Gjithë Shenjtorët Gjithë Shenjtorët 

Sot, festa e Gjithë Shenjtorëve. Halloween është festa e tokës “Kreu i kohës”

Njëherësh me solemnitetin e krishterë, në viset tona të veriut të Evropës, e edhe ndër ne, kremtohen akoma traditat pagane, që na kujtojnë ritmet e bujqësisë e të jetës së bujqve.

R. SH. - Vatikan

Prej vitesh, kur afrohet Solemniteti i Gjithë Shenjtorëve, shikojmë simbole të kundërta - që u përkasin dy konteksteve kulturore, tradicionale e fetare krejtësisht të ndryshme - të cilat kanë të bëjnë me ditët e fundit të tetorit e, në veçanti, me natën, që shënon kalimin në Festën e Gjithë Shenjtorëve. Duhet bërë një farë përpjekjeje për të mos e quajtur këtë natë Halloween, siç kanë filluar ta quajnë shumica. E nisur nga Veriu i Evropës, Halloween po e kolonizon botën, falë filmave, librave e ngjarjeve që, natyrisht, lidhen ngushtë me shitjen e një mori prodhimesh simbolike, të cilat mund të krahasohen vetëm me ata të Krishtlindjes. Janë sende, që i tërheqin pa masë posaçërisht fëmijët. Sepse Halloween, me kokëkungujt, me flokët e ngatërruar, me veshjet e zeza, mustaqet e pikturuara, kryesisht në botën anglosaksone, është sidomos festë e fëmijëve. Ata vihen në kërkim ëmbësirash, në ngjasim të kullanave tona, duke lavdëruar kë ua dhuron  - e duke e kërcënuar, kë ua mbyll portën. E kjo quhet “ëmbëlsirë -   shtrembërsirë”.

Në dukje krejt e ëmbël, kjo festë është shumë larg nga tradita madhështore   katolike e ditës që, duke nisur nga mbrëmësoret e 31 tetorit, kremton Gjithë Shenjtorët, themeluar, ndoshta, 1.400 vjet më parë nga Papa Bonifaci IV, me rastin e kushtimit të Panteonit të Romës, Marisë e Gjithë Shenjtorëve; kishë, që e zevendësoi emrin pagan të tempullit, kushtuar “gjithë zotave”, me atë, tejet kristian, Santa Maria Rotonda.

Po ta shikosh punën hollë, do të vëresh se nuk mungon një farë lidhjeje ndërmjet dy festave, sepse Halloween nuk është tjetër, veçse përsëritje  e festës së lashtë, të njohur me emrin All Hallow’ Eve, domethënë “Nata e gjithë shpirtrave të shenjtë”, pa dyshuar aspak se shenjtorët kanë të bëjnë pak e aspak me demonët e vegjël. Përkon me këtë natë edhe një festë tjetër, që nuk ka të bëjë as me shenjtorë e as me djaj, por me tokën. Lindi nga një traditë mijëravjeçare, që vijon të praktikohet, si festë e ciklit të vitit agrar. Quhet “Kreu i kohës”. Nuk kremtohet në një ditë të vetme, por zgjat dymbëdhjetë ditë. Nis natën e 31 tetorit e përfundon  më 11 nëntor, ditën e  festës së Shën Martinit. Por, si e nga lindi kjo festë? Posaçërisht nga  koha e  nisjes së punimeve të para të tokës, për të vijuar me verën e parë. Këtë çast na e kujton poeti italian Karduçi,  në një poezi, në të cilën ndjehet sesi ndër bute shndërrohet mushti në verë e nisin ditët e festës gazmore të kohës Shkruan poeti italian: “Ndër bute nis e shkumbon/ vera, e aromën përhap/ që shpirtin ta gazmon!”(Carducci: “Shën Martini”). E akoma, ndoshta fillimisht, kjo festë lindi nga lidhja e kontratave të reja bujqësore, që niste zakonisht në këto ditë, kur jepeshin tokat me qira për një vit tjetër. Festa quhej “Kreu i kohës” e shoqërohej me procesione, ceremoni gjysëm pagane e këngë, që shkonin e përfundonin, pastaj, para altarit të ndonjë kishe, e kryesisht, para sofrave, në të cilat derdhej pa kursim vera e parë. Cap’tiempe ishte koha e gostive. Të gjallët hanin frytet e vjeshtës, e para së gjithash, kungujt që - të zbrazur nga pulpa, shpoheshin, në ngjasim të kokës së njeriut, me sy, hyndë e gojë. Pasi brenda tyre ndizej një qiri,  niste shtegtimi me ta nëpër rrugët e errëta të vendit, ose viheshin në prag të dritareve. Siç e shihni, në këtë traditë kishte shumë pak Halloween, e shumë kulturë të tokës.

Po të vdekurit? Edhe në lashtësi, gjithë shenjtorët kishin lidhje me të vdekurit. Sepse edhe të vdekurit festonin. Dilnin, në fund të tetorit, nga toka, ku qenë kallur, për t’u rikthyer, për një natë të vetme, në viset ku kishin gjalluar. E besohej se edhe ata shtroheshin në gosti. Gjatë natës së 31 tetorit, riktheheshin në shtëpitë e tyre, të padukshëm, e uleshin rreth sofrës gjithë gaz, duke i falënderuar të gjallët, që nuk kishin harruar t’i ftonin në këtë natë feste, natë çlirimi nga errësira e varrit. Në dritën e qirinjve, të vdekurit festonin, ndersa të gjithë njerëzit e shtëpisë dremisnin. Të shuarit gëzoheshin, duke kujtuar ç’lanë mbi dhe, pa bërë kurrfarë zhurme, që të mos i zgjonin të gjallët nga gjumi. Sepse kështu festa do të merrte fund. Festonin të vdekurit, deri sa niste të shkrepë agimi. Atëherë zoti i vdekjes  i vinte para me kamxhik, duke i detyruar të riktheheshin në varr. Nuk donin, po s’kishin nga t’ia mbanin. Atëhere në varrezë niste kuja. Nuk ishin të gjallët, që qanin të vdekurit, por të vdekurit, që qanin vetveten e nuk donin të riktheheshin në botën tjetër. Ndërkaq,  në shtëpinë, që zgjohej, njerëzit, pasi bënin shenjën e kryqit, hynin në kuzhinë për të kontrolluar sa stola ishin zhvendosur e sa ujë kishin pirë të vdekurit, nga shtamba e lënë në mes të sofrës. Pastaj shuanin qirinjtë e fundit. Nuk duheshin më. Sepse nga dritaret hynte dita e re, “Kreu i ri i Kohës”.

E, duhet kujtuar se këto mite pagane janë të gjalla e dhe sot e kësaj dite në kujtesën e të moshuarve, edhe në Shqipëri, sidomos në atë jugore. Prej këndej, edhe lënia e ushqimeve mbi varre. Ndërsa në atë veriore Gjithë Shenjtorët ua kanë zënë pothuajse plotësisht vendin demonëve e kungujve!

01 nëntor 2019, 14:50