Kërko

Michelangelo Buonarroti, Cappella Sistina, Musei Vaticani, Guido Cornini, san Geremia, Giudizio Universale Michelangelo Buonarroti, Cappella Sistina, Musei Vaticani, Guido Cornini, san Geremia, Giudizio Universale 

Shenjtorët e javës 17-24 nëntor

Nё fragmentin e Ungjillit të kësaj së diele (Lk 21,5-19), Jezusi lajmëron fitoren e së mirës mbi të keqën. Zoti do të vijë për të gjykuar historinë e botës dhe për të shndërruar çdo gjë. Kështu, DITA E ZOTIT, vjen e bëhet moment në të cilin gjithçka merr kuptim e shndërrim: në atë ditë çdo njeri, çdo gjë do të dalë në dritën e Zotit.

R.SH. - Vatikan

E diel 17 nёntor, Kisha katolike kremton kremton të Dielën e 33-të gjatë vitit kishtar liturgjik, e gjithnjë më 13 nëntor, kalendari kishtar kujton shën Nikollën I papë e shën Agostina Pietrantonin, virgjër. 

Liturgjia e kësaj së diele evokon ardhjen e mbrame të Zotit Jezus, që është në qendër të rrëfimit të fesë në Besojmë: “ E përsëri do të vijë, për të gjykuar të gjallët e të vdekurit, e mbretëria e tij nuk do ketë mbarim”. Pritja e ardhjes së Zotit paraqitet nga fragmenti Ungjillor i kësaj së diele si plotësim i projektit të tij të shpëtimit e këndej si çlirim nga i keqi dhe vdekja e përjetshme.  Kjo shpresë e ardhshme, për të krishterin, domethënë se duhet të kontribuojë për shndërrimin e të sotmes në drejtim të Mbretërisë së Hyjit.

Tё hёnёn më 18 nëntor përkujtohet kushtimi i bazilikave të shën Pjetrit e Shën Palit Aposull. Dy bazilikat u kushtuan gjatë shekulli IV, shpejt pas lejimit të ushtrimit të besimit të krishterë, por kulti ndaj dy prijësve të apostujve ishte përhapur në mbarë kishën që në shekullin e parë. Martirizimi i tyre vulosi përfundimisht vërtetësinë e predikimit, të cilit iu kushtuan gjer në derdhjen e gjakut, prandaj dy bazilikat romake mbetën vende të rëndësishme shtegtimi përgjatë shekujve e deri në ditët tona.

Të martën 19 nëntor përkujtohen shën Barlaami i Antiokisë, martir, dhe Shën Matilda e Heftës. Dëshmitë e para për Shën Barlaamin fillojnë nga shekulli V, ndërsa Shën Matilda, mistike dhe mësuese e shën Gertrudës, ka jetuar ne shekullin XIII. Drejtoi për shumë vite korin e kuvendit dhe e përdori dhuntinë e muzikës për t’i kënduar lavde Zotit, gjë për të cilën shkroi: “Pastaj ai, Këngëtari më i madh, me zërin e tij, jonet e të cilit janë më të lartë se të gjitha harmonitë qiellore, vendosi ta magjepste thëllënzën e tij, që disa herë e kishte bërë për vete Zemrën hyjnore, me devocionin e saj, më shume se me zërin e mahnitshëm”.

Të mërkurën më 20 nëntor përkujtohet shën Edmondi martir, pajtor qiellor i Anglisë. Pas pushtimit të tokave angleze që ishin nën mbretërimin e tij, ushtarët danezë, që e zunë rob, i kërkuan të mohonte fenë në Krishtin, në këmbim të jetës dhe të kurorës mbretërore, por Shën Edmondi zgjodhi kurorën e lavdisë qiellore. Varri i tij gjendet në afërsi të Kembrixhit.

Të  enjten më 21 nëntor përkujtohet Paraqitja e së Lumes Virgjër Mari në Tempull. Sipas traditës së lashtë, që tregohet edhe në disa nga shkrimet apokrife, Zoja iu kushtua Hyjit në tempull që kur ishte fëmijë. Në këtë mënyrë ajo e përgatiti trupin dhe shpirtin për të pritur fjalën që do të bëhej njeri në kraharorin e saj. Ky përkujtim ka rëndësi ekumenike, sepse misteri i paraqitjes së Zojës në tempull ka gjetur jehonë të gjerë në botën ortodokse.

Të premten më 22 nëntor përkujtohet Shën Çeçili, virgjër e martire. Jetoi në kapërcyell të shekullit II dhe III dhe kulti i saj u përhap para lejimit të besimit të krishterë. Në vitet 1500 u hap sarkofagu i saj dhe trupi i shenjtores u gjet i ruajtur mirë, mbështjellë një mëndafsh të qëndisur me ar. Skulptori Maderna gdhendi atëherë statujën e famshme të mermerit, që është riprodhimi besnik i pamjes dhe i pozicionit të trupit të martires së hershme.

Të  shtunën më 23 nëntor përkujtohen shën Klementi I martir dhe Shën Kolombani. Shën Kolombani, nga Irlanda, jetoi ndërmjet shekullit VI-VII dhe në moshën 50 vjeçare la gjithçka, mori dymbëdhjetë shokë me vete dhe vendosi të bëhej shtegtar i Krishtit nëpër Evropë. Predikoi Ungjillin në Francë, Zvicër e Itali, ku edhe vdiq, dhe themeloi disa manastire që shkëlqyen, qoftë për disiplinë, qoftë për studime.

Tё dielën e ardhshme më 24 nëntor, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 34-të gjatë vitit kishtar dhe solemnitetin e Jezu Krishtit, Mbretit të Gjithësisë. Kjo është e diela e fundit e këtij viti liturgjik tё Kishës, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.

17 nëntor 2019, 14:14