Kërko

Vatican News

Motër Marie Kaleta mbushi 90 vjeç: “feja ka jetuar bashkë me mua”

"Kam jetuar në kuvendin e Stigmatineve në Shkodër për 7 vjet, deri në momentin që na nxorën prej kuvendit në vitin 1946, sepse ashtu i erdhi terezia Shqipërisë, që t’i mbyllej dera për të dashtë Zotin. Por unë vazhdova jetën time me Zotin, ashtu në fshehtësi. Nëse kam jetuar unë, edhe feja ka jetuar së bashku me mua".

R.SH. - Vatikan

Kush nuk e mban mend atë murgeshë stigmatine, që dha dëshminë e saj para Papës Françesku në Tiranë, bashkë me kardinalin e sotëm Ernest Simoni Troshani, kur Ati i Shenjtë vizitoi popullin shqiptar më 21 shtator 2014. Ajo është motër Marie Kaleta e dje mbushi plot 90 vjet. Duke e falenderuar Zotin për jetën dhe dëshminë e saj të çmuar të fesë gjatë komunizmit dhe pas tij, të besnikërisë ndaj Zotit, edhe kur e kishte kokën në rrezik, dhe të dashurisë së krishterë për çdo njeri, tek i cili u mundua të çonte Krishtin e mesazhin e Tij, të dëgjojmë përshkrimin e portretit të saj, në informacionin e Violeta Marashit nga Vau i Dejës…

Dëgjo Violeta Marashin...

NËSE KAM JETUAR UNË EDHE FEJA KA JETUAR SË BASHKU ME MUA

Motër Marie Kaleta në 90 vjetorin e lindjes së saj

Është  90 vjeçe, por me një mendje që të mahnit kur bisedon me të. Vitet kalojnë dhe bëjnë të tyren, por për motër Marie Kaletën, edhe pse me vuajtje dhe sfida të shumta që jeta i ka sjellë, ajo nuk u dorëzua kurrë për emrin e Krishtit. Madje thotë se kanë qenë vite të begata, sidomos këto 30 vitet e fundit.  Jeta është dhurata më e çmuar e Zotit. Ndaj moter Maria e ka çmuar shumë këtë dhuratë, pasi çdo ditë të jetës së saj iu kushtua krijuesit të vet - Hyjit. Me gjithë sakrificën sublime ku përballi çdo stuhi të kohës, sidomos atë të periudhës së komunizmit, jemi krenar që kemi ende në ditët e sotme, një dëshmi të gjallë të kohërave të largëta.  Ndërsa bisedon me të ajo tregon mjaft detaje nga jeta e saj. Dhe në dëshminë e saj plot emocion ajo shfaq ditarin e një jete të tërë, me të mirat dhe të këqijat e saj shkruar në mendjen dhe zemrën e Motër Maries. Edhe unë si autore e këtij bashkëbisedimi po e shfaq këtë dëshmi pikërisht sipas versionit origjinal të motër Maries.

Ja dhe dëshmia: “Quhem Motër Marie Kaleta. Kam lindur me 10 nëntor 1929Nënshat të Shkodrës, nga prindërit Engjëll e Shuke Kaleta. Më pas bashkë me familjen time jemi transferuar në fshatin Pistull po të rrethit Shkodër. Jam mbesa e Dom Ndoc Sumës, meshtari dioqezan që gjendet sot në listën e martirëve shqiptarë. Që në vogli, pra dikund rreth moshës 3 vjeç kisha dëshirën për uratë dhe lutje që m’a ushqente axha.  Ndërsa vetë rritesha, bashkë me mua rritej edhe dashuria për Jezusin. Megjithëse isha vajzë e vetme veç me dy prindërit, isha shumë e hapur në biseda me axhen si meshtar. Shpeshherë ua kisha cekur në mend atyre dëshirën për të shkuar për murgeshë, dhe pas bindjes së plotë vendosa që ta realizoja ëndrrën time.

