Kërko

Vatican News
 Meshtari armen i vrarë në Siri, Atë  Hovsep Bedoyan Meshtari armen i vrarë në Siri, Atë Hovsep Bedoyan 

Siri, vritet në një pritë të Isis një meshtar armeno-katolik

Atë Hovsep Bedoyan u vra, së bashku me atë Abraham në një pritë, nga vrasës me fytyra të mbuluara, gjatë udhëtimit me automobil në distriktin e Busayara, në lindje të Dayr az Zor, ndërsa diakoni Fadi Sano mbeti i plagosur. Isis e pranoi autorësinë e atentatit. Ndërsa dy autobomba shpërthyen në Qamishli, kryeqendër e rajonit autonom kurd-sirian, duke shkaktuar 6 të vdekur e 22 të plagosur. Njëra shpërtheu pranë një kishe kaldease.

R. SH. - Vatikan

Një meshtar armeno-katolik, atë Hovsep Bedoyan, famullitar i Qamishli e Hasakeh, në Siri, u vra së bashku me atin, Abraham, në një pritë nga vrasës me fytyra të mbuluara, kur po udhëtonte me automobil në distriktin e Busayara, në lindje të Dayr az Zor, ndërsa diakoni Fadi Sano mbeti i plagosur. Isis e pranoi autorësinë e atentatit.

Të tre shtegtonin me mision, për të kontrolluar punimet e restaurimit të kishës katolike armene të Dayr az Zor. Automobili me të cilin udhëtonin, u bë shoshë nga të shtënat. Atë Bedoyan lë pas gruan me tre fëmijë: një djalë 21 vjeç dhe dy vajza 16 e 10 vjeçe. Jemi në Sirinë lindore, në një zonë nën kontrollin e forcave kurdo-siriane, ku janë të pranishëm edhe ushtarakë amerikanë, të cilët nuk u tërhoqën asnjë herë nga lindja e lumit Eufrat, tejet e pasur me burime nafte. Në auto, me atin Bidu, ishte edhe një diakon, që u plagos rëndë.

Isis e pranoi autorësinë e atenatit, duke pohuar se vrau dy priftërinj, jo një. Pak pas vrasjes, burime të ndryshme pohuan se viktima e dytë nuk është meshtar, por i ati i Hovsep, Abraham, e, për fat, diakoni është ende gjallë, ndonëse i shtruar në spital, në gjendje të rëndë. Zona e Busayra-s, mbi bregun lindor të Eufratit, prej dy vjetësh është fortesë e kryngritjes së armatosur xhihadiste. E edhe pas njoftimit, marsin e kaluar, se forcat e Isisit ishin shpartalluar në këtë zonë, milicët mbetën, sepse bëjnë pjesë në bashkësitë arabe vendase, që mbajnë qëndrim tepër armiqësor kundër forcave kurde e atyre amerikane.

Kisha katolike armene është një bashkësi e vogël, por shumë e lashtë kristiane, e njohur zyrtarisht që në vitin 1742. Sot numëron rreth 600 mijë besimtarë. Kishë patriarkale “sui iuris”, domethënë në bashkim të plotë me Romën, gëzon një farë autonomie të riteve. Është posaçërisht e pranishme në Liban, Iran, Irak, Egjipt, Siri, Turqi, Izrael, Palestinë. Selia e saj kryesore ndodhet në Bzoummar të Libanit e primati i saj është patriarku i Çiliçisë (Beirut), aktualisht Krikor Bedros XX Ghabroya, 85 vjeç, në krye të kësaj kishe që nga vitit 2015.

Dy autobomba në Qamishli, njëra pranë një kishte kaldease

Pasdite, pastaj, në qytetin Qamishli, në veri-lindje të vendit, u hodhën në erë dy autobomba, njëra prej të cilave shpërtheu pranë një kishe kaldease. Bilanci i përkohshëm është 6 të vdekur e 22 të plagosur. Ky sulm është ende pa autor, ndonëse edhe këtu shihet qartë se ka gisht Shteti islamik, që tani udhëhiqet nga kreu i ri, Abu Ibrahim. Burimet në Qamishli pohojnë se  kjo zonë nuk është e krishterë e prandaj, vështirë që të kishte në shënjestër vendin e kultit kaldeas.

Bilanci i trishtuar i meshtarëve e rregulltarëve të vrarë a të rrëmbyer në Siri

Meshtari katolik i vrarë sot, është vetëm njëri nga priftërinjtë e shumtë të vrarë ose të zhdukur në Siri, gjatë luftës. Ndërmjet viktimave, kujtojmë  jezuitin hollandez Frans Van der Lugt, vrarë në Homs, në vitin 2015 dhe françeskanin Francois Murad, të cilit milicët e Isisit i prenë kokën më 2013. Ndërmjet të rrëmbyerve të zhdukur, përveç jezuitit romak Paolo Dall’Oglio, zhdukur pa gjurmë në korrik 2013, në Raqqa, kujtojmë edhe dy peshkopët ortodoksë Bulos Yazigi e Yohanna Ibrahim, rrëmbyer në veri-perëndim të vendit,  si dhe priftërinjtë e Halebit, armeno-katolikun Michel Kayyal dhe ortodoksin Maher Mahfuz, të zhdukur pasi qenë rrëmbyer.

12 nëntor 2019, 13:07