Kërko

Kisha Shën Françeskut në Shkodër Kisha Shën Françeskut në Shkodër 

Françeskanët erdhën në Shkodër që në vitin 1288

Françeskanët erdhën në Shkodër që në vitin 1288. Kuvendin e parë ua ka ndërtuar mbretëresha Jelena Anzhu (1236-1314), gruaja katolike e mbretit serb Urosh I. Pasi turqit e pushtuan Shkodrën në vitin 1479, e rrënuan kishën dhe kuvendin. Fretërit nuk mund të ktheheshin më në Shkodër gati 400 vjet.

R.SH. - Vatikan

Françeskanët erdhën në Shkodër që në vitin 1288. Kuvendin e parë ua ka ndërtuar mbretëresha Jelena Anzhu (1236-1314), gruaja katolike e mbretit serb Urosh I. Ajo kishte ndërtuar kuvende françeskane edhe në Ulqin, Tivar dhe Kotrorr. Pasi turqit e pushtuan Shkodrën në vitin 1479, e rrënuan kishën dhe kuvendin. Fretërit nuk mund të ktheheshin më në Shkodër gati 400 vjet.

Më 11. 12. 1844 Fra Pjetri Della Barbara, Prefekti i Misionit të Kastratit dhe Fra Silvestri da Otrezzano, Prefekti i Pultit, kërkuan prej ipeshkvit të Shkodrës një rezidencë në Shkodër, por pa rezultat. Pasi nëpërmjet Ministrit Gjeneral iu drejtuan Selisë së Shenjtë, Kongregata de Propaganda Fide, më 02. 01. 1857, kërkoi prej ipeshkvijve të Shqipërisë që ta shqyrtonin atë kërkesë. Ipeshkvijtë u përgjigjën pozitivisht. Mons. Gjon Topiq dhe mons. Luigj Qurçia, të dy françeskanë, u interesuan për atë punë. Fretërve u gjet një shtëpi për banim në lagjen Serreq, e dy shtëpi përdhese në Gjuhadol për shkollë, kështu që në vitin 1861 u hap shkolla fillore françeskane në Shkodër.

Në vitin 1875 të gjithë ipeshkvijtë e Shqipërisë vendosën që në vendin e ish Seminarit të ndërtohet kuvendi françeskan dhe kisha e re. Papa Pio IX e miratoi atë vendim më 18. 07. 1875. Menjëherë Fra Tomë Marcozzi e vuri gurin e themelit për kuvendin e ri. Fretërit u transferuan në të në vitin 1879, kurse banesën e vet të mëparshme ua lëshuan Motrave Stigmatine.

 Në vitin 1887 u transferua Seminari françeskan i Reformatëve nga Bajza në Gjuhadol, e në vitin 1898 në Gjuhadol kaloi edhe Seminari i Observantëve nga Troshani. (Pasi u bashkua Urdhri Françeskan, u bashkuan edhe të dy seminaret – në një Seminar françeskan, në Gjuhadol.)

 Që në vitin 1878 Fra Gjoni nga Bergamo e vuri gurin e themelit për kishën e re të Shën Françeskut, sipas planit të Fra Anselmit nga Gorle, mirëpo deri në vitin 1902 fretërit nuk mund ta fitonin fermanin (lejen e ndërtimit) nga sulltani. Kur e fituan lejen, ing. Briotti e ndryshoi pak projektin e Fra Anselmit dhe vazhdoi punimet, që u përfunduan me bekimin e kishës, më 08. 12. 1905. Në ndërkohë Fra Pjetër Grunelli i ndërtoi edhe dy krahët e Kuvendit.

 Në vitin 1902 Fra Gjergj Fishta, si drejtor i shkollës, e bëri gjuhën shqipe gjuhë zyrtare në shkollën françeskane. Kur në vitin 1906 u ripërtëri Provinca, Hospici i Gjuhadolit u bë Kuvend me të gjitha të drejtat. Guardiani i parë ishte Fra Gjergj Fishta.

Gjatë rrethimit të Shkodrës, më 27. 02. 1913, topat e Malit të Zi e dëmtuan Kuvendin e Gjuhadolit, por kisha shpëtoi.  Në të njëjtin vit (1913) filloi botimi i revistave “Hylli i Dritës” dhe “Zani i Shna Ndout”. Në vitin 1916 fretërit e themeluan Shtypshkronjën françeskane në Shkodër, e në vitin 1921 Gjimnazin klasik “Liceum Illyricum”. U pasurua Biblioteka (e themeluar që në vitin 1875), u themelua Arkivi i Provincës dhe Pinakoteka. Fra Shtjefën Gjeçovi e themeloi në Shkodër Muzeun e parë arkeologjik.

