Vangelo di domenica Vangelo di domenica 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 31-të gjatë vitit kishtar ‘C’

Zoti i pranon të gjithë njerëzit në përqafimin e Tij Hyjnor, duke i përmbysur planet e atyre që ndërtojnë botën duke krijuar vetëm pengesa e mure ndarëse. Fragmenti i Ungjillit të kësaj së diele nga Luka (19,1-10) ndalet tek takimi i Jezusit me Zakeun, kreun e publikanëve, tagrambledhësin. Ndonëse dëshironte ta shikonte Mësuesin, Zakeu nuk guxonte t’i qasej pranë, t’i fliste. Është Jezusi ai, që i afrohet i pari e i flet e i thotë: “Zake, sot do të ndalem në shtëpinë tënde!”.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 31 gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 31-të gjatë vitit kishtar ‘C’

Leximet biblike të kësaj së diele trajtojnë temën e përdëllimit hyjnor e te mirësisë së Zotit, të Krishtit e vlerën e botës. 

Fragmenti i Ungjillit të kësaj së diele nga Luka (19,1-10) ndalet tek takimi i Jezusit me Zakeun, kreun e publikanëve, tagrambledhësin. Bashkëpunëtor për romakët, për të vetët Zakeu ishte kopuk i pasuruar mbi kurriz të popullit! Ndonëse dëshironte ta shikonte Mësuesin, Zakeu nuk guxonte t’i qasej pranë, t’i fliste. Është Jezusi ai, që i afrohet i pari e i flet e i thotë: “Zake, sot do të ndalem në shtëpinë tënde!”. Po ç’e shtynte Jezusin të ndalej në shtëpinë e këtij mëkatari. Plani i shëlbimit, i mëshirës së Atit Hyjnor. E, në këtë plan, është edhe shëlbimi i Zakeut, njeriut të pandershëm e të përçmuar nga të gjithë, që prandaj ndjen nevojën të bëjë kthesë në jetën e tij.

E Jezusi, i udhëhequr nga mëshira, e kërkonte pikërisht atë, Zakeun mëkatar. Ungjilli i kësaj së diele na mëson se shikimi i Jezusit shkon përtej mëkateve e paragjykimeve, e shikon njeriun me sytë e Zotit, i cili nuk ndalohet tek e keqja e së kaluarës, por tejshikon të mirën e ardhme. Jezusi nuk dorëzohet para mbylljeve, ai hap, gjithnjë e gjithmonë krijon hapësira jete; nuk ndalet tek dukja, po shikon zemrën.

Nganjëherë ne kërkojmë ta korrigjojmë e ta kthejmë tjetrin e mëkatarin duke e qortuar, duke ia flakur në fytyrë gabimet dhe sjelljen e tij të padrejtë. Ndërsa sjellja e Jezusit me Zakeun na hap një rrugë tjetër. Atë për t’i treguar kujt gabon vlerën e tij, atë vlerë që Zoti vijon ta shikojë, pavarësisht nga gjithçka, pavarësisht nga të gjitha gabimet.

Është rruga, që na nxit t’u besojmë njerëzve! E pikërisht kjo rrugë i bën të rriten e të ndryshojnë. Kështu sillet Zoti me ne të gjithë. Nuk bllokohet nga mëkati ynë, por e kapërcen me dashuri e na bën të na marrë malli për të mirën. Ç’është e vërteta, të gjithë njerëzit e kanë këtë mall, të gjithë duan të bëjnë sadopak mirë, pasi kanë gabuar. E nuk gjindet njeri në botë që të mos ketë diçka të mirë në shpirt. Këtë shikon Zoti, për ta nxjerrë njeriun jashtë nga e keqja. 

