Parlamento Europeo, bandiere, Europarlamento, Paesi europei  Parlamento Europeo, bandiere, Europarlamento, Paesi europei  

Nxitje Evropës, kundër çdo lloj ekstremizmi

“Zgjoju! Zgjoju! E vishu me forcë!”. Me këto fjalë shkëputur nga Libri i Izaisë Profet (51,9), nis nxitja drejtuar Evropës nga ana e Komisionit të përbashkët të Këshillit të konferencave ipeshkvnore të Evropës (Ccee) dhe Konferencës së Kishave Evropiane (Kek), zhvilluar pak ditë më parë në Bruksel, në qendrën ekumenike vendase.

R. SH. - Vatikan

“Zgjoju! Zgjoju! E vishu me forcë!”. Me këto fjalë të një fragmenti, shkëputur nga Libri i Izaisë Profet (51,9), përfshirë në temën e takimit vjetor të Komisionit të përzjerë të Këshillit të konferencave ipeshkvnore të Evropës (Ccee) dhe të Konferencës së Kishave Evropiane (Kek), zhvilluar  pak ditë më parë në Bruksel, në qendrën ekumenike vendase, nis nxitja drejtuar Evropës.

I krijuar më 1972, një vit pas themelimit të Ccee, komisioni ka për detyrë  të përcaktojë programet e përbashkëta me qëllim që të favorizojë zhvillimin e ekumenizmit në kontinentin e vjetër. Gjatë viteve, siç  u  kujtua në Bruksel, promovoi edhe një sërë nismash, pikërisht për ta mbështetur udhën ekumenike, që nis të marrë një mori formash në të gjithë Evropën, me pjesëmarrjen gjithnjë më aktive të Kishës katolike, posaçërisht duke u nisur nga Koncili II i Vatikanit.

Pikënisja e takimit në kryeqytetin belg, hapur me një meditim të pastores luterane estone Anne Burghardt, anëtare e komitetit drejtues të Kek, qe një ballafaqim kushtuar planeve të punës të të dy organizmave kishtare. Nga njëra anë, asambleja vjetore e Ccee, iu kushtua reflektimit mbi kuptimin e shenjave të shpresës në krishterimin e Evropës, në mënyrë që të mund të  përcaktohen udhët, për ta gjallëruar fenë e krishterë në kontinent, e nga ana tjetër, projektit të Kek për fuqizimin e bashkimit ndërmjet të krishterëve, duke nisur nga Kishat që bëjnë pjesë në organizatë e duke kultivuar së bashku shpresën dhe dëshminë. Është fjala për dy perspektiva, që përkojnë, sepse të bazuara fuqimisht mbi njohjen e situatës evropiane, në të cilën proceset e shekullarizimit e ligështojnë fenë e krishterë aq, sa të kërkohet një shtytje e re ungjillëzuese, parë si gurrë shprese, e bazuar mbi vlerat e krishtera, për sot e për nesër.

Gjatë takimit u nënvizua rëndësia e përballimit të sfidave, që nuk mungojnë në Evropën e shekullit XXI, duke analizuar në mënyrë të veçantë rilindjen e populizmit që, në forma të ndryshme,  përshkon gjithë kontinentin, duke krijuar një mori pyetjesh, të cilave kishat janë të thirrura t’u japin përgjigje. Këto të fundit duhet t’i prijnë dëshmisë së krishterë, duke treguar se mund të gjinden edhe rrugë të tjera, të ndryshme nga ato, që ndiqen nga populizmat, përballë çështjeve, që krijojnë shqetësime, frikë, paqartësi. Edhe në dritën e ballafaqimit mbi populizmin, u theksua se duhet fuqizuar bashkëpunimi ndërmjet Ccee dhe Kek, që duket dhe më i nevojshëm në një kohë kur kategoria e dialogut është gjithnjë më larg shoqërisë, ndërsa përbën një element të  domosdoshëm  për të krishterët e angazhuar në kumtimin dhe në dëshmimin e Fjalës së Zotit.

Thellimi i dialogut ekumenik është mjeti më i aftë për ta bërë gjithnjë më të frytshëm misionin e Kishës, e cila duhet të ruhet edhe nga tentativat  për justifikimin e politikave populiste, duke u mbështetur në një traditë të krishterë të papërcaktuar. Nga Brukseli, pikërisht në dritën e sfidave të reja të shoqërisë evropiane bashkëkohore, Ccee dhe Kek ripohuan se, edhe falë shpresës së përbashkët në Krishtin, ndonëse me thekse të ndryshme, sipas pluralizmit të traditave të krishtera, mund të gjindet forca për ta jetuar profetikisht Fjalën e Zotit, në mënyrë që të mund të krijohet kultura e mikpritjes.  

22 nëntor 2019, 15:28