Kërko

Luledielli Luledielli 

“Një luledielli për ty”: Dita e Shenjtërimit Universal

Në Ditën e sotme të Shenjtërimit Universal, jemi të thirrur ta ndryshojmë vazhdimisht jetën, që ajo të priret gjithnjë e më shumë drejt shenjtërisë së pëlqyeshme për Zotin. Në Itali, shpërndahen biskota në formën e lulediellit, për t’u kujtuar njerëzve rëndësinë e shenjtërimit.

R.SH. - Vatikan

“Merr një luledielli, bëj një gjest vëllazërimi konkret, ndaj me të tjerët ëndrrën e një revolucioni”. Kjo është ftesa e Lëvizjes “Pro Sanctitate”, që i fton të gjithë të festojnë në këtë mënyrë Ditën e Shenjtërimit Universal, që kremtohet sot në gjithë botën. Sot, në Itali, në rrugë e sheshe, shpërndahen biskota në formën e lulediellit, për t’u kujtuar njerëzve se të gjithë e kemi për detyrë ta shenjtërojmë jetën. Vërtet, luledielli – siç e thotë edhe emri – kthehet gjithnjë nga Dielli, burim ngrohtësie e drite për secilin prej nesh, ashtu siç është edhe Zoti për çdo besimtar. Lulja ka nevojë për Diellin, ashtu si çdo njeri për Hyjin.

Guglielmo Giaquinta: revolucioni i Dashurisë

Dita e Shenjtërimit Universal lindi në 1957, pikërisht në Itali, nga një ide e themeluesit të Lëvizjes, Shërbëtorit të Zotit Guglielmo Giaquinta, me origjinë siciliane, meshtar në Romë gjatë viteve të Luftës II Botërore dhe të rindërtimit material dhe moral të mëpasëm. Po në Romë, ai u shugurua edhe ipeshkëv e këtu ndërroi jetë, në vitin 1994, duke lënë një trashëgimi të pasur shpirtërore, që jep fryte përmes Lëvizjes për Shenjtërimin e Jetës, e cila, tashmë, është e pranishme jo vetëm në Itali, por edhe në SHBA-të, në Indi e Letoni, me synimin për t’u përhapur në gjithë botën.

Shenjtërimi i vazhdueshëm i jetës

         Por, ç’do të thotë ta shenjtërosh vazhdimisht jetën? Shenjtëria, siç nënvizon shpesh Papa Françesku, mund të mos marrë aspak ngjyrime të jashtëzakonshme, përkundrazi, shpesh, përbëhet nga gjeste të jetës së përditshme, krejt normale, që secili prej nesh mund t’i bëjë nëse dëshiron. Shenjtëria e vërtetë banon në dashurinë me të cilën i bëjmë ato gjeste, sado të vogla. E madje, përmban në vetevete edhe gabime, pra, nuk është e përsosur që në lindje. Është prirje e atij, që e konsideron Zotin mik dhe e di se ka nevojë të vazhdueshme për Të që të jetojë sipas Ungjillit të Krishtit.

01 nëntor 2019, 11:57