Kërko

Papa Françesku ne varrezat Teutonico ne Vatikan Papa Françesku ne varrezat Teutonico ne Vatikan 

Jezus, po shtegtoj ndёr varre

Po shkoj sot ndër vorre, Jezus,/s’është vend i këndshëm, e di,/ më rrënqeth ky vend i heshtur,/ ky vend ku ka veç zi.../ Po shkoj t’u pëshpëris shpresën time./..Po shkoj t’u përsëris se besoj,/ në atë jetë mbi të cilën vdekja/ askurrë nuk triumfoi./...Se nuk është sëmundja, as morti/që fjalën e fundit e thonë./...Jo unë nuk mund të besoj/se i humba përgjithmonë.

R.SH. - Vatikan

2 nëntori, ёshtё dita e përkujtimit të të vdekurve, kur bёjmё simbolikisht një shtegtim, sa të dhimbshëm, aq festiv: shtegtim drejt varreve të të dashurve të vdekur, po edhe drejt varreve të gjithë njerëzve që e kanë paguar me jetë besnikërinë ndaj idealeve të mëdha në rrjedhë shekujsh e në kohët tona.

Me këto ndjenja përulemi realisht e simbolikisht mbi varret e panumërta, të përhapura në mbarë planetin, të vjetra e të reja, varre martirësh e besimtarësh të thjeshtë, njerëzish të shquar e të panjohur, nënash e baballarësh, vëllezërish e motrash. Përkulemi me lutje në buzë e me lot në sy për të dashurit që më s'janë.

Por, duke u ndodhur në vendet që të ngjallin një trishtim të thellë, nuk duhet të harrojmë se kjo ditë për Kishën është një ditë e madhe feste. Ata që nuk i kemi më pranë, që pushojnë në paqe nën kryqat simbolikë, na kanë treguar me jetën e tyre se sa e frytshme është fara që Krishti erdhi për ta hedhur në tokë. E në këto ditë, kur flitet kaq shumë për vdekje e të vdekur, kur njerëzimi dridhet për të sotmen e të ardhmen e vet, Dita e të vdekurve na kujton, më shumë se kurrë, se bota nuk është në dorë të njeriut, por në dorë të Zotit! Nder vorre !

Po shkoj sot ndër vorre, Jezus,

s’është vend i këndshëm, e di,

më rrënqeth ky vend i heshtur,

ky vend ku ka veç zi.

 

E zëri i tmerrshëm i vdekjes

frymon këtu nga çdo plasë,

pëshpërit nga çdo gëmushë,

nga çdo kurorë e çdo rrasë.

 

Po shkoj për njerëzit që më deshën,

që ishin, por që shkuan,

po shkoj t’u shpreh mirënjohjen

për gjithçka më dhuruan.

 

Mirënjohje për kë më dha jetën,

për kë më dha bujarinë,

mirënjohje për kë më fali fenë,

për kë m’ dha për ditë dashurinë.

 

Një krah më dha, ku u mbështeta,

një fjalë të urtë, ku udhën rigjeta,

më mësoi Lajmin e mirë,

ku gjeta shpresë e hir.

 

Po shkoj t’u pëshpëris shpresën time.

Po shkoj t’u përsëris se besoj,

në atë jetë mbi të cilën vdekja

askurrë nuk triumfoi.

 

Se nuk është sëmundja, as morti

që fjalën e fundit e thonë.

Jo unë nuk mund të besoj

se i humba përgjithmonë.

 

Po shkoj t’u çoj një lule

simbol bukurie që duhet.

Po shkoj të ndez një qiri

simbol i zjarrit që s’ shuhet.

 

Po shkoj të prek një fytyrë

mes kryqave pa fund,

po shkoj të të takoj Ty,

Jezus që vdekjen mund.

02 nëntor 2019, 12:33