Kërko

 Relikja e Djepit të Krishtit Relikja e Djepit të Krishtit 

Papa ia dhuron reliken e Djepit të Krishtit, Rojtarisë së Tokës Shenjte

Sot paradite, në prag të kremtimeve për fillimin e Kohës së Ardhjes, arriti në Betlehem relikja e “Djepit të Krishtit”. Sipas traditës, bëhet fjalë për një copë druri marrë nga grazhdi, për të bërë djepin e Krishtit të posalindur. Deri tani relikja ruhej në Bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe, që Papa Françesku e do aq shumë.

R. SH. - Vatikan

Etapa e fundit, Kisha françeskane e Shën Katerinës, pranë e pranë me Bazilikën e Lindjes së Krishtit, në Betlehem. Arriti këtu, sot paradite, pas një shtegtimi të gjatë, relikja që Shën Sofroni, Patriark i Jeruzalemit, ia pati dhuruar Papës Teodori I (642-649), ruajtur deri tani në një kapelë të nëndheshme të Bazilikës romake të Shën Marisë së Madhe.

Një pjesë e vogël e atij që, sipas traditës, qe grazhdi i drunjtë ku lindi Krishti, kthehet në vendlindje, në Betlehem, e u besohet Fretërve të Vegjël të Rojtarisë së Tokës Shenjte. Gjithçka nisi me dëshirën e Papës Françesku kur, më 22 nëntor, në Romë, gjatë një riti të kryesuar nga kardinali Stanislaw Rylko, kryeprift i Shën Marisë së Madhe, disa specialistë të Muzeve vatikanase hapën kutinë e vendosur mbi altarin e kapelës së nëndheshme kushtuar Djepit dhe nxorën një copëz,  të cilën e vendosën në relikuar.

Arritja në Jeruzalem

Copëza e Djepit arriti sot në Jeruzalem, pranë Qendrës Notre Dame, e shoqëruar me një Meshë, kryesuar nga Nunci Apostolik në Izrael e Qipro, Delegati apostolik i Jeruzalemit dhe i Palestinës, imzot Leopoldo Girelli, në kapelën e Zojës së Paqes, ku të gjithë besimtarët patën fatin ta nderojnë Reliken. “Duke e marrë me fe të gjallë këtë dhuratë nga Papa Françesku, gëzimi ynë nuk mund të jetë i cekët, po shumë, shumë i thellë - nënvizoi imzot Girelli gjatë homelisë. Relikja prej druri i drejton sytë tanë drejt Kalvarit, duke na kujtuar lidhjen e ngushtë të Misterit të Pashkëve me atë të Krishtlindjes. Shkrirja e dashurisë së Zotit me historinë e njeriut lidhet ngushtë me drurin: drurin e djepit, por edhe me atë të Kryqit”.

Pasdite - sipas njoftimit të faqes françeskane të internetit - fretërit arritën në Qendrën e Zojës, për ta dorëzuar këtë copëz kaq të çmuar druri. Kur Djepi shenjt hyri në Kapelë, u këndua një himn, pasuar nga leximet e Ditës së Krishlindjes, kulmuar me fragmentin e Ungjillit të Lukës, që tregon lindjen e Krishtit (Lk 2,1-14). Imzot Girelli e komentoi kështu: “Përpara nesh - tha Nunci - kemi një copëz druri tepër të çmuar: të ledhatuar nga duart e buta të Marisë, nga ato plot kallo të Jozefit e të çikur nga duart e njoma të të Posalindurit hyjnor. Kthimi në Betlehem i këtij druri shenjt, nuk mund të mos zgjojë në shpirtin tonë dëshirën e fortë për të qenë mbartës të Zotit. Tani vetë zemra jonë shndërrohet në djep: në djepin shenjt të Zotit bërë njeri”.

Relikja dhe zemra e besimtarëve

Imzot Girelli lexoi edhe Letrën e kardinalit Stanislao Rylko, Kryeprift i Bazilikës Papnore të Shën Marisë së Madhe, drejtuar Rojtarit të Tokës Shenjte, Françesko Patton. “Papa Françesku e shoqëron këtë dhuratë me bekimin e tij” - shkruhet në Letër, duke uruar që nderimi i saj t’ua hapë zemrën burrave e grave, të rriturve e të rinjve, pleqve e fëmijëve, për ta pranuar me zjarrin e fesë e të dashurisë, misterin që ia ndërroi rrjedhën historisë së njerëzimit. Ati i Shenjtë uron posaçërisht që “mesazhi i paqes, të cilin Engjëjt ua kumtuan njerëzve të dashur nga Zoti, natën e Krishtlindjes e që jehon që prej dymijë vjetësh nga Betlehemi, të sjellë paqen, për të cilën bota jonë ka aq shumë nevojë”.

Pas leximit, Relikja iu dorëzua Atit Rojtar. “Nuk do të kufizohemi vetëm me ruajtjen e kësaj Relikjeje - tha ai - por do të bëjmë gjithçka është e mundur që ajo të sjellë gëzimin e Ungjillit, duke shtegtuar në bashkësitë e ndryshme  të Tokës Shenjte, për të gjallëruar besimin në Krishtin Jezus”.

Pasdite relikja u zhvendos me procesion në Kishën e Shën Shëlbuesit, pranë selisë qëndrore të Rojtarisë së Tokës Shenjte, për kremtimin e Mbrëmësores të Festës së Gjithë Shenjtorëve të Urdhërit serafik, me të cilën përfundoi kremtimi i dorëzimit të Relikes.

30 nëntor 2019, 15:10