Kërko

La Croce dolomiti La Croce dolomiti  

Më 25 nëntor kalendari kujton Shën Katerinën e Aleksandrisë, virgjër e martire

Kulti i Shën Katerinës është jashtëzakonisht i përhapur. Figurën e saj e gjejmë në bazilikën romake të Shën Lorencit, në katakombet e Shën Gjenarit në Napoli dhe në të katër anët e Evropës, ku frymëzoi edhe shfaqje me karakter kishtar e këngë të përshpirtërisë popullore.

R.SH. - Vatikan

Më 25 nëntor kalendari kujton Shën Katerinën e Aleksandrisë, virgjër e martire. Tekstet e letërsisë popullore e paraqesin Katerinën si vajzë tejet të bukur të krishterë, bijë të një dere fisnike nga Aleksandria e Egjiptit.

Këtu, në vitin 305, arriti Maksimin Daia, emëruar governator i Egjiptit dhe i Sirisë. Me këtë rast u përgatiten dhe u kremtuan festa madhështore, gjatë të cilave njerëzit i flijuan hyjnive pagane një mori kafshësh. Ishte detyrim, që u imponohej të gjithë nënshtetasve.
I erdhi radha edhe Katerinës.

Vasha jo vetëm që nuk pranoi t’u falte flije idhujve, por e ftoi Maksiminin të heqë dorë nga hyjnitë e ta pranojë Jezu Krishtin si shpëtimtar të njerëzimit. Si nuk ia doli mbanesh ta bindte vashën për t’u gjunjëzuar para zotave të rremë, Maksimini, i mahnitur nga hiri, njomësia e bukuria e saj, i kërkoi dorën. Deshi ta kishte përkrah si gruan më të zgjedhur, që kishte takuar ndonjëherë.

Vajza, natyrisht, nuk pranoi. Atëherë dashuria e qeveritarit të mbrapshtë romak, u kthye menjëherë në urrejtje. E kjo urrejtje e shtyu të kërkonte vdekjen më të tmerrshme për vashën, e cila donte më shumë Krishtin, se perandorin. E mbërthyen mbi një rrotë të dhëmbëzuar që, duke u rrotulluar, do ta copëtonte trupin e saj të brishtë.

Po Zoti, që ajo e donte edhe më shumë se vetë jetën, e shpëtoi mrekullisht nga një mundim i tillë kaq barbar. Atëherë ia prenë kokën e trupi i saj u mbart nga Aleksandria, në Sinai, në një mal pranë Gebel Musa (Malit të Moisiut), që edhe sot e kësaj dite njihet me emrin Gebel Katherin. Mbi trupin e Virgjërës Martire ngrihet një nga manastiret më në zë kushtuar Shenjtores. Kjo ndodhi më 25 nëntor të vitit të largët 305.

Kulti i Shën Katerinës është jashtëzakonisht i përhapur. Figurën e saj e gjejmë në bazilikën romake të Shën Lorencit, në katakombet e Shën Gjenarit në Napoli dhe në të katër anët e Evropës, ku ka frymëzuar edhe shfaqje me karakter kishtar e këngë të përshpirtërisë popullore.

Festa e saj e përvitshme kremtohet si festë e të rinjve: në Francë Shën Katerina njihet si pajtorja qiellore  e studentëve të teologjisë dhe e shumë bashkësive femërore. Është gjithashtu pajtore qiellore e vajzave që mësojnë mjeshtrinë e rrobaqepses, të cilat janë njohur për një kohë të gjatë me emrin "katerinette" në mbarë Evropën. Por atë e njohin si pajtore qiellore edhe berberët, mëndeshat, vajzat në moshë të martesës, të burgosurit e, nga që u torturua mbi një rrotë me thumba - edhe të gjitha mjeshtritë që kanë lidhje me rrotën: që nga qerrexhinjtë tek vegsharët, nga mprehësit e thikave tek gomistët e biçiklistët.

Dhjetëra piktorë janë frymëzuar nga figura e përkryer e shenjtes që në lule të rinisë e të bukurisë ia fali gjithë vetveten Krishtit, duke u copëtuar mbi thumbat e rrotës ku e kishin lidhur. Portretin e saj e ka pikturuar edhe piktori i shquar shqiptar Lin Delija, duke i dhënë, sipas stilit të tij, ngjyrime të forta shqiptare. Shenjtja e Delisë është e veshur me kostum kombëtar shqiptar e mban në dorë një rrotë që duket sikur ka dalë nga punishtet e lashta shqiptare të rrotave. Portreti ndodhet në Kuvendin e fretërve të Gjuhadolit në Shkodër.

25 nëntor 2019, 12:57