zotërisë: ‘Qe, Zotëri, gjysmën e pasurisë po ua jap skamnorëve, e, nëse ia kam bërë ndokujt ndonjë të padrejtë, ia kthej katërfish!’ 9 Atëherë Jezusi i tha: ‘Sot i erdhi kësaj shtëpie shëlbimi… 10 Biri i njeriut erdhi ta kërkojë e ta shëlbojë atë që pati humbur’”.

Të lutemi së bashku:

Çelësi i gjithçkaje, o Jezus,

është në atë frazë,

në dukje krejt e thjeshtë,

që i the Zakeut,

duke ia prekur zemrën:

“Sot, do të vij në shtëpinë tënde”.

 

Po! E dinte mirë Zakeu

se shtëpia e tij nuk shihej me sy të mirë,

për shkak të veprimeve të tij e të atyre, që punonin për të,

për shkak të detyrës së tyre të urryer

e të mënyrës së poshtër

me të cilën e zbatonin

duke shkelur çdo të drejtë,

duke mos pyetur aspak për fatkeqësitë

e të varfërve dhe të të pambrojturve.

 

Po, po, e dinte mirë Zakeu

që judeasit e vërtetë rrinin larg

nga shtëpia e tij e nga ai vetë

e bënin ç’është e mundur të mos e takonin.

Të gjithë, por jo Ti, o Jezus,

sepse për Ty çdo shtëpi

e meriton të vizitohet

që ta prekë hiri i Tënzot,

sepse për Ty në çdo njeri

fshihet, megjithëse i mbuluar

me poshtërsi të neveritshme,

një bir i Abrahamit,

njeriu në kërkim të Zotit,

që dëshiron ta ndryshojë jetën

të ketë paqe e gëzim.

 

Kjo e preku Zakeun

e kjo prek çdo njeri, edhe sot,

kur Ti troket në derë.

02 nëntor 2019, 09:49