Kërko

 Së bashku, për Evropën" Së bashku, për Evropën" 

“Së bashku për Evropën”: të krishterët e Kishave të ndryshme, për unitetin e Kontinentit

“Së bashku për Evropën”: të krishterët e Kishave të ndryshme, për unitetin e Kontinentit

R. SH - Vatikan

Nisma “Së bashku për Evropën”, është sot një rrjet prej më se 300 lëvizjesh dhe bashkësish, të përhapura në mbarë Evropën. Në to marrin pjesë të krishterë, ungjillorë, katolikë, anglikanë, ortodoksë e anëtarë të Kishave të tjera. Nyjet, që lidhin këto lëvizje, janë “Miqtë”, dyqind vetë,  nga 70 prej këtyre shoqatave, të cilët punojnë pa reshtur për ta ushqyer bashkimin ndërmjet tyre dhe për të marrë vendime lidhur me nismat e përbashkëta. Synimi është njohja e sfidave të Kontinentit të Vjetër,  përpjekja për t’i përdorur karizmat, në shërbim të të gjithëve, sidomos, për të favorizuar dialogun ndërmjet Evropës lindore e asaj perëndimore.

Në bazë, pakti  i dashurisë së anasjelltë

Historia nisi 20 vjet më parë, kur, më 31 tetor 1999, me rastin e  nënshkrimit historik të “Deklaratës së përbashkët mbi Doktrinën e shfajsimit” nga Italia e Gjermania arritën në Augsburg katolikë dhe ungjillorë, drejtues të organizatave të ndryshme. Pasditen e së njëjtës ditë,   u takuan në Qendrën ekumenike të Ottmaring të Lëvizjes së Fokolarëve. E aty e ndjenë veten aq të bashkuar, sa vendosën të nisin një udhë së bashku. Dëshira e të gjithëve është ta vënë në jetën këtë dokument, parë si përgjigje, që i jepet sfidave të Kontinentit në krizë, përgjigje e bazuar  mbi pajtimin dhe dashurinë ungjillore. Por, çfarë kontributi mund t’i ofrojë Evropës kjo nismë? “Mendoj - pohon në mikrofonet tona hungarezja Ilona Tóth, e Komitetetit të orientimit të ‘Së bashku për Evropën’ -  se në një farë mënyre kultura e bashkimit duhet të jetë kjo “ne” mistike, për të cilën flet Papa Françesku. Por jo vetëm kjo. E kemi parë të realizuar edhe në Lund, ndërmjet Kishave të ndryshme, ose në hapat e bëra me ortodoksinë. Shohim se në një farë mënyre, e gjithë bota  lëviz sadopak njëri drejt tjetrit. Atëhere tek ‘Së bashku për Evropën’, gjejmë një laborator të vërtetë. Ashtu siç thotë Ati i Shenjtë, ‘Së bashku për Evropën’  është forcë që bashkon, që na lidh bashkë, edhe për të gjetur në vlerat bazë të krishterimit, përgjigjet për pyetjet e Kontinentit tonë. Ky laborator nuk është vetëm për ne, por edhe, e kryesisht, për Evropën, për botën mbarë”.

Dialogu në Evropë, ndërmjet lindjes e perëndimit

Data e shembjes së Murit të Berlinit, 9 nëntori 1989, është shumë e rëndësishme për rrjetin “Së bashku për Evropën”, sepse hapi portat për shkëmbimin e përvojës ndërmjet popujve, gjë që më parë ishte krejtësisht e pamundur.  “Është e vërtetë se muret u shembën, po jo të gjitha. Janë ende në këmbë ca mure të tjera, virtuale - kujton Ilona Tóth – sepse ndryshimet  historike e kulturore nuk kanë marrë fund, ndjehen ende në lidhjet  ndërmjet vendeve e njerëzve, duke të kujtuar menjëherë se ka ende porta, që duhen hapur. Atëhere provojmë se kështu, ne të krishterët, të lidhur fort ndërmjet nesh, me dashuri të anasjelltë, bëhemi edhe platformë dialogu ndërmjte popujve, siç ndodhi në Pragë. Kur ishim atje, vitin e kaluar, më se 40 Lëvizje, prej 20 vendeve të ndryshme, duke dëgjuar historinë e popullit çek, ne e ndjemë veten evropianë. Ndërsa mbetëm çekë, sllovakë, hungarezë, italianë a gjermanë, u bëmë shumë më tepër edhe evropianë. E, sipas meje, kjo është edhe rrugëzgjidhja: njohja reciproke!”.

Takimi më 7-9 nëntor

Për të kremtuar përvjetorin e çastit themelues, “Miqtë” e “Së bashku për Evropën”, do të rikthehen në Ottmarig dhe në Augsburg, për tri ditë reflektimi dhe propozimi lidhur me projektet e reja. Në këtë nismë, që nesër e deri më 9 nëntorin e ardhshëm, do të marrin pjesë, ndërmjet tjerësh, doktor Christian Krause, ipeshkëv e ish-kryetar i Federatës Luterane Botërore, bashkënënshkrues i “Deklaratës së shfajsimit” si dhe Pavel Fisher, senator i Republikës Çeke, që do të ofrojë një shikim mbi Evropën “30 vjet pa perde të hekurt”. Në Kishën e Shën Anës, në zemër të Augsburgut, më 9 nëntor, do të mblidhen të gjithë pjesëmarrësit, në një lutje të përbashkët për Evropën. Që këtu do të niset, më pas, edhe marshimi për kremtimin e 30-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit. Ilona Tóth nënvizon: “Ky takim i bashkon Kishat dhe të krishterët me qytetin, me politikën, sepse e ndjemë fort nevojën për ta pasqyruar fenë  tonë të krishterë, në kulturën për Evropën e sotme!

Së bashku për Evropën, nga viti 2000, deri më sot

Datat më domethënëse nisin nga marsi i vitit 2000, në Rothenburg të Gjemanisë, ku ipeshkvi luteran Ulrich Wilckens dhe Chiara Lubich, themeluese e Lëvizjes së Fokolarëve, e quajtën ndarjen e të krishterëve,   shkaktare të ateizmit, ndërsa dashurinë e anasjelltë, udhë të unitetit. Pasoi kërkesa reciproke e kërkimit të faljes për gabimet e së kaluarës ndërmjet të krishterëve të pranishëm, në emër të Kishave dhe Lëvizjeve  të tyre. Më 8 dhjetor 2001 u takuan, në Kishën ungjillore të Shën Mateut, në Munih të Bavarisë, 800 drejtues të Lëvizjeve dhe bashkësive të ndryshme. Lidhën ndërmjet tyre një pakt dashurie, që u bë bazë e “Së bashku për Evropën”. Jemi në vitin 2002. Për ta njohur më mirë këtë lëvizje katolike, disa ungjillorë u vunë për rrugë drejt Romës. Gjatë  këtyre takimeve, lindi ideja për ta bërë të dukshme përvojën e vëllazërimit, të jetuar në kontinent. Në qershor 2003, përfaqësuesit e Gjermanisë dhe të Italisë u takuan në Berlin, që të konkretizonin idenë për të ftuar edhe anëtarët  e Lëvizjeve dhe të bashkësive të ndryshme të Kishave evropiane, në një takim të madh, në Shtutgart të Gjermanisë. Do të ishte manifestimi i parë i “Së bashku për Evropën”, pasuar nga të tjerë, akoma në Shtutgart(2007), në Bruksel(2012) dhe në Muhnih(2016).

07 nëntor 2019, 11:28