Kërko

Kur Papa Françesku vizitoi Loreton, mars 2019 Kur Papa Françesku vizitoi Loreton, mars 2019 

Jubileu Lauretan: ftesë për ta jetuar shenjtërinë në jetën e përditshme

Me rastin e solemnitetit të Gjithë Shenjtorëve, qyteti i Loretos kremton edhe nisjen e Jubileut Lauretan “Maria Regina et Janua Coeli”. Në Bazilikën e Shtëpisë së Shenjtë, kremtimi eukaristik kryesohet nga Imzot Krzysztof Nykiel, regjent i Pendestarisë Apostolike. Në fund, nga tremja e kishës, shpallja e Dekretit dhe lutja e Engjëllit të Tënzot.

R.SH. - Vatikan

Një ditë e veçantë hiri: këtë përjetuan sot qyteti italian i Loretos dhe Shenjtërorja e tij kushtuar Zojës, përmes meshës me të cilën u lajmërua fillimi i Jubileut Lauretan, që do të hapet më 8 dhjetor e do të vazhdojë deri më 10 dhjetor 2020. Pikërisht sot, u hap Porta Shenjte, në 100-vjetorin e shpalljes së Virgjërës Lauretane, pajtore e aeronautëve.

Udhë e filluar me Papën

         Kremtimi solemn eukaristik u kryesua në Bazilikën ku ndodhet Shtëpia Shenjte, nga regjenti i Pendestarisë Apostolike, imzot Krzysztof Nykiel. Në përfundim të meshës, në tremen e kishës, u shpall Dekreti, me të cilin Papa Françesku vendos që përkujtimi fakultativ i Zojës së Loretos të shkruhet në Kalendarin Romak më 10 dhjetor, ditë në të cilën festohet edhe në Loreto, vit për vit. Vetë Papa Françesku ka qenë për vizitë në qytet marsin e kaluar. Pikërisht aty deshi të nënshkruajë Nxitjen apostolike pas-sinodale në formën e një Letre për Rininë e, aty pohoi atë, që tashmë është kthyer në përparësi për baritorinë e Shenjtërores e temë kryesore për vetë Jubileun; tha se ungjillëzimi duhej vijuar në tre drejtime: familja, të rinjtë e të sëmurët. Vetë Dekreti i Kongregatës për Kultin Hyjnor e Disiplinën e Sakramenteve i jep Zojës së Loretos vlerë universale, prandaj në Jubile ftohen të gjithë besimtarët për të kapërcyer pragun e asaj Shtëpie, ku Maria rriti Jezusin në thjeshtësinë e jetës së përditshme, duke shërbyer si nënë, bashkëshorte e grua. E duke u bërë kështu shenjtja-model për të gjithë.

01 nëntor 2019, 15:53