Kërko

 E Lumja Maria Emilia Riquelme E Lumja Maria Emilia Riquelme 

Kardinali Becciu: Maria Emilia Riquelme, grua e apasionuar për Eukaristinë

Një shembull i gjallë përvujtërie: kështu e quajti Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Becciu, Themeluesen e Motrave Misionare të të Shenjtnueshmit Sakrament e të Zojës së Papëlyer, Maria Emila Riquelme, gjatë kremtimit për Lumnimin e saj, në Granadë të Spanjës.

R. SH. - Vatikan

“E krishterë shembullore, shpirt i kushtuar Zotit, grua e shkëputur nga gjithçka i përket botës”. Kështu e përshkroi kardinali Angelo Becciu të Lumen e re, Maria Emilia Riquelme (Granadë, 5 gusht 1847- Granadë, 10 dhjetor 1940), rregulltare, që ia kushtoi gjithë jetën Zotit e u shndrit deri në fund të fundit nga drita e Tij. E dashurinë e saj të pafundme për Zotin e Lumja e re e shprehu posaçërisht në Eukaristi: “Kudo shkonte, kërkonte para së gjithash, kishat ku bëhej adhurimi eukaristik” - kujtoi Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve

Dashuria për Eukaristinë

Siç do të duhej të ishte në jetën e çdo të krishteri, për Nënë Maria Emilien “çasti i fortë i ditës së saj, ishte ai pjesëmarrjes në Meshën Shenjte. E kulmi: Eukaristia. Një pasion ky, për Jezusin Eukaristi që, siç e vuri në dukje kardinali Becciu, “jetohej personalisht e u transmetohej edhe motrave të saj”. Kjo rregulltare vocrrake, “gurrë dashurie, me frymëmarrje të spikatur kishtare”, kishte shpirt të madh apostolik. E kaloi gjithë jetën duke kundruar Krishtin, dhëndrin e saj, në lutje të vazhdueshme për shpëtimin e shpirtrave. Dy ishin pikëmbështetjet e jetës për Nënë Maria Emilien: i Shenjtnueshmi Sakrament dhe Virgjëra Mari, adhurimi  dhe apostullimi i vazhdueshëm. E Lumja  e re - theksoi kardinali Becciu - ishte si Marta, por  edhe si Maria: emblemë gazmore e mikpritjes, si Marta, e kundruese, gjithnjë te këmbët e Krishtit, si Maria.

Shembull i  gjallë i dashurisë për njeriun

Maria Emilia nuk e harroi kurrë ushtrimin e vazhdueshëm të dashurisë së krishterë - kujtoi akoma kardinali - sidomos kur ishte fjala për t’i ndihmuar të varfërit, të sëmurët, të braktisurit, në fytyrën e të cilëve shikonte të pasqyruar fytyrën e vetë Zotit. Veç kësaj, kishte edhe një karakteristikë tjetër: përvujtërinë. Kardinali kujtoi se ajo nuk krenohej kurrë për origjinën e saj aristokratike, as për pasuritë, që i ndau të gjitha me të varfërit. E konsideronte veten si më e fundmja, më e vogla ndër të vegjël, më mëkatarja para syve të Zotit.  E vetmja shpresë për të, edhe në çastet më të vështira, ishte feja e pamasë dhe shpresa e pakufi. Ky, mësimi më i rëndësishëm, që buron prej saj e që e kujtoi Prefekti Becciu, në përfundim të homelisë së tij: “Nuk dua të bëhem Shenjtore vetëm. Krishterimi nuk mund të konceptohet si udhë individuale, por si udhë në të cilën ecën i bashkuar i gjithë populli i Zotit”.

09 nëntor 2019, 15:22