Kërko

Vatican News
Krishti, Mbret i Universit Krishti, Mbret i Universit  (©paracchini - stock.adobe.com)

Pse kemi frikë nga vdekja?

Mjafton të kujtojmë fjalën “vdekje” për të na lindur një mori pyetjesh, e jo më pak, frika nga fundi! Pse?

R. SH. - Vatikan

Mjafton të kujtojmë fjalën “vdekje” për të na lindur një mori pyetjesh, si “Pse kemi frikë nga vdekja? Pse njerëzimi nuk ka besuar kurrë se përtej kësaj jete, nuk ka gjë tjetër, veç hi e pluhur? Pse shkojmë në varreza, për t’u lutur mbi varret e të dashurve…”. Përgjigjet janë të shumta, sa edhe pyetjet: kemi frikë përballë vdekjes, sepse kemi frikë nga ideja e agjësimit të plotë, nga nisja drejt horizonteve të panjohura. E atëherë vetvetiu lind dëshira për të mos vdekur kurrë. A për të jetuar sa më gjatë.  E nuk duam ta pranojmë se gjithçka e bukur dhe e madhe, që realizuam gjatë gjithë jetës, rrënohet me një frymë. Me frymën e fundit. Atëherë nuk mund të mos mendojmë për amshimin! E të mos e dëshirojmë me gjithë zemër.

Por është edhe një arsye tjetër, që na shtyn të kemi frikë nga vdekja: gjykimi, që na pret për veprimet tona, posaçërisht për ato hije, të cilat na rëndojnë mbi ndërgjegje.

Atëhere mund të ndalemi e të kujtojmë një çast skenën e Kalvarit e të ridëgjojmë fjalët e Jezusit, nga lartësia e Kryqit, drejtuar bakeqit të kryqëzuar më të djathtën e Tij: “Me të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në Parriz!” (Lk 23,43). A të mendojmë për dy dishepujt e Emmaus kur, pasi bënë një copë udhë me Jezusin e Ngjallur, e njohën dhe u nisën me vrap për Jeruzalem, për të kumtuar Ngjalljen e  Zotit!

Në mendje na jehojnë qartë fjalët e Mësuesit: “Mos të trazohet zemra juaj! Kini besim në Zotin, e edhe në mua. Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa. Po të mos kishte, nuk do t’ju kisha thënë: ‘Po shkoj t’ju bëj gati një vend’”.

Zoti  u bë i dukshëm, e deshi botën aq, sa të jepte Birin e vet të vetëm, që kushdo  beson në të, të mos  zhduket pa shenjë pa dukë, por të ketë jetën e pasosur. Krishti nuk na lë kurrë vetëm në honin e zi të vdekjes. E ka provuar vetë! Ndaj mund të ecim pa frikë pas Tij. Ai e njeh mirë rrugën, edhe  në errësirë.

Prandaj këto ditë nëntori, kur shkojmë të lutemi me dashuri e mall mbi varret e të dashurve, ta rijetojmë këtë shpresë të madhe e t’ia dëshmojmë botës. Pas së sotmes nuk është errësira e zbrazët.  Është “Banesa, që na e  bëri gati Zoti ynë, Jezu Krishti!”.

09 nëntor 2019, 15:37