Isha veç 10 vjeç kur u nisa dhe hyra në kuvendin e motrave në Nënshat të Zadrimës, pasi që kishte biseduar axha shumë kohë më parë me nënën provinciale në Shkodër, në atë kohë Konsilia Mushani. Më dërguan në Nënshat për arsye të moshës së vogël që kisha, dhe mendonin se ndoshta gjatë përvojës së jetës në bashkësi, shumë shpejt do më ndryshonte mendja dhe do e lija atë rrugë. Por jo, me bindjen e plotë timen, dhe me vullnetin e Zotit unë mendoja se kjo derë e motrave ishte për mua “Parriz toke”. Pas një viti, më 11 dhjetor të vitit 1940 më kanë shoqëruar tek kuvendi i Stigmatineve në Shkodër. Aty kam jetuar 7 vjet, deri në momentin që na nxorën prej kuvendit në vitin 1946, sepse ashtu i erdhi terezia Shqipërisë, që t’i mbyllej dera për të dashtë Zotin. Por unë vazhdova jetën time me Zotin, ashtu në fshehtësi. Nëse kam jetuar unë, edhe feja ka jetuar së bashku me mua. Falë zemërgjerësisë dhe respektit që kanë treguar banorët e fshatit Pistull me mua, kam mundur t’i rezistoj çdo lloj tundimi të asaj kohe, sidomos gjatë regjimit komunist ku u mundonin që të më gjenin ndonjë kleçkë si e si që të më demaskonin. Por jo, kurrë! Sepse kam qenë me Zotin dhe me njerëzit e mirë që i përmenda më lart. Kujtoj sot këtu disa raste, por do doja të përmendja vetëm njërin: “Ndërsa po shkoja në Shkodër, për të takuar murgeshat, ec e ec nëpër rrugicat e Shkodrës, më ndaloi një polic, dhe më thotë: nëne ku po shkon? I thashë po shkoj tek kujxhia (i cili rregullonte unaza e varëse). Çfarë ke në xhep më pyeti? Asgjë i thashë, kam vetëm disa materiale personale. Ai insistoi gjithnjë që të dinte se çfarë kisha. Po më në fund më pyeti se çfarë kisha në xhep. Unë sërish i thashë që s’kam asgjë. U detyrova t’i tregoja, dhe i thashë se kam uratë. M’i jep mua – tha polici. Unë i thashë: “të lutem mos m’i merr se i kam kujtim nga axha që e kam pasë meshtar. Ti edhe nëse i merr, lutjen nga shpirti, mendja dhe zemra ime nuk mund të ma marrë askush”. Ku është tani axha më - pyeti ai: Tani ai është mirë – u përgjigja, sepse është në mbretëri me Zotin. Ndërsa ne po bisedonin punën e uratëve, një grua kalimtare i tha policit: Të lutem, mendo sikur të jetë nëna jote. Në fund polici e kuptoi, dhe tha: largohu menjëherë por kam frikë se do kesh sërish ndalime të tjera nëpër rrugët e qytetit”. Atëherë unë shkova ashtu në fshehtësi dhe takova murgeshat.

Më pas jam kthyer menjëherë në shtëpi. Nëna ime më pau se isha e mërzitur dhe më kishte kapur një frikë e madhe se mos ndoshta tani po na vinin kontroll në shtëpi. Unë kisha të gjithë takamin e fesë, domethënë me libra leximesh, lutjesh, uratësh, Ungjillin, veshjet e meshtarëve, e gjithçka që i përket një kishe. Por nga frika u detyrova që atë ditë pasdite ti digjia të gjitha në furrë. E kështu me frikën në shtat, por gjithmonë me lutjen në heshtje dhe fshehtësi kaluan vitet e jetës sime gjatë gjithë periudhës komuniste. Por i gëzohem ditës që erdhi në vitet ’90, ku për mbarë popullin shqiptar lindi drita e fesë, e cila që prej 30 viteve më ka bërë ta gëzoj çdo ditë e më shumë, ashtu në lirinë e saj, jetën dhe veprën që ia kam kushtuar Zotit deri sa të kem frymë”.

Motër Maria gëzon tashmë plot 90 vjet të jetës së saj. Siç e përmendëm dhe më lart, një jetë me plot sakrifica, dhe herë herë me sfida që ia kanë lodhur shpirtin, por nuk u dorëzua kurrë. Me jetën e saj kushtuar Zotit ajo dha një kontribut mjaft të çmuar në historinë e Kishës Katolike. Ashtu në fshehtësi nuk iu ndau kurrë lutjes dhe nuk reshti së rrezikuari duke zhvilluar apostullim fshehurazi, duke dhënë edhe pagëzimin. Kujtojmë se shumë breza u pagëzuan prej duarve të saj, përfshi këtu edhe ipeshkvin aktual të Dioqezës së Sapës, imzot Simon Kullin si dhe famullitarin e Katedrales së Shën Palit në Tiranë, dom Marjan Lumçin, të dy bij të Pistullit.  Gjatë gjithë jetës së saj motër Maria ishte e respektuar dhe e dashur nga të gjithë, saqë e thërrasin dashamirësisht Halla Marie.  E njihnin të gjithë bashkëvendasit e saj, por më e njohur ajo u bë gjatë vizitës së Atit të Shenjtë Papa Françesku në Shqipëri, në vitin 2014. Me iniciativën e ish ipeshkvit të Sapës, imzot Lucjan Avgustinit asaj iu kërkua që të dëshmonte mbi jetën e saj para Atit të Shenjtë. Ishte pikërisht kjo grua që me këtë dëshmi rrënqethëse bëri të përlotej edhe Papa Françeskun. Me gjithë modestinë e saj, por figura e kësaj murgeshe u lartësua shumë që nga ky moment.  Kujtojmë se në maj të vitit 2017, në ditën e Zojës Nunciatë, me kërkesën e Kuries Dioqezane të Sapës, Ati i Shenjtë Françesku u denjua t'i japë Motër Maria Kaletës  P.F.SS. (stigmatine), dekoraten e “Kryqit të Lartë për Kishën e Papën” (Pro Ecclesia et Pontefice) të themeluar kryesisht për ata që janë dalluar për "Përkushtimin, Zellin, Shërbimin" dhe angazhimin e tyre, duke i dhënë njëkohësisht të drejtën për ta mbajtur në publik këtë Dekoratë. 

Faleminderit motër Marie Kaleta dhe mirënjohje përjetë!

 

Violeta Marashi

11 nëntor 2019, 16:00