Kërko

 Papa polak dhe kardinali Wyszynski Papa polak dhe kardinali Wyszynski 

Poloni: Mbledhja plenare e ipeshkvijve, kushtuar Papës Wojtyla dhe Wyszyński-t

Ipeshkvijtë polakë, në Mbledhjen e tyre plenare, diskutuan posaçërisht rreth mundësisë për ta shpallur Gjon Palin II “Doktor i Kishës dhe Bashkëpajtor i Evropës” si dhe për përgatitjet lidhur me lumnimin e kardinalit Stefan Wyszyński.

R. SH. - Vatikan

Shën Gjon Pali II dhe i Lumi i ardhshëm, Kardinali Stefan Wyszyński. Ishin këto  dy çështjet, rreth të cilave diskutoi Asambleja e 385-të Plenare e Konferencës  ipeshkvnore polake, mbajtur në Jasna Gora, më 18 deri më 21 nëntor, e  udhëhequr nga kryeipeshkvi Stanisław Gądecki, kryetar i Konferencës.

Të shpallet Gjon Pali II, Doktor i Kishës dhe Bashkëpajtor i Evropës

Në mënyrë të veçantë - lexohet në komunikatën e përhapur në përfundim të punimeve - prelatët polakë diskutuan për mundësinë e shpalljes së Papës Gjon Pali II, bashkatdhetar i tyre, Doktor i Kishës dhe Bashkëpajtor i Evropës, “Njohja e titullit Doktor i Kishës - pohojnë ipeshkvijtë - është tregues i një karizme të veçantë, me të cilën Shpirti Shenjt e pajisi Wojtylën, për të mirën e mbarë Kishës. Në këtë mënyrë  ai  nisi të dallohej  falë “mëshirës e dijes, duke u bërë shembull i shkëlqyer jete, mësues i së vërtetës, ndërmjetës pranë Zotit”. E të gjitha këto hire, pohon Kisha polake, shkëlqyen në një figurë të vetme, atë të Karol Wojtylës, si ipeshkëv, kardinal e papë, që u shqua posaçërisht për lidhjen ndërmjet Zotit e njeriut, parë në dritën e mëshirës. Për t’u rikujtuar edhe se, në vitin 2020, do të kremtohet 100-vjetori i lindjes së Papës “të ardhur nga larg”.

Përgatitjet shpirtërore për lumnimin e kardinalit Wyszyński

Përsa i pëket kardinalit Stefan Wyszyński, që do të lumnohet në Varshavë, më 7 qershor 2010, Konferenca ipeshkvnore polake inkurajon dioqezat dhe famullitë e vendit  të nisin përgatitjen shpirtërore për këtë ngjarje të madhe, në mënyrë që të gjithë besimtarët të mund ta njohin figurën e të Lumit të Ardhshëm,  kryeipeshkëv metropolit i Gnieznos e i Varshavës dhe Primat i Polonisë gjatë regjimit komunist polak(1901-1981). Në nivel administrativ, ndërkaq, ipeshkvijtë  rishikuan statutin e Fondacionit ipeshkvnor “Shën Jozefi”, vepër kushtuar asistencës dhe mbështetjes së viktimave të shpërdorimeve seksuale, kryer nga disa anëtarë klerit.

Së fundi, në prag të solemnitetit të Krishtlindjes, Kisha polake i fton besimtarët  ta jetojnë Kohën e Ardhjes me devocionin e duhur dhe i inkurajon të marrin pjesë në jetën e famullive në të gjithë Poloninë.

26 nëntor 2019, 12:30