Kërko

 Turmat e njerzëve në Tokio, Japoni Turmat e njerzëve në Tokio, Japoni 

Interesimi dhe kureshtja e japonezëve për vizitën e Papës

Do të jetë nxitje për t’u bërë të krishterë “më në dalje”, vizita e Papës në Japoni, nga 23 deri më 26 nëntor. E, pa dyshim, do t’i tërheqë Japonisë e edhe mbarë botës vëmendjen mbi temat kryesore, si ajo e jetës sidomos. Po flasim me atin Alessandro Turco, misionar italian, prej vitesh në Japoni që, së bashku me besimtarët e famullisë së tij, përgatitet të marrë pjesë në Meshën, që do të kremtojë Papa, në Nagasaki.

R. SH. - Vatikan

Shumë orë pune e, po të jesh dashuronjës i librit, po aq orë leximi. Posaçërisht për të rinjtë japonezë. E katolikët nuk bëjnë përjashtim nga ky rregull. Në rrethana të tilla, famullitarët nuk e kanë aspak të lehtë të ndërmarrin nisma të reja për bashkësitë e tyre. Dita ka vetëm 24 orë! Po vizita e Papës në Japoni po zgjon interes gjithnjë më të madh. E edhe jo të krishterët po bëhen më kureshtarë për të ditur diçka më shumë për Papën e katolikëve, të cilët kanë shkelur në këto vise prej shekujsh. Prej këndej, po ia kushtojnë një pjesë të mirë të kohës. E pohon këtë, në mikrofonet e Vatican News, atë Alessandro Turco, misionar saverian, me origjinë italiane, i cili që prej 30 vjetësh jeton në Japoni, duke ndërruar shpesh vend.

Vështirësitë e transmetimit të fesë

Prej tre vjetësh, atë Alessandro është famullitar i kishës katolike të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, në qytetin Kumamoto, në jug të arkipelagut. Në intervistën dhënë Vatican News, tregon si po e pret bashkësia e tij famullitare Papën:

“Jetoj në një famulli, që quhet Simasaki, në lagjen e  qytetit Kumamoto: qytet me 700 mijë banorë, shumica e të cilëve merren më shumë me bujqësi. Janë njerëz shumë të sjellshëm, të gatshëm për të ndihmuar gjithkënd. E njohën Ungjillin përmes etërve francezë, aty nga fundi i persekutimeve të të krishterëve. Nisën, kështu, pagëzimet e para. U formua një bashkësi e vogël kristiane, e këta të krishterë pak nga pak u shtuan e u shumuan, aq sa tani u bënë 330 të pagëzuar. Japonezët janë gjithnjë të zënë me punë. As që mund ta kuptojnë jetën këmbëkryq! Për ta puna është bekim, ashtu si papunësia, mallkim. Prej këndej u mbetet shumë pak kohë për t’u marrë me veprimtari të tjera. Deri në atë pikë, sa mezi u del koha të vijnë në Meshën e së dielës, sepse shpesh herë punojnë edhe të dielën. Lidhur me Papën…. Këtu, në mjetet e komunikimit, nuk bëhet kurrë fjalë për Papën, kështu, nëse njerëit nuk abonohen në gazetën katolike, pak mund dinë ç’mendon Papa a ç’mendohet për Atin e Shenjtë. Po këtë herë lajmi për vizitën e Françeskut mori dhenë, duke shkaktuar shumë kureshtje e, për të krishterët, duke ngjallur shumë shpresa. E tregon fakti se shumë jo të krishterë u regjistruan në listat e autobusëve të shtegtimit, për të marrë pjesë në Meshën e Tokios ose të Nagasakit. Në nivelin e qytetit, u organizua një ditë studimi e, në atë dioqezan, në qytetin e madh Fukuoka, u hap një ekspozitë, kushtuar vizitës së mëparshme papnore, asaj të Gjon Palit II, si dhe figurës së Papës Françesku”.

Si e jetojnë fenë e tyre katolikët japonezë? Janë “të krishterë në dalje”, apo më shumë të prirur ta jetojnë fenë brenda vetes ose ndërmjet tyre?

“Padyshim janë shumë… nuk dua të them intimistë, por  diçka e tillë. Sepse tradita e tyre, historia e tyre,  tregon se u detyruan ta mbrojnë fenë në fshehtësi. Bënë ç’është e mundur ta ruajnë fenë, por gjithnjë fshehurazi.  Kjo ishte, ndoshta, forca e tyre, e tani, edhe ligështia e tyre!  E veç kësaj, besoj se problemi i të krishterëve në Japoni tani  është sëmundja, nga e cila vuajnë vendet e mirëqenies, si ato evropiane. Kështu edhe Japonia e ka vështirë t’ua transmetojë fenë fëmijëve. Por pa asnjë dyshim të krishterët, ashtu si edhe jo të krishterët, janë njerëz me vlerë, të ndershëm, që e jetojnë jetën me përvujtëri të madhe, me përkushtim të madh në të gjithë sektorët. Të krishterët, natyrisht, gëzojnë famë si njerëz të mirë, të sjellshëm, durimtarë, që duan - e dinë - ta ndihmojnë tjetrin. Një sivëlla imi i quan “trëndafilë në shkretëtirë”, në kuptimin se edhe një një shoqëri  të angazhuar kryesisht për të prodhuar e për të punuar, jetojnë edhe këta njerëz kaq të mirë. E kjo na ngushëllon edhe ne, misionarët, që nganjëherë pohojmë: këtu nuk shkohet përpara, ose më mirë të themi, kthehesh mbrapa. E ata na japin zemër pikërisht për të shkuar përpara!”.

Një nga temat, që do të prekë Papa kur të jetë në Japoni, është ajo e jetës. Logoja e vizitës thotë pikërisht: “Të mbrohet e gjithë jeta!”. Si jehon kjo ftesë në realitetin japonez?

“Ato që kanë të bëjnë me jetën, janë probleme që zakonisht nuk diskutohen në këndvështrimin moral ose teologjik. Për e kundra maten me  çka thotë shkenca. Respekti për jetën në Japoni është temë e madhe, por që nuk ndjehet fort. Ka shumë aborte, shumë familje shpërbëhen... Por edhe shumë mundësi që vizita e Papës të zgjojë interesin e japonezëve lidhur me këto probleme. E, përsa u përket të krishterëve, nuk ka asnjë dyshim se prania e Françeskut do t’i ndihmojë të ecin përpara në rrugën e mbrojtjes së jetës!”.

21 nëntor 2019, 13:17