Kërko

Vatican News
Vangelo XXXII Domenica 'C' Vangelo XXXII Domenica 'C' 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e së dielës së 32-të gjatë vitit kishtar “C”

Para enigmës së vdekjes, shumkush dëshiron e shpreson t’i gjejë përsëri të dashurit e vet në jetën e përtejme. Jeta e amshuar, për ne të krishterët, nuk është thjeshtë një jetë që s’ka fund, por sidomos një cilësi e re e jetës, shkrirë plotësisht në dashurinë e Zotit, që çliron nga e keqja e nga vdekja.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 32-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e së dielës së 32-të gjatë vitit kishtar “C”

Pas kremtimit të Solemnitetit të të Gjithë Shenjtërve e Përkujtimit të Besimtarëve të vdekur, në dy ditët e para të nëntorit, këtë të diele Fjala e Zotit na fton të reflektojmë gjithnjë mbi realitetet e fundit të ekzistencës sonë njerëzore, e në mënyrë të veçantë mbi ringjalljen përfundimtare të trupit tonë, siç recitojmë e rrëfejmë në Besojmën e fesë  së krishterë në Meshë.

Leximet biblike të kësaj së diele, pra, na ftojnë e na ndihmojnë të meditojmë, të shpresojmë e të hyjmë në misterin e jetës përtej vdekjes. Njëra prej lutjeve për të vdekurit që na ofron Meshari Romak na kujton se: “Jeta nuk na është marrë, por është shndërruar”. Prandaj, Jeta e pasosur është jetë tjetër e vdekja është prapa, e jo përpara nesh. Në muajin nëntor kushtuar të shuarve, Kisha nuk flet për të vdekurit, por për të gjallët, të ringjallurit.

Jeta e pasosur është një jetë tjetër, në një përmasë tjetër. Të ngjallurit do të jenë si engjëjt e do të jetojnë në një gjendje të ndryshme, të cilën tani nuk mund ta provojmë, madje, as ta përfytyrojmë. Kështu, na mëson Fjala e Zotit,  posaçërisht fragmenti i Ungjillit të kësaj së diele të 32-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, nga Luka  (20,27.34-38), ku Jezusi, duke iu përgjigjur saduçenjve, që donin të talleshin me besimin në ngjalljen e të vdekurve, pohon se “Zoti nuk është Hyj i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë jetojnë për Të.

Lidhja themelore, besa më e pathyeshme, është ajo që lidhet me Jezusin: Ai vetë është Besëlidhja, Ai, Jeta e Ringjallja, sepse me dashurinë e Tij të kryqëzuar, e mundi vdekjen.
E falë Jezusit, të gjithë kanë shpresë se do të vijojnë të jetojnë, në një jetë edhe më të vërtetë, se kjo, që kalojmë mbi tokë. Jeta, të cilën na e përgatit Zoti, nuk është thjesht zbukurim i kësaj, që jetojmë sot; ajo ia kalon shumë herë përfytyrimit tonë, sepse Zoti na mrekullon vazhdimisht me dashurinë e Tij e me mëshirën e Tij.

Prej këndej mund të themi se nuk është kjo jetë, që na jep forcë të ecim drejt amshimit, por amshimi, që na ndriçon e na jep shpresë në jetën tonë tokësore. Nëse shikojmë vetëm me syrin njerëzor, nuk mund të mos themi se rruga e njeriut shkon nga jeta, drejt vdekjes. Po Jezusi e përmbys këtë perspektivë e pohon se shtegtimi ynë shkon nga vdekja, në jetë: në jetën e përsosur! Prej këndej mund të themi se vdekja është përmbrapa, pas shpine, jo përpara nesh. Para nesh është Zoti i të gjallëve. Kisha e shikon optimizëm fundin e jetës tokësore dhe fillimin e asaj, që e quajmë: “Jeta e amshuar”. Ajo është disfata e plotë e mëkatit dhe e vdekjes, fillesa e një kohe të re, kohës së gëzimit, të dritës së pambaruar.

                                                Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë 2 Mak 7, 1-2.9-14
Populli i Izraelit përndiqet për shkak të besimit të vet, por ky besim do të bëhet më i fortë dhe më i thellë nëpërmjet provës. Mund të besojnë në ringjalljen vetëm ata që janë të aftë të japin jetën e tyre. Vëllezërit makabenj përballë vdekjes dhurojnë jetën e tyre, sepse e dinë se do marrin si dhuratë nga Zoti ringjalljen. Për herë të parë është zbuluar e vërteta e ringjalljes së trupave me çmimin ndaj të drejtëve dhe dënimin ndaj të këqijve.

Lexim prej Librit të dytë të Makabenjve
Në ato ditë, ndodhi që të kapen edhe shtatë vëllezër së bashku me nënën e tyre, të cilët mbreti, duke i rrahur me frushkuj e dej qesh, donte t’i shtrëngonte të hanë mishin e thiut, të ndaluar izraelasve. Njëri prej tyre e mori fjalën në emër të tyre e tha: “Çka do të kërkosh e çka dëshiron të mësosh nga ne? Jemi të gatshëm të vdesim më parë se t’i shkelim ligjet e të parëve tanë!”
Atëherë mbreti, i hidhëruar, urdhëroi që ky të vritet. Pastaj e vunë në mundime të dytin. Ndërsa ky po lëshonte ofshamën e fundit, tha: “Ti, o i pashpirt, mbi të pashpirt, po na e merr jetën e tashme, por Mbreti i botës e di se po vdesim për ligjet e Tij, do të na ngjallë për jetën e pasosur.”
Pas këtij e munduan të tretin. Kur kërkuan, vrik e qiti gjuhën dhe trimërisht i shtriu duart e foli me zë të lartë: “Këto gjymtyrë i kam prej qiellit, e, për shkak të ligjeve të tija, i përbuz, por shpresoj se prej Tij do t’i fitoj përsëri.” Kështu, mbreti, dhe ata që ishin me të, mbetën të habitur për guximin e djaloshit sesi i bënte në asgjë mundimet.
Mbasi ky dha shpirt në këtë mënyrë, nisën ta copëtojnë edhe të katërtin në të njëjtat mundime. Kur ishte në grahmat e fundit të vdekjes, tha kështu: “Është gjë e mirë të vdiqët nga dora e njerëzve me shpresë të gjallë në Hyjin se do të ngjallemi përsëri! Por, ti nuk do të ngjallesh për jetën e pasosur!” Fjala e Zotit.
 
Psalmi 17
Të thërras në ndihmë, o Zot, ti më vështr
o
----- ----- ----- -----
Dëgjoje, o Zot, çështjen time të drejtë,
vështroje lutjen time.
Vëri vesh lutjes sime
që del nga buzët joshtiracake.
----- ----- ----- -----
Mbaj hapat e mi brenda shtigjeve të tua,
që këmbët të mos më marrakoten.
Në ndihmë të thërras ty, o Hyj,
e më vështro,
ma prir veshin tënd e dëgjo fjalët e mia.
----- ----- ----- -----
Më fsheh nën hijen e krahëve të tu,
e unë në pafajësi do ta shikoj
fytyrën tënde,
e një ditë, kur të zgjohem,
do të kënaqem me praninë tënde.
----- ----- ----- -----
 
Leximi i dytë 2 Sel 2, 16 – 3, 5
Apostulli Pali nxit të krishterët selanikas të ecin në lutje dhe në vigjilencë, në qartësinë se janë të mbrojtur nga Zoti. Nëse shumë njerëz janë të këqij kjo ndodh sepse mungon ndoshta një “shpresë e amshuar”. Bashkësitë tona të krishtera duhet të jenë far që shpërndan Fjalën e Hyjit. Besimi nuk është i të gjithëve, dhe secili është i lirë ta pranojë apo ta refuzojë. Por përgjegjësia jonë është t’ua propozojmë të gjithëve.

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve
Vëllezër, vetë Zoti ynë Jezu Krishti dhe Hyji, Ati ynë, që na dëftoi dashuri dhe na dhuroi me anë të hirit të vet ngushëllimin e amshuar dhe shpresën e lume, Ai i ngushëlloftë zemrat tuaja dhe i forcoftë në çdo vepër dhe fjalë të mirë.
Mandej, o vëllezër, lutuni për ne që fjala e Zotit të vrapojë e të nderohet porsi ndër ju dhe që të shpëtojmë prej njerëzve të mbrapshtë dhe të këqij: sepse të gjithë nuk kanë fe! Por Hyji është besnik dhe Ai do t’ju forcojë dhe do t’ju ruajë nga i keqi.
Ne jemi plotësisht të bindur në Zotin se ju i zbatoni porositë tona dhe se do t’i zbatoni. Vetë Zoti i drejtoftë zemrat tuaja në dashurinë e Hyjit dhe në qëndrueshmërinë e Krishtit! Fjala e Zotit.
 
ALELUJA, aleluja.

Unë jam ringjallja dhe jeta, thotë Zoti;
kush beson në mua edhe nëse vdes do ta ketë jetën. Aleluja.
 
Ungjilli Lk 20, 27-38
Jezusi pohon me forcë se ringjallja e të vdekurve është vepër e Hyjit dhe nuk mund të vlerësohet me kritere njerëzore.
Për Jezusin prova më e mirë për ringjalljen e trupave është besëlidhja që Hyji ka vendosur me patriarkët.  Hyji nuk do të kishte humbur kohën e tij për të jetuar me njerëz të dënuar për tu zhdukur përgjithmonë. Nëse Hyji bën besëlidhje me ne, të vdekshmit, e bën pikërisht sepse mendon të angazhohet përgjithmonë.
 
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusit iu paraqitën disa saducenj. Saducenjtë thonë se nuk do të ngjallen të vdekurit. Ata i bënë këtë pyetje: “Mësues, Moisiu na urdhëroi: ‘Nëse ndokujt i vdes vëllai i martuar e nuk lë fëmijë, i vëllai le ta marrë gruan e tij dhe le t’i lindë trashëgimtarë. Tashti, ishin shtatë vëllezër. I pari u martua e vdiq pa fëmijë. Edhe i dyti edhe i treti e mori atë e kështu me radhë të shtatë nuk lanë fëmijë e vdiqën. Në fund vdiq edhe gruaja. Tashti, kjo grua, në ringjallje, gruaja e të cilit do të jetë, sepse të shtatë e patën grua?”
Jezusi u përgjigj: “Bijtë e kësaj bote marrin gra ose burra. Kurse, ata që e gjetën të denjë të kenë pjesë në atë botë e në ringjallje të të vdekurve, as s’marrin gra as s’marrin burra. Ata as që mund të vdesin më: janë porsi engjëjt e, për arsye se e rifituan jetën me ringjallje, janë bijtë e Hyjit. E se të vdekurit do të ringjallen, vetë Moisiu e shënoi në fragmenti mbi kaçubën, në të cilin e quan Zotin ‘Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut, Hyji i Jakobit’. Hyji nuk është Hyj i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë për të jetojnë.” Fjala e Zotit.

08 nëntor 2019, 17:00