Parku i paqes në Nagasaki Parku i paqes në Nagasaki 

Imzot Takami: në Nagasaki, mesazhi i Papës për paqen

Gjatë vizitës së tij në Japoni, përveçse në kryeqytet, Tokio, Papa Françesku do të ndalet edhe në dy qytete të tjera, veçanërisht domethënëse për historinë e vendit: Nagasaki dhe Hiroshima. Të njohur për bombardimet atomike të vitit 1945, prej këtyre qyteteve, Papa do t’i japë botës mesazhin e tij kundër armëve bërthamore dhe do të lutet për paqen.

R.SH. - Vatikan

“Vendi juaj është i vetëdijshëm për vuajtjet e shkaktuara nga lufta. Së bashku me ju lutem që fuqia shkatërruese e armëve bërthamore të mos shpërthejë më kurrë në historinë e njerëzimit. Përdorimi i armëve bërthamore është i pamoralshëm”. Fjalët e fuqishme, që Papa Françesku i tha popullsisë japoneze, në videomesazhin para nisjes për në Japoni, tingëllojnë të vërteta sidomos për ata, që e jetuan tragjedinë e dy bombave atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, më 6 dhe 9 gusht 1945. E, edhe për ata, që vazhdojnë të jetojnë në territoret e shkatërruara nga ato bombardime.

Papa Françesku në Nagasaki: tre gjeste me kuptim të madh

         Imzot Joseph Mitsuaki Takami është kryeipeshkëv i dioqezës së Nagasakit, ku banojnë 1.351.249 vetë, ndër të cilët 61.242 katolikë. I lindur në atë qytet japonez, në vitin 1946, në një familje të fshehur të krishterë, ai u shugurua kryeipeshkëv më 2003 nga Papa Gjon Pali II. Në Nagasaki, Ati i Shenjtë, Françesku, do të jetojë tre çaste të rëndësishme. I pari, në Atomic Bomb Hypocenter Park, ku do të bëjë një thirrje kundër armëve bërthamore, pastaj, homazhi për shenjtorët martirë të Nagasakit dhe, së fundi, mesha. Në intervistën me kryeipeshkvin, një koment për këto ngjarje:

         Hiroshima dhe Nagasaki janë dy qytete, goditur nga bomba atomike dhe, jo vetëm qytetarët e tyre, por edhe shumë japonezë e njerëz të kombësive të tjera, duan t’i eliminojnë të gjitha armët bërthamore nga Toka. Vetëm se japonezët ndihen të kërcënuar nga Koreja e Veriut dhe Kina e qeveria japoneze reagon ndaj këtij kërcënimi duke thënë se ka armë, jo ato bërthamore, por armë, gjithsesi. Prandaj, Papa do të japë një mesazh të fuqishëm, shumë të fuqishëm, kundër përdorimit të armëve bërthamore. Shpresojmë që ky mesazh të jetë nxitje për shumë japonezë, që të reflektojnë mbi faktin se armët bërthamore nuk janë të nevojshme, përkundrazi, ato janë të rrezikshme, sepse kërcënojnë paqen.

Etapa e dytë e Papës do të jetë homazhi për Martirët Shenjtorë të Nagasakit. Dioqeza juaj ka më shumë katolikë se të tjerat. Ç’do të thotë ky gjest nderimi i Papës për ta?

Dëshmia e martirëve është gjithmonë e fuqishme e flet qartë. Prandaj, mesazhi i Atit të Shenjtë do t’ua gjallërojë fenë katolikëve japonezë. Në Japoni, Kisha Katolike është një bashkësi e vogël, që nuk zhvillohet shumë, sepse, nga njëra anë, ndoshta, katolikët nuk e jetojnë si duhet fenë e tyre, nuk bëjnë – madje, edhe unë – pra, nuk bëjmë shumë përpjekje për ta çuar Ungjillin tek japonezët . Nga ana tjetër, shoqëria e Japonisë është shumë materialiste, pak egoiste dhe individualiste; duket sikur njerëzit nuk kanë më shpresë, ose nuk dinë ta jetojnë nivelin shpirtëror. Mbeten në nivelin njerëzor, sidomos ekonomik dhe materialist. 60 përqind e japonezëve thonë se nuk besojnë në jetën e përtejme: sipas tyre nuk do të ketë asgjë pas vdekjes. Si rezultat, jeta e tyre në tokë ka vështirësi të gjejë kuptimin e vet. Besoj se e kërkojnë të vërtetën, thelbësore për jetën e tyre.

Në Nagasaki, Papa do ta kremtojë meshën në stadiumin e bejsbollit. Do të vijnë katolikë edhe nga anë të tjera të Japonisë. Dimë që kërkesat kanë qenë më të mëdha se vendet në dispozicion, si në Nagasaki, ashtu edhe për meshën në Tokio…

Po, mesha do të jetë ngjarja më e rëndësishme e vizitës së Atit të Shenjtë. Do të kremtohet në Solemnitetin e Krishtit Mbret, e veçanërisht atë ditë, bie 11-vjetori i lumnimit të Peter Kibe dhe 187 shokëve të tij martirë. Përveç kësaj, ky vend është pjesë e territorit ku ra bomba atomike. Prandaj, shpresojmë që Papa Françesku të flasë për paqen, natyrisht, por edhe për rëndësinë e mbrojtjes së jetës, jo vetëm të asaj materiale, por edhe të asaj shpirtërore: për jetën e bashkësisë, jetën shoqërore, duke respektuar edhe natyrën. Ndërmjet pjesëmarrësve në meshë do të jenë edhe të ashtuquajturit “të krishterë të fshehur”, domethënë të krishterë, që jetojnë akoma si në kohën e persekutimeve. Do të ketë gjithashtu disa bonza (murgj) budistë dhe shintoistë, që duan ta shohin dhe ta takojnë Atin e Shenjtë. Kështu, përmes meshës e sidomos përmes homelisë, Papa do të thotë fjalën e tij me autoritet për shumë tema: feja, jeta, paqja. Mesha, ashtu si veprimtaritë e tjera të Atit të Shenjtë, do të pasqyrohet nga gazetat dhe televizionet japoneze e, në këtë mënyrë, do të ndikojë pozitivisht në shumë e shumë njerëz në Japoni.

23 nëntor 2019, 13:46