Kërko

 Ipeshkvijtë  çekë në viizitë tek  Papa i Nderit Benedikti XVI më 11 nëntor 2019 Ipeshkvijtë çekë në viizitë tek Papa i Nderit Benedikti XVI më 11 nëntor 2019 

Republika Çeke. Ipeshkvi Vokál: liria është dhuratë e Zotit

Nga Republika Çeke, 2 mijë shtegtarë u nisën drejt Romës për të kremtuar 30-vjetorin e shenjtërimit të Anjezes së Bohemisë e të shembjes së regjimit komunist.

R. SH. - Vatikan

Nga Republika Çeke, 2 mijë shtegtarë u nisën drejt Romës për të kremtuar 30-vjetorin e shenjtërimit të Anjezes së Bohemisë e të shembjes së regjimit komunist. Shtegtim për të kujtuar dy ngjarje, që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e vendit.

Kanë kaluar, pra, 30 vjet, nga nëntori i vitit 1989, kur Gjon Pali II shenjtëroi Anjezën e Bohemisë. Pesë ditë më pas niste revolucioni i kadifenjtë, që solli fundin e komunizmit në Çekosllovakinë e asokohshme. “Shpesh të rinjtë  e sotëm e shikojnë si gjë të zakonshme, e të domosdoshme, lirinë” – shpjegon imzot Jan Vokál, ipeshkëv i Hradec Králové. Me këtë shtegtim duam t’u kujtojmë, posaçërisht breznive të reja, se liria është dhuratë e Zotit.

Shtegtimi

“30 vjet pas revolucionit të kadifenjtë - vijon të shpjegojë ipeshkvi -  erdhëm në Romë për të freskuar kujtesën, duke e kremtuar dhuratën e lirisë, marrë nga Zoti, përmes ndërmjetësimit të Shën Anjezes së Pragës. Nga 1 nëntori e deri sot, 13, Konferenca ipeshkvnore organizoi një shtegtim kombëtar me pjesëmarrjen e mijëra shtegtarëve, shoqëruar nga ipeshkvijtë çekë dhe një delegacion i Parlamentit të Republikës Çeke. Tri ditë të ngarkuara me veprimtari, të pasura me takime, që arritën kulmin  me Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit e me audiencën e përgjithshme të Papës Françesku.

Revolucioni prej kadifeje

Ishte 17 nëntori i vitit 1989. Muri i Berlinit sapo ishte shembur. Me të, kishte nisur të fryjë era e lirisë në Çekosllovakinë e atëhershme. Mijëra njerëz vërshuan në rrugët e Pragës, ku shkruan kapitullin e parë të rikthimit të lirisë. Pikërisht një ditë më parë, më 12 nëntor, Anjeza e Pragës lartohej në nderimet e altarit - tregon imzot Vokál. Një nga rolet më themelore në këtë ngjarje të jashtëzakonshme e luajti, pa dyshim, Gjon Pali II, që  pati dëshiruar shumë të vinte në Pragë me këtë rast. Gjithsesi, regjimi komunist u tremb aq, sa u dha leje 10 mijë beismtarëve të shkonin në Romë, duke e shmangur kështu, rrezikun që Papa të vinte vetë në Pragë. Me shenjtërimin e Anjezes së Bohemisë, populli çek rifitoi lirinë njëherësh me mundësinë edhe për t’u lutur lirisht. “Me këtë shtegtim - nënvizon - rijetuam frymën e atëhershme të entuziazmit e të mirënjohjes së pamasë ndaj Zotit”.

12 nëntor 2019, 16:17