 Në vitin 1933, sipas projektit të Fra Gjergj Fishtës, u ndërtua edhe krahu i ri i Kuvendit, i cili i vetmi ka mbetur në këmbë pas shkatërrimeve komuniste. Shkodra u pushtua prej komunistëve më 29. 11. 1944. Në vitin 1945 partizanët e plaçkitën Kuvendin. Në nëntor të vitit 1946 komunistët i futën armët në kishën e shën Françeskut për t’i akuzuar dhe arrestuar fretërit. Më 11. 03. 1948 e pushkatuan provincialin, të lumin Fra Mati Prendushin, dhe guardianin, të lumin Fra Çiprian Nikën.

 Nga 16. 12. 1946 deri në fund të vitit 1948 kuvendi u shndërrua në burg, e pastaj në zyre të kooperativës dhe në çerdhe për fëmijë. Vetëm nja katër oda pranë kishës ishin lënë për banim të fretërve – deri në mars të vitit 1967, kur u mbyllën të gjitha kishat në Shqipëri. Kisha françeskane u shndërrua në “Kinema Punëtori”.

 Në nëntor të vitit 1990 u kthye liria e fesë në Shqipëri. Në mars të vitit 1991 Fra Aleks Baqli dhe Fra Konrad Gjolaj e hapën kishën françeskane. Populli nga “Muzeu i ateizmit” i solli figurat dhe truporet e shenjtërve, që pas mbylljes së kishave gjendeshin atje.

 Më 16. 12. 1991 Ministri Gjeneral OFM e emëroi Delegatin gjeneral për Provincën françeskane Shqiptare, Fra GianMaria Polidoro, dhe Vice-delegatin, Fra Lovro Gavran, i cili erdhi në Shkodër më 20. 12. 1991. Menjëherë filloi rregullimin e disa dhomave të kuvendit të shkatërruar dhe më 03. 03. 1992 hyri në Kuvend. E ndërtoi edhe murin rrethues. Në prill erdhën Motrat françeskane të Zojës së Papërlyer. Në shtator 1992 u hap Seminari françeskan në Gjuhadol, me 19 seminaristë – në Kuvendin ende të papërfunduar.

 Në vitin 1993 filloi kthimi i kishës në gjendje të mëparshme. U rindërtua edhe shkolla, të cilën komunistët e kishin djegur, para se të dilnin prej saj. Iu shtua edhe një kat. Aty u transferua Seminari. Në të njëjtën verë e morëm edhe sallën e sportit.

 Kur Fra Flavio Cavallini u bë provincial (në vitin 1995), ai vazhdoi rregullimin e kishës përbrenda dhe përjashta, kështu që ajo u bekua më 29. 09. 1996. Rindërtimi i kumbonares filloi në vitin 2005, e inaugurimi u bë më 03. 10. 2008.

 Ish Seminarin françeskan, që ishte kthyer në burg, e pastaj u bë “Dega e Brendshme”, Provinca e mori në vitin 1998, e pastaj në vitin 2004 ua dha Motrave të shën Klarës (Klariseve) për Manastirin e tyre.

 Ndërtesa e ish Gjimnazit Klasik “Liceum Illyricum” u lirua shumë vonë, në vitin 2011.

 Kuvendi françeskan Gjuhadol sot është qendra e Kustodies Françeskane të Zojës Nunciatë dhe Shtëpi formimi për fretërit me kushte të përkohshme. Aty bëhen edhe aktivitete të tjera si: katekizëm, rrëfime, kremtime liturgjike, aktivitete me universitarët, me grupin rinor françeskan, me Urdhrin Françeskan Shekullar (OFS), dhe aktivitete tjera të karakterit kulturor, si: “Botime françeskane”, arkivi, biblioteka, koncerte dhe shfaqje teatrore, etj.

 Nga Gjuhadoli sot shërbehet edhe Iballja dhe Berisha, e dikur ishte shërbyer edhe Malësia e Madhe, Dukagjini dhe Zona e Tropojës.

(Nga faqja internetit Françeskanët në mes Shqiptarëve https://www.ofm.al/kuvendet/shkod%C3%ABr-gjuhadol/)

08 nëntor 2019, 12:01