Muro-Berlino-1989-vittoria-sul-muro.jpg

Ipeshkvijtë e Comece-s: rënia e Murit të Berlinit është thirrje për një Evropë më të mirë

Deklaratë e ipeshkvijve të Bashkimit Evropian (Comece) me rastin e 30-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit. “I ftojmë të gjithë evropianët të punojnë së bashku për një Evropë të lirë dhe të bashkuar, përmes një procesi të rinovuar dialogu, që shkon përtej mendësive dhe kulturave, duke respektuar përvojat tona të ndryshme historike dhe duke ndarë shpresat dhe pritjet për një të ardhme të përbashkët në paqe”.

R.SH. - Vatikan

“Rënia e Murit të Berlinit nuk është vetëm ngjarje e së kaluarës për t’u kremtuar, por ka edhe një përmasë profetike. Na mësoi se ndërtimi i mureve ndërmjet popujve nuk është asnjëherë zgjidhje dhe na bën edhe sot thirrje të punojmë për një Evropë më të mirë dhe më të integruar”. Deklarata, që ipeshkvijtë e Komisionit të Episkopateve të Bashkimit Evropian bëjnë të njohur sot, në prag të 30-vjetorit të rënes së Murit të Berlinit, është vështrim drejt së ardhmes, drejt një Evrope më të bukur, e cila, që tani, duhet të jetë shtëpi për të gjithë. Teksti u miratua dhe nënshkrua nga të gjithë delegatët e asamblesë së përgjithshme të Comece-s, që u mbajt nga 23 deri më 25 ​​tetor, në Bruksel, nën kryesinë e kardinalit Jean-Claude Hollerich. “Në kohën e përforcimit të nacionalizmit – pohon imzot Franz-Josef Overbeck, zv.kryetar i Comece-s – rënia e Murit të Berlinit na kujton të gjithëve e, jo vetëm gjermanëve, vlerën e lirisë e të Bashkimit Evropian si plan për paqen”.

Simbol i shembjes së një regjimi

         Ajo natë e 30 viteve më parë mbetet e gdhendur në kujtesën e shumë njerëzve: pamjet e televizioneve të mbarë botës tregonin të rinjtë, që u ngjitën në Mur, duke tërhequr njëri-tjetrin; pastaj, ata që e shembnin me kazma e më tej, përqafime, gëzim, emocion deri në lot, fytyra të shtangura për ç’po ndodhte. “Rënia e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989 - shkruajnë ipeshkvijtë katolikë - ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë evropiane të dekadave të fundit”. Mbyllej një kapitull shumë i gjatë dhe i dhimbshëm historik, që mbajti të ndara me forcë familje të tëra, për njëzet e tetë vjet me radhë. Por ishte edhe simboli i shembjes së një regjimi, shkatërrimi përfundimtar i një perdeje të hekurt, që e ndau botën në dy blloqe.

Shën Gjon Pali II për një Evropë me dy mushkëri

         “Nga ky çast bota ndryshoi”. Shembja e Murit të Berlinit ishte rezultat i një sërë ngjarjesh, që bënë të mundur kthimin e lirisë, pas më se 40 vitesh regjimi shtypës, në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Ipeshkvijtë kujtojnë ndryshimet, që ndodhën në Hungari në fillim të vitit 1989 dhe zgjedhjet e para në Poloni, në qershor të atij viti. Kujtojnë përpjekjet e bëra nga shumë evropianë, të cilët punuan “vazhdimisht dhe paqësisht” për kthesë politike. E përmendin edhe rolin e rëndësishëm të shën Gjon Palit II dhe inkurajimin e tij, për “ një Evropë, që ka nevojë të marrë frymë me dy mushkëri!”

Po sot Evropë, si je?

         Gjatë tri dekadave të fundit, euforia e 1989-ës është shndërruar në realizëm e, nganjëherë, edhe në zhgënjim. Në Deklaratë, ipeshkvijtë e Comece-s rendisin një numër çështjesh të hapura. “Jo gjithçka pritej nga rënia e Murit” u realizua. “Ideologjitë, dikur baza e ndërtimit të Murit, nuk janë zhdukur plotësisht në Evropë dhe janë akoma të pranishme edhe sot, megjithëse në forma të ndryshme”. Procesi i shërimit dhe i pajtimit është “larg përfundimit”.

Evropianët të punojnë së bashku për një Evropë më të mirë

         Për këto arsye, Deklarata e Comece-s mbyllet me një thirrje: “I ftojmë të gjithë evropianët të punojnë së bashku për një Evropë të lirë dhe të bashkuar, përmes një procesi të ri dialogu, që shkon përtej mendësive e kulturave, duke respektuar përvojat tona të ndryshme historike dhe duke ndarë shpresat dhe pritjet tona për një të ardhme të përbashkët në paqe”. Ipeshkvijtë nënvizojnë se udha për t’u ndjekur është “kultura e takimit”. E përfundojnë: “I ftojmë të gjithë t’i lutemi së bashku Zotit, Zotit të Historisë, që të na ndihmojë t’i kushtohemi një Evrope të udhëhequr nga Shpirti Shenjt, zanafilla dhe baza e shpresës, burimi dhe forca e çdo impenjimi të ri për vlerat, mbi të cilat është themeluar Evropa: drejtësia, liria dhe paqja”.

06 nëntor 2019, 14:26