                                                Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë: (Ur 11, 22-12,2)

Lexim prej librit të Urtisë
Mbarë bota para teje është porsi pak pluhur ne peshore dhe porsi një pikë vese agimi që bie në tokë. Por ti ke dhimbje për gjithçka pse gjithçka mundesh, ti bën kinse s’i sheh mëkatet e njerëzve që ata të pendohen.
Vërtet, ti do gjithçka është dhe s’urren asgjë që ke krijuar sepse, po ta kishe krijuar. E si do të mbetet ne jetë ndonjë send, po të mos doje ti? Ose, si do ta ruante jetën, po të mos e kishe thirrur ti ne jetë?
Por ti i kursen të gjitha sepse janë të tuat, o Zot jetë dashes, sepse shpirti yt i pa pritshëm ndodhet në gjithçka. Për këtë arsye nga pak nga pak i ndëshkon mëkatarët, i ndëshkon dhe i qorton për mëkatet e tyre, që ta lënë paudhësinë e të besojnë në ty, o Zot. Fjala e Zotit!

Psalmi: 145 (144)
Ref: Do të lartësoj, o Mbret, Hyji im!

Do të lartësoj, o Mbret, Hyji im,
Dhe do ta bekoj Emrin tënd
Përgjithmonë e jetës.
Çdo ditë do të të bekoj
Dhe do ta lavdëroj Emrin tënd
Përgjithmonë e jetës
--------------------------------------------------------------
Zoti është i madh e i lavdërueshëm,
e pashqyrtueshme është madhëria e tij !
Breznia breznisë do t’ia tregojë veprat e tua
dhe do ta shpallin pushtetin tënd .
Do ta shpallin madhërinë e shenjtërisë sate,
do t’i tregojnë mrekullitë e tua .
---------------------------------------------------------------
Do ta tregojnë fuqinë e veprave të tua të tmerrshme,
do t’i kumtojnë veprat e madhërishme te tuat.
Do ta përhapin kujtimin i hirësisë sate të madhe ,
do t’i brohorisin drejtësisë sate.
Zoti është vetë butësia e mëshira,
i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.
Zoti është i mirë për të gjithë,
I dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta .
--------------------------------------------------------

Leximi i dytë: (2 Sel 1, 11-2,2)

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Vëllezër,
Prandaj edhe lutemi përherë për ju që Hyji ynë t’ju bëjë të denjë për thirrjen e vet dhe me fuqinë e vet t’ju bëjë të aftë të kryeni çdo të mirë që dëshironi dhe fenë tuaj ta bëjë vepruese. Kështu Emri i Jezusit, Zotit tonë,do të madhërohet në ju po edhe ju ne Të në saje të hirit të Hyjit tonë dhe të Jezu Krishtit Zot.
Në lidhje me Ardhjen Zotit tonë Jezu Krishtit dhe me bashkimin tonë rreth tij, ju bëjmë lutje, vëllezër, mos lejoni të merreni mendsh dhe as mos u trazoni për shkak të ndonjë vegimi kinse profetik, ose të ndonjë fjalë ose të ndonjë letre kinse të shkruar prej nesh, thuajse ja arriti Dita e Zotit! Fjala e Zotit!
 
Aleluja: Hyji aq fort e deshi botën sa që e dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos humbet, por ta ketë jetën e pasosur. ”Aleluja:
 
Ungjilli: (Lk 19, 1-10)

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Jezusi hyri në Jeriho dhe po kalonte nëpër qytet. Dhe ja,një njëri që quhej Zake. Ky ishte kryetagrambledhës dhe pasanik. Dëshironte të shihte kush është Jezusi,por nuk mundte prej popullit,sepse ishte me shtat i vogël. U lëshua vrap përpara, shkoi e hipi në një fik për ta parë sepse andej do të kalonte. Kur Jezusi erdhi në atë vend, shikoi përpjetë dhe i tha: ”Zake, zbrit shpejt! Sot do te vij të rri në shtëpinë tënde!”. Ai zbriti me nxitim dhe e pranoi plot gëzim. Të gjithë ata që panë, filluan të nynykasin: “Ktheu të rrijë të një mëkatar”! Zakeu u ngrit në këmbë dhe i tha Zotërisë:“ Qe, Zotëri, gjysmën e pasurisë po ua jap skamnorëve, e, nëse ia kam bërë ndokujt ndonjë të pa drejtë, ia kthej katërfish!” Atëherë Jezusi tha: “Sot i erdhi kësaj shtëpie shëlbimi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit! Po, Biri i njeriut erdhi ta kërkojë e ta shëlbojë atë që pati humbur”. Fjala e Zotit!

01 nëntor 2019, 17:53