Kërkimet vazhdojnë Kërkimet vazhdojnë 

Ipeshkvijtë italianë japin 500 mijë euro për emergjencën pas tërmetit në Shqipëri

Kjo nismë, që do të shpërbejë për të plotësuar nevojat më urgjente, synon të mbledhë ndihma në ushqime e veshmbathje, por edhe batanije e mbulesa të ndryshme, duke përfshirë edhe produkte për higjienën dhe për foshnjet.

R.SH. - Vatikan

Presidenca e Konferencës Ipeshkvnore Italiane ka akorduar 500.000 euro, nga Fondi 8xmille, për viktimat e tërmetit shkatërrimtar, që goditi Shqipërinë, më 26 nëntor. Dërgimi i kësaj shume do të bëhet përmes Karitasit Italian, njofton një notë për shtyp e ipeshkvijve.

Kjo nismë, që do të shërbejë për të plotësuar nevojat më urgjente, synon të mbledhë ndihma në ushqime e veshmbathje, por edhe batanije e mbulesa të ndryshme, duke përfshirë edhe produkte për higjienën dhe për foshnjet. Megjithëse akoma nuk ka përfunduar vlerësimi i dëmeve, dihet se ato janë të mëdha e se njerëzit e shpërngulur nuk do të mund të kthehen më në shtëpitë e tyre. Prandaj, do të punohet për të organizuar struktura të pajisura me kuzhinë fushore, shërbime higjienike dhe me strehim të veçantë për kategoritë më të brishta.

Qytetet më të prekura, nënvizon Konferenca Ipeshkvnore Italiane, janë Durrësi dhe Thumana, por gjendja është kritike edhe në qendra të tjera, si Krujë, Lezhë, Laç, Lushnjë, Fier e Tiranë. Ndërsa u shprehet afërsia familjeve të viktimave, kujtohet edhe se Karitasi Italian është i pranishëm që në çastet e para pas tërmetit në territor, krah për krah me veprimtarët e Karitasit Shqiptar.

29 nëntor 2019, 13:49