Kërko

ALBANIA-QUAKE ALBANIA-QUAKE 

Kisha katolike pranë personave të prekur nga tragjedi me ndihmë e lutje

Kisha katolike në Shqipëri me besimtarët e saj, por edhe përmes Solidaritetit të Kishave nga vendet e ndryshme të botës, është pranë personave që janë goditur nga tërmeti

R.SH. - Vatikan

Konferenca Ipeshkëvnore Katolike e Shqipërisë, menjëherë pas tërmetit, shprehu, përmes një deklarate për shtyp, afërsinë me të gjithë ata persona që janë goditur nga kjo fatkeqësi natyrore. Në vijim deklarata për shtyp e ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë lëshuar më 26 nëntor 2019.

Prot. nr. 44/19

NJOFTIM PËR SHTYP Me rastin e katastrofës natyrore të tërmetit.

Në këtë moment të thellë dhimbje për secilin nga ne dhe në veçanti për personat që më së shumti kanë vuajtur dhe po vuajnë pasojat natyrore të tërmetit, Kisha në Shqipëri me besimtarët e saj, por edhe Solidariteti i Kishave simotra nga vende të ndryshme të botës, shfaqin afërsinë e tyre të thellë. Kemi shumëçka për t’i kërkuar Zotit në lutje sot: në veçanti do kujtojmë ato personat, jeta e të cilëve u ndërpre papritmas; familjarëve të tyre u shprehim ngushëllimin e sinqertë dhe lutjen e vazhdueshme për to.

U jemi pranë të gjithë personave që nga kjo tragjedi natyrore kanë ngelur të plagosur, si një trup, po ashtu edhe në shpirt. Lutemi për shpresë dhe rimëkëmbje, që nga kjo dhimbje të dalim më të fortë. U qëndrojmë pranë dhe i mbështesim të gjitha strukturat e kërkimshpëtimit aktivisht të angazhuara në shpëtimin e njerëzve. Përveç lutjes drejtuar Zotit për jetët e humbura dhe për familjarët e tyre, ne si Kishë, kemi aktivizuar strukturat tona të bamirësisë dhe të ndihmës për t’u ardhur në ndihmë shtresave dhe popullatës që më së shumti janë goditur nga kjo valë shkatërruese. Gjithashtu urdhërojmë meshtarët tanë që sot dhe nesër të kremtojnë meshën “Në kohën e Termetit”, në Mesharin, fq. 949. Hyjit Krijues i lutemi dhe Atij i besohemi.

Tiranë, 26/11/2019

Ipeshkvijtë në Shqipëri

26 nëntor 2019, 